Macron mendon se është gjetur kompromis midis Shkupit dhe Sofjes, deklarohen nga Maqedonia

Maqedonia

Macron mendon se është gjetur kompromis midis Shkupit dhe Sofjes, deklarohen nga Maqedonia

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 17:54
Presidenti francez, Emmanuel Macron - Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se mendon se është gjetur një zgjidhje kompromisi për kornizën e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, e cila do të përfshinte edhe Bullgarinë.

“Mendoj se kemi gjetur një zgjidhje kompromisi”, tha Macron në një konferencë për media - në margjina të samitit të NATO-s në Spanjë - por pa dhënë më shumë detaje.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftuan më vonë se kanë marrë një propozim nga Presidenca franceze “me ide që lidhen me qëndrimet e njohura publike të Maqedonisë së Veriut”.

As ata nuk specifikuan se për çfarë propozimi bëhet fjalë.

“Kjo është një bazë për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ, fillimisht në Qeveri dhe me partnerët e koalicionit, e më pas me presidentin e shtetit, Parlamentin dhe opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend”, tha Qeveria në Shkup.

Sipas saj, vendimi për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut do të merret “ashtu siç është premtuar, bashkërisht, sipas meritave dhe në përputhje me interesat strategjike të vendit dhe të të gjithë qytetarëve të tij”.

Qeveria maqedonase e falënderoi Macronin dhe Presidencën franceze të Bashkimit Evropian, e cila përfundon mesnatën e 30 qershorit, për, siç tha, ruajtjen e besueshmërisë evropiane në Ballkan.

Bullgaria, tash e dy vjet, bllokon nisjen e negociatave të anëtarësimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, për shkak të disa mosmarrëveshjeve me Shkupin rreth gjuhës dhe historisë.

Sofja kërkon nënshkrimin e një protokolli me garancitë nga BE-ja për ta informuar atë gjatë gjithë procesit të integrimit me plotësimin e kritereve nga Shkupi, por edhe për atë se “gjuhën maqedonase” nuk e pranon si të tillë, siç e konteston edhe të kaluarën historike të këtij vendi.

Pos kësaj, pala bullgare insiston që para nisjes së bisedimeve me BE-në, Maqedonia e Veriut ta ndryshojë Kushtetutën për përfshirjen e pakicës bullgare në të, si popull i barabartë me popujt e tjerë.

Më 24 qershor, Parlamenti i Bullgarisë ka votuar për heqjen e kësaj vetoje.

Ky veprim është marrë pas ndryshimit të tekstit të kornizës negociuese, që do t’i garantonte të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut përmes ndryshimeve kushtetuese dhe do ta detyronte Shkupin të mbajë marrëdhënie të mira me Bullgarinë.

"Zgjerimi me konsensus të përgjithshëm, i dëmshëm"

Muhamed Halili, kryetar i Këshillit të Ambasadorëve të Maqedonisë së Veriut, ka vlerësuar se rasti me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë thekson domosdoshmërinë e ndryshimit të formës së vendosjes në BE sa i përket zgjerimit.

“Vetë Bashkimi Evropian është bindur tashmë se një mënyrë e tillë e vendimmarrjes, me konsensus të përgjithshëm, është e dëmshme për vetë BE-në, jo vetëm për çështjet e zgjerimit, por edhe për çështje tjera, miratimin e buxhetit, apo siç kishim rastin me miratimin e sanksioneve kundër Rusisë që zgjati më shumë se një muaj".

"Janë disa çështje, për të cilat BE-ja vështirë arrin pajtueshmëri. Këtë e ka theksuar edhe Josep Borell, përfaqësues i lartë i politikës së jashtme të BE-së. Ai ka thënë se është një domosdoshmëri e kohës dhe urgjente në mënyrë që BE-ja të funksionojë lirshëm dhe pa pengesa në rastin e miratimit të vendimeve”, ka vlerësuar Halili.

Statusin e shtetit kandidat Maqedonia e Veriut e ka marr në vitin 2005 dhe që atëherë nuk ka mundur t'i nisë bisedimet fillimisht për shkak të kontestit me Greqinë për emrin dhe tani për shkak të atij me Bullgarinë për gjuhën dhe identitetin./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat