Maqedoni, KSHZ: Votojnë vëzhguesit e komisioneve jashtë vendit

Maqedonia

Maqedoni, KSHZ: Votojnë vëzhguesit e komisioneve jashtë vendit

Më: 17 prill 2019 Në ora: 14:54
KSHZ

Komisioni shtetëror i zgjedhjeve ka hapur sot vendvotimin në të cilin votojnë 260 persona, të cilët do të udhëtojnë jashtë vendit, si anëtar të Këshillave zgjedhor në përfaqësitë Konsullore Diplomatike.

“Këto janë të ndarë nëpër 32 përfaqësi diplomatike konsullore, gjegjësisht janë anëtarë të Këshillave zgjedhore që do ti zbatojnë këto zgjedhje, dhe ato sot do të kryejnë të drejtën e tyre të votës. KSHZ ka siguruar vendvotim të posaçëm për këto persona”, tha  Admir Shabani nga KSHZ.

Në 32 vendvotimet jashtë vendit, janë paraqitur për të votuar vetëm 1850 qytetarë të Maqedonisë së Veriut që jetojnë në shtete të ndryshme të botës.

Për zgjedhjet në diasporë KSHZ do të shpenzojë rreth 500 mijë euro. Këto harxhime do të bëhen për udhëtimin e 260 anëtarëve të KSHZ-së, fjetjen, ushqimin dhe mëditjen.

Nga Komisioni zgjedhor, njoftojnë se nesër do të bëhet edhe shpërndarja e materialeve zgjedhore nëpër Komisionet komunale.

“KSHZ gjatë ditës së nesërme, 18 prill dita e enjte, do të distribuojë materialin e besueshëm zgjedhor deri tek Komisionet komunale të zgjedhjeve dhe më pastaj Komisionet komunale të zgjedhjeve do ta shpërndajnë të njëjtin nëpër këshilla zgjedhor në kompetenca të tyre”, tha Shabani.

KSHZ ka caktuar ekipe të posaçme që do të shpërndajnë materialin zgjedhor nëpër Këshillat Komunal. Ndërsa Këshillat Komunal, gjatë ditës së shtunë, 20 prill, do të duhet të dorëzojnë materialet në Këshillat zgjedhor.

Në zgjedhjet presidenciale të 21 prillit, të drejtë vote kanë mbi një milion e 800 mijë qytetarë, ndërsa do të hapen 3470 vendvotime në mbarë territorin e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat