Maqedoni, pushteti propozon që komunat të shpenzojnë më shumë para

Maqedonia

Maqedoni, pushteti propozon që komunat të shpenzojnë më shumë para

Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 22:38
Ilustrim

Ndonëse shumë prej komunave janë futur në borxhe të mëdha, deputetët e e shumicës parlamentareplanifikojnë që të ndryshojnë mekanizmin mbrojtës i cili parandalon në të ardhmen që komunat të mos vazhdojnë me grumbullimin e borxheve të reja, që ishte miratuar nga ish-ministri i Financave Dragan Tevdovski.

Në vend se parashikimet vjetore të të ardhurave t’i projektojnë me rritje prej më së shumti 10 për qind nga shpenzimi mesatar në tre vitet e fundit, tani deputetët e BDI-së dhe LSDM-së propozojnë që komunat të shpenzojnë edhe deri 30 për qind më shumë sesa mesatarja trevjeçare.

Kjo do të thotë se komunat do të mund të shpenzojnë më shumë sesa kufiri i deritanishëm. Njëri prej propozuesve të ndryshimeve ligjore, Rexhail Ismaili, për Alsat-in deklaroi se në këtë mënyrë njësitë e vetëqeverisjes lokale do të kenë mundësinë për realizim më të madh të parashikimeve të tyre.

Megjithatë, deputeti i BDI-së thotë se propozim-ndryshimet e Ligjit për financimin e komunave nuk do të lejojë “legalizimin” e serishëm të punës joekonomike të një pjese të kryetarëve të komunave në vend.

Informacionet e fundit të Alsat-it nga Ministria e Financave tregojnë se me paratë e dhuruara nga arka shtetërore që arrinin 50 milionë euro, për një të tretën është ulur borxhi i vetëqeverisjeve lokale, i cili arrinte në thuajse 100 milionë euro. Në disa raste ministrat aktual, po edhe ata të mëparshmit të financave dhe vetëqeverisjes lokale tregoheshin të pafuqishëm kur bëhej fjalë për luksin e pushteteve lokale me para të qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat