ITSHKSH fton shqiptarët e Maqedonisë në përurimin e Muzeut të Gjenocidit Serb në Bllacë

Maqedonia

ITSHKSH fton shqiptarët e Maqedonisë në përurimin e Muzeut të Gjenocidit Serb në Bllacë

Më: 8 prill 2019 Në ora: 14:45
Bllacë ‘99

Më 10 prill 2019 në fshatin Bllacë të Hanit të Elezit do të shënohet 20-vjetori i gjenocidit serb dhe spastrimit etnik “Bllaca 99”, ku po në atë ditë do të vendoset gurthemeli i Muzeut të Gjenocidit Serb. Për këtë rast, nën patronatin e kryeministrit, Ramush Haradinaj, treni i cili kishte bartur mbi 400 shqiptarë do të bëhet Muze, i cili do të qëndrojë në ish kampin e refugjatëve.

Për këtë rast Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup ju bën thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që të jenë pjesë e këtij organizimi përkujtimor.

“Pas iniciativës dhe propozimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta – Prishtinë, Qeveria e Republikë së Kosovës ka marrë vendim që ta themelojë Qendrën Përkujtimore të Gjenocidit “Bllacë ‘99”.

Meqë kjo qendër pritet të realizohet edhe në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa Instituti jonë në Shkup, përmes departamentit të Muzeologjisë, do të jetë kujdestar shkencor për të, ftojmë të gjithë shqiptarët të cilët dy dekada më parë ishin kujdesur për bukë, ujë e strehim të vëllezërve të tyre të gjakut nga Kosova, që më 10 prill 2019 (e mërkurë), në orën 14.00, të vijnë në pikën kufitare “Bllacë” (në anën kosovare), ku do të hidhet gurthemeli i Qendrës dhe do të ekspozohet treni famëkeq i cili asokohe i kishte bartur mijëra shqiptarë deri në kufi.

Shqiptarët e Maqedonisë para 20 vjetëve e dëshmuan në vepër vëllazërinë ndërshqiptare, ndërsa tash do të duhet ta nderojnë ngritjen e kësaj qendre dhe të ndihmojnë që ajo të jetë konservimi më i mirë i kujtesës kolektive të të gjitha vuajtjeve shqiptare përgjatë historisë” thuhet në njoftimin e ITSHKSH-së, i udhëhequr nga Skender Asani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat