Zaev: Mosrespektim i Kushtetutës është edhe nëse nuk përdoret emri i ri

Maqedonia

Zaev: Mosrespektim i Kushtetutës është edhe nëse nuk përdoret emri i ri

Më: 15 mars 2019 Në ora: 11:29
Zoran Zaev

Mosrespektim i Kushtetutës është edhe nëse nuk përdoret emri i ri kushtetues i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka deklaruar mbrëmë kryeministri Zoran Zaev, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për procedurat e mëtejme me ligjet të cilat nuk u nënshkruan nga presidenti Gjorge Ivanov.

Zaev ka shprehur besimin se shërbimet do të gjejnë zgjidhje të përbashkët me qëllim të mundësohet përdorimi i ligjeve të miratuara, të cilët nuk morën nënshkrimin nga shefi i shtetit.

Kuvendi të hënën ka bërë të ditur se Ivanov nuk i ka nënshkruar dekretet për shpalljen e 11 ligjeve. Ligjet të cilët presidenti ka refuzuar të nënshkruajë do të duhet përsëri të gjenden në procedurë parlamentare dhe do të duhet të miratohen me 61 deputetë me çka ai do të ketë për detyrë të nënshkruajë dekretin për hyrjen në fuqi të tyre.

Nga 1 prilli Kuvendi nuk do të mblidhet për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, por për procedurat e mëtejme lidhur me këtë do të pritet mendimi i kryeparlamentarit Talat Xhaferi i cili është jashtë shtetit për shkak të nënshkrimit të Protokollit për anëtarësim në NATO. Nuk përjashtohet mundësia Kuvendi të punojë edhe gjatë zgjedhjeve presidenciale që të miratohen ligjet reformuese, që nga vendi i kërkon BE-ja.

“Vendit tonë nuk i nevojiten bllokada nga arsye subjektive ose tjera të cilat mund të ekzistojnë për këto çështje. Besoj se do të gjenden zgjidhje”, ka thënë kryeministri.

Ai pret që nga 1 prilli Kuvendi të punojë, siç tha, “në përbërje të plotë”.

Lidhur me atë se kur pret të mbahet dueli televiziv me liderin opozitar të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, Zaev ka thënë se do të ndodhë kur të jetë gati mediumi, ndërsa si mundësi ka përmendur Televizionin Kanal 5.

“Unë jam i gatshëm, jam këtu, përveç më 19 mars kur udhëtoj për Bruksel për shkak të prezantimit të sukseseve të vendit para Këshillit për stabilizim dhe asociim, por ajo është vetëm një dite. Çfarëdo dite tjetër jam këtu dhe besoj se në kënaqësi të qytetarëve do të ketë duel siç duhet të ketë”, ka thënë Zaev.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat