Si të pastrohet gjyqësori në Maqedoni?

Maqedonia

Si të pastrohet gjyqësori në Maqedoni?

Më: 6 janar 2020 Në ora: 20:23
Foto ilustrim

Sa do të zgjidh problemin me korrupsionin në gjyqësor porosia e ish-kryeministrit Zoran Zaev që të mos ketë veting por thjeshtë të kontrollohet gjendja e pronës së gjykatësve dhe prokurorëve?! A nënkupton kontroll real kontrolli i gjendjes së pronës apo nevojitet analizë thelbësore e cila do të përfshijë edhe mënyrën sipas së cilës janë zgjedhur prokurorët dhe gjykatësit, si dhe afërsinë e tyre apo çfarëdo lidhshmërie me politikanët, biznesmenët ose strukturat kriminele. Kryetarja e KSHPK-së thotë se në planin vjetor të vitit 2020 është vendosur kontrolli dhe ndjekja e gjendjes së pronës dhe se ky do të jetë hapi i parë që do të ndërmerret.

“Pajtohem se është shumë çështje komplekse dhe se nuk duhet secili të investojë në patundshmëri, nuk duhet secili të investojë në pronë që do të thotë se ndjekja e problemit është gjë më komplekse. Andaj janë këtu edhe institucionet tjera siç janë Policia Financiare dhe Shërbimi Sekret Financiar, për shkak se nëse ne vërtetojmë se ka rritje të madhe të pronës atëherë lëndët tona i dorëzojmë deri te këto institucione kompetente që kanë qendra hulumtuese”, u shpreh Biljana Ivanovska, kryetare e KSHPK.

Nuk ka nevojë për veting në gjyqësor dhe se ky duhet të jetë opsioni i fundit, deklaroi para pak kohe euro komisari Samuel Zhbogar. Me këtë deklaratë nuk pajtohet Sllagjana Taseva nga Transparency Interational, e cila thotë se nëse ne vlerësojmë se nevojitet pastrim serioz në gjyqësorë, atëherë kjo duhet realisht të zbatohet.

“Ne mund të flasim për paralajmërim dhe për veting megjithatë duhet mirë të përgatitet. Unë ende nuk shoh nismë adekuate që të krijohet bazë juridike për veting të tillë. Të gjithë këto gjëra që rekomandohen ose jepen urdhra dhe detyre institucioneve, ja edhe Këshilli gjyqësore edhe KSHPK mund të jenë pjesë e procesit për kontroll, por megjithatë kjo nuk është veting”, theksoi Sllagjana Taseva nga Transparency International.

Shumë flasim, pak bëjmë, thotë njeriu i parë i Qendrës maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar, Aleksandër Kërzhallovski. Sipas tij edhe vetë fakti që pjesa më e madhe e lëndëve kryesisht të hapura nga PPS dhe për të cilat opinioni pret epilog, ose vjetërsohen ose nga fillimi fillon procedura gjyqësore, krijon mendim në opinion se nuk sundon e drejta.

“Vjen situata që me shumë gjasa duhet të ndërmerren masa radikale. Ajo me vetingun në Shqipëri është një masë e tillë radikale, por i la pa gjykatës, përkatësisht me sistem jofunksional, por i pastroi gjykatësit e korruptuar në një mënyrë. Megjithatë e gjithë kjo duhet të fillohet menjëherë me ndryshimin e pushtetit të ri, ndërsa ja kaloi mandati dhe po shkojmë në zgjedhje, tani sigurisht nuk do të ndodh diçka”, deklaroi Aleksandër Kërzhallovski nga Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar.

Reformat në gjyqësorin e Maqedonisë janë rekomandim që nga Raporti i Pribe-së ku u theksua se ekziston kontroll dhe keqpërdorim i sistemit gjyqësor për interesa politik. Edhe pse pushteti aktual filloi edhe ndryshimet e rregullativës ligjore për gjyqësorin, megjithatë është fakt se në këtë sektor nevojiten reforma thelbësore dhe më të thella.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat