Disa mundësi për zhbllokimin e Kuvendit, Zaev nuk përjashton “gjendjen e jashtëzakonshme”

Maqedonia

Disa mundësi për zhbllokimin e Kuvendit, Zaev nuk përjashton “gjendjen e jashtëzakonshme”

Më: 24 mars 2021 Në ora: 15:34
Zoran Zaev

Një takim mes kryeministrit Zoran Zaev, kreut të Kuvendit Talat Xhaferi dhe kreut të BDI-së Ali Ahmeti do të jetë përpjekja e radhës për gjetjen e një zgjidhje për zhbllokimin e ligjeve që kanë ngecur në Kuvend. Takimi pritet të mbahet para seancës për pyetjet e deputetëve të enjten por Zaev nuk përjashtoi as mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Të gjitha opsionet janë të hapura, nga takimi i liderëve, deri te gjetja e zgjidhjes përmes koordinatorëve të grupeve parlamentare, deri te gjendja e jashtëzakonshme, gjithçka. Vetëm t’i lirojmë institucionet të sjellin vendime që janë me rëndësi jetësore për qytetarët tanë”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Ndërkohë kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski doli me ofertë për pushtetin. Mickoski i kërkoi Kuvendit që para seancës për pyetjet e deputetëve, të caktohet seancë me katër pika, ku janë të gatshëm të krijojnë kuorum.

Vendim për vazhdimin e gjendjes së krizës për shkak të virusit korona dhe ndryshimet në ligjin për mbështetje financiare të punëdhënësve, mbështetje financiare për personat fizik që janë të vetëpunësuar dhe janë goditur nga kriza dhe ndryshimet në ligjin për tatimin e të ardhurave personale… Theksoj edhe një herë, edhe pse ndihma nga Qeveria është e vogël dhe e pamjaftueshme për kompanitë dhe qytetarët, ajo përsëri do të ketë mbështetje nga deputetët e VMRO-DPMNE-së”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

I pyetur për ofertën e Mickoskit, Zaevi tha se pranon gjithçka që është në interes të qytetarëve dhe që ofron mundësi të shpejtë për zhbllokimin e ligjeve.

Instituti për Demokraci, “Societas Civilis” në një reagim vlerëson se bllokimi i Kuvendit në këtë mënyrë “shkatërron reputacionin e institucionit i cili ka  përgjegjësi të madhe në menaxhimin e krizës dhe në kontrollimin e ekzekutivit. Instituti konsideron se … Duhet të vendosen kufizime në Rregullatoren Kuvendore për të krijuar ekuilibër midis mundësisë së përdorimit të mjeteve për të parandaluar miratimin e ligjeve (p.sh. filibustering) dhe funksionalitetit të legjislativit; të forcohet kontrolli i ligjeve të miratuara nën “flamurin Evropian” dhe me procedurë të shkurtuar.  Të mundësohet puna e deputetëve “online”, si në shumicën e parlamenteve në botë; Praktika e bllokimit të seancave për shkak të mosmarrëveshjes me shumicën parlamentare duhet të marrë fund. Precedenti i fundit i bllokimit të plotë jo vetëm të një, por të të gjitha ligjeve për shkak të mos miratimit të një propozimi të vetëm ligjor është një akt i papranueshëm që shkon drejtpërdrejt kundër shtetit dhe interesit publik. Dialogu politik për zgjidhjen e krizave duhet kryesisht të zhvillohet në Kuvend. Takimet e liderëve janë format jo-transparent për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike. Për më tepër, ato e delegjitimojnë Kuvendin”, thuhet mes tjerash në reagimin e Institutit për Demorkaci, “Societas Civilis”.

Instituti për Demokraci “Societas Civilis”

duhet të vendosen kufizime në Rregullatoren Kuvendore për të krijuar ekuilibër dhe të sigurohet funksionalitetit të procesit legjislativ;të forcohet kontrolli i ligjeve të miratuara nën “flamurin Evropian” dhe me procedurë të shkurtuar;të mundësohet puna e deputetëve “online”;praktika e bllokimit të seancave për shkak të mosmarrëveshjes me shumicën parlamentare duhet të marrë fund;dialogu politik për zgjidhjen e krizave duhet kryesisht të zhvillohet në Kuvend;takimet e liderëve janë format jo-transparent për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike, delegjitimojnë Kuvendin dhe mohojnë rolin e kujdestarit të sovranitetit të çdo qytetari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat