Përplasje mes BFI-së dhe Qeverisë, kërkohet denacionalizimi i pronave të bashkësive fetare

Maqedonia

Përplasje mes BFI-së dhe Qeverisë, kërkohet denacionalizimi i pronave të bashkësive fetare

Më: 22 mars 2019 Në ora: 15:39
Qeveria

Mosmarrëveshjet e pazgjidhur për denacionalizimin kanë përplasur Bashkësinë Fetare Islame (BFI) dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Nga BFI thonë se Qeveria është selektive dhe diskriminuese kur janë në pyetje pronat e bashkësive fetare, duke shtuar se Kisha Ortodokse Maqedonase është e favorizuar, ndërsa nga qeveria thonë të kundërtën. Sipas tyre, BFI kërcënon dhe vendos ultimatume.

BFI-ja i ka dhënë afat 10 ditë qeverisë që të gjejë zgjidhje për rastet e përmendura, ndërsa nëse nuk e bëjnë këtë brenda afatit, nga BFI thonë se do të informojnë faktorët e jashtëm dhe mediumet.

“Përveç problemit të kthimit të ngadalshëm, selektiv dhe diskriminues të vakëfeve, duam të tregojmë edhe problemet që BFI i ka me organet e shtetit, të cilat pengojnë ruajtjen dhe aktivitetet e përditshme në objektet fetare që kanë trashëgimi kulturore, me çka jemi të shqetësuar për moszgjidhjen e statusit të objekteve fetare në fshatin Llazhec të Manastirit, Xhaminë “Husamedin Pasha” në Shtip dhe rikonstruimin e Xhamisë “Ali Pasha” në Ohër, objekt për të cilin ekziston dokument për ndërtim dhe donacione, të cilat në mënyrë burokratike nga institucionet shtetërore. Krahas kësaj, Kisha Ortodokse Maqedonase është e favorizuar dhe privilegjuar nga çdo aspekt”, thuhet në letrën e BFI-së dërguar Qeverisë.

Ndërsa për këtë të fundit sjellja e BFI-së është e papranueshme, pasi siç thonë, për lëndët të cilat janë përmendur ka procedura në rrjedhë tek organet kompetente dhe kjo nuk varet nga ta.

“Ky pushtet ekzekutiv kurrë nuk do të ndërmarrë hapa për të manipuluar ndjenjat fetare ose për të ndërhyrë në marrëdhëniet brenda apo ndërmjet bashkësive fetare. Në këtë drejtim, ne hedhim poshtë të gjitha akuzat se çdo bashkësi fetare është e favorizuar nga shteti dhe ne e konsiderojmë akuzën e tillë si tendencioze dhe të pa matur. Ne jemi një shtet laik, të drejtat dhe liritë fetare ushtrohen duke ndërtuar besim të ndërsjellë dhe jo përmes kërcënimeve dhe ultimatumeve”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Nga BFI theksuan se për marrëdhëniet me Qeverinë do të njoftojnë të gjithë besimtarët në 700 xhamitë e vendit. Ndërsa nga Qeveria rekomandojnë BFI-në që të nisin procedura para organeve kompetente, nëse në rastet e tyre nuk është vepruar sipas ligjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat