Hasani: Shqiptarët u akuzuan se rritën numrin e infeksioneve për Bajram, tani prijnë maqedonasit

Maqedonia

Hasani: Shqiptarët u akuzuan se rritën numrin e infeksioneve për Bajram, tani prijnë maqedonasit

Më: 26 nëntor 2020 Në ora: 00:27
Ilir Hasani

Zëvendësministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Ilir Hasani, ka thënë se gjendjen me pandeminë e kanë të vështirësuar sa i përket rritjes së numrave me të infektuar, por se ende po mbahen me kapacitetet spitalore.

“Situata ka qenë dhe është alarmante. Që nga fillimi i muajit të kaluar kemi një ngritje alarmante të numrit të të infektuarve. Përveç infektimeve shqetësues është edhe numri i vdekjeve që po ndodhin ditëve të fundit në spitalet tona – pra ata që i kemi të evidentuar – por ne mendojmë që ka edhe të tjerë që nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë prekur apo kanë humbur jetën nga COVID-19. Kemi ngritje epidemiologjike dhe kjo po na shqetëson edhe më shumë”.

Hasani për Edicionin Special ka treguar se në valën e parë të pandemisë në njëfarë mënyre u fajësuan shqiptarët për rritjen e numrave meqë atë kohë ra edhe festa e Bajramit dhe Ramazanit. Por, ai tha se në valën e dytë janë maqedonasit më të prekur në komunat ku janë shumicë.

“Kemi qenë të akuzuar se ne shqiptarët që kur i kishim festat e Bajramit i kemi thyer rregullat dhe ishim shkaktarët që i kemi rritë numrin e të infektuarve. Ka qenë një situatë e pakëndshme nacionaliste. Derisa atëherë kemi pasë ne disa aktivitete fetare që janë të lidhura me kontakte sociale më të mëdha, në valën e dytë të pandemisë kemi një karakteristikë që komunat më të populluara me maqedonas ka më shumë pacientë që rezultojnë pozitivë. Në komunat shqiptare nuk kemi numra që janë në rritje dhe ka edhe deklarime të tilla që arsyeja qëndron se e kemi kaluar më herët”.

Hasani tha se është e papranueshme që edhe në pandemi të ndahen në bazë nacionaliste dhe se qytetarët duhet trajtuar të barabartë.

Për gjendjen aktuale, Hasani më shumë bëri përgjegjës baret nëpër qytete që kanë grumbulluar qytetarë derisa tha se shpërthimi i virusit filloi të ndodhë nga shtatori.

Çfarë masa parandaluese ka në fuqi shteti fqinj?

“Deri më tash s’kemi pasë bllokadë apo orë policore dhe ende mbështetemi në kapacitetet tona spitalore. Mendojmë se ende mund t’i përballojmë numrat edhe pse janë alarmantë. Në fuqi është gjendja e krizës që nuk është gjendje e jashtëzakonshme, por kemi aktivizimin e disa mekanizmave ku formohet shtabi i krizës dhe që i marrin në dorë veprimtaritë”.

Megjithatë, Hasani ka thënë se janë duke e përgatitur një plan aksionar nga institucionet dhe i cili rrjedh nga ligji i dedikuar për këtë gjendje të krizës për të invervenuar në ato pjesë të vendit ku ka më shumë nevojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat