Shpëtoni shqipen nga "google translate"

Maqedonia

Shpëtoni shqipen nga "google translate"

Më: 9 tetor 2013 Në ora: 12:41

Në vend që të punësohen përkthyes profesionistë, duket se në shumë institucione të vendit përdoret "google translate" për të përkthyer në gjuhën shqipe. Një shembull tipik i këtij përçudnimi është parë në tabelën që identifikon objektin e institucionit të Operës dhe Baletit të Maqedonisë. "Македонска опера и балет" është përkthyer si “Maqedonisht Operës dhe Baletit”. Dukuria është e përhapur gjerësisht, ndërsa njohës të çështjes theksojnë se duhet sqaruar qartë pozicioni i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare dhe duhet punësuar përkthyes profesionistë.

Profesoresha në Katedrën e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqiptare në Fakultetin e Filologjisë ''Bllazhe Koneski'', Ajten Qamili vlerëson se shtrembërimi dhe cungimi i shqipes standarde duhet t’i shqetësojë, jo vetëm albanologët, por edhe intelektualët e tjerë, edhe institucionet e tjera, bile edhe masën e gjerë popullore. Ajo ka theksuar se për shkak të zbatimit të pjesshëm të dygjuhësisë në administratë, Kuvend dhe në disa media në Maqedoni, duke mos u kujdesur për pastërtinë e gjuhës në përkthime, po hetohet një ndërndikim i fuqishëm gjuhësor, bile edhe shtrembërim apo sakatim i gjuhës.

"Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, së pari, duhet të gjejmë se kush përkthen sot në Maqedoni, sa janë të kualifikuar përkthyesit apo përdoruesit e këtyre dy gjuhëve. Sot është lehtë të diplomosh e të punësohesh, por të përfituarit e dijes është ajo që nevojitet.

Ajo thekson se këto gabime dhe gabime të tjera, nuk i bën një folës i mirëfilltë i shqipes. "Këtu, ose bëhet fjalë për një joshqiptar, ose për një shqiptar që mendon se e njeh shqipen, por në fakt është larg asaj. Këto mbishkrime, reklama, dokumente, përmbajtja e artikujve ushqimorë apo ilaçeve, fletëpalosje, qarkore etj, të kalkuara nga maqedonishtja apo anglishtja ose të ndikuara nga e folmja dialektore ngjasojnë si ato në 'google translation'", ka thënë ajo.

Qamili ka thënë se këto shkelje të normave të shqipes standarde hasen edhe në rrafshin leksikor me përdorim të panevojshëm të fjalëve të huaja, pra të barbarizmave, të cilat nga dita në ditë shkojnë duke u shtuar e stërshtuar dhe, ç'është më e keqja, ato ndonjëherë përdoren në vend apo formë të gabuar.

"Po pse sot kur në Maqedoni kemi një mori fakultetesh ku mësohet gjithçka shqip, gjuha shqipe dhe standardi i saj po zvetënohet e zbehet? Sepse përkundër fatmirësisë që zbatohet dhe lejohet të zbatohet shqipja standarde, tani na shfaqet një pengesë tjetër. Dhe ajo është pikërisht epoka e kompjuterizimit, pra një revolucion tejet i rëndësishëm teknologjik, arsimimi i tipit cilësor që mundëson ndërlidhje dhe mundësi të lartë informative në trendët globale, por që në fakt shpërdorohet qasja drejt saj dhe perceptimi nga rinia e sotme, edhe pse niveli i të shkolluarve tani po arrin kulmin", thekson Ajten Qamili.

Ajo thotë se një njollë tjetër që lë gjurmë të thella në prishjen e shqipes dhe po përhapet si kancer është edhe keqinterpretimi i shqipes standarde nga një numër mësuesish apo arsimtarësh të shqipes, të cilët fatkeqësisht vetë nuk e njohin plotësisht, prandaj përcillet keq brez pas brezi dhe nxënia e saj vështirësohet e cungohet nga dita në ditë.

Një tjetër dobësi është mungesa cilësore e mjeteve të informimit e të edukimit, mungesa e kualifikimit të duhur të përkthyesve shqip-maqedonisht dhe anasjelltas, të redaktorëve, gazetarëve, të hartuesve të librave shkollorë, revistave, CD shkollore, ekipet e reklamave, e të ngjashme.

Profesoresha Ajten Qamili thekson se duhet pasur më shumë përkushtim institucional për këto çështje, ndërsa derisa sot ka pasur më shumë fjalë sesa vepra. Ajo mendon se ka parakushte shpresëdhënëse, e në këtë rast duhet të përmendet shkollimi në masë i shqiptarëve, shumica të cilëve e mbarojnë shkollimin fillor dhe të mesëm.

Hapa pozitivë vlerësohen hapja e disa universiteteve në Tetovë dhe degëzimi i tyre nëpër qytete të tjera, themelimi i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni. Qamili thekson nevojën për formimin e një Instituti Albanologjik dhe të një Akademie të Shkencave Shqiptare.

"Duhet të stimulohet ngritja e vazhdueshme e shprehisë për të shkruar dhe lexuar, jo në kuptimin tradicional, por në ndërkomunikim nëpërmjet porosive në telefona celularë dhe internetit, sidomos te gjeneratat më të reja. Të shtohet kujdesi në mjetet e informimit ndaj standardit gjuhësor, emetimi i emisioneve në radio e televizion për kulturën gjuhësore. Të ketë vëmendje për punësimin gjithnjë e më të madh të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe cilësia e tyre, e jo gjithçka të bëhet përmes partive politike apo nepotizmit. Sepse nëse ne vetë e ndërtojmë shtëpinë tonë me dërrasa të kalbura, ajo shtëpi do të rrënohet mbi kokën tonë dhe do të na zërë përfundi", ka thënë Qamili.

Sipas profesoreshës Ajten Qamili, duhet të bëhet ngritja e përgjithshme kulturore dhe vetëdijesimi për nevojën e përdorimit më të kufizuar të ligjërimit dialektor e atij të shkujdesur dhe përdorimin e një standardi gjuhësor të përbashkët për të gjithë shqiptarët.

Ajo ka theksuar se çdo projekt, botim, reklamë, postim, etj, është mirë të bëhet nëpërmjet bashkëpunimit me persona të institucioneve përkatëse, si fakultetet, universitetet, Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve dhe institucionet e tjera ku përdoret gjuha shqipe, duke ndikuar kështu edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë.

Profesori i gjuhës shqipe, Zeqirija Ibrahimi, thekson se problemin e çështjes së përdorimit publik të gjuhës shqipe, gabimet e shumta, duhet të kundrohen si çështje parimore.

"Së pari duhet të pyesim a është shqipja gjuhë zyrtare në Maqedoni. Pastaj, nëse në mënyrë implicite kemi gjeneruar konstatimin se është, atëherë duhet të pyesim se si është: a është zyrtare siç është maqedonishtja apo ka një status tjetër zyrtar", ka theksuar Ibrahimi.

E ndërkohë, ai thotë se të gjithë e dinë se shqipja nuk e ka statusin e gjuhës zyrtare të njëjtë siç është maqedonishtja. Sipas tij, kjo ndodh për shkak të mungesën e Ligjit për Mbrojtjen e Gjuhës Shqipe, sepse shqipja nuk përmendet as në Kushtetutë, as në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

"Kjo ka gjeneruar, pastaj edhe mungesën e një institucioni që kujdeset për mbrojtjen ligjore të shqipes, mungesën e një institucioni për dhënien e licencave për lektorë të gjuhës shqipe, etj. Pra, çështja e një mbishkrimi që nuk është shkruar si duhet, fjala bie në vend Qendër të shkruhet Çendër, nuk është aq e dhimbshme, sepse kjo më shumë se për mosnjohje nga ai që e ka shkruar ashtu flet për statusin juridik të gjuhës shqipe në Maqedoni", ka thënë Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, për fat të keq, kjo gjendje ka mbetur e pazgjidhur edhe pas kaq viteve të skadimit të afatit për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe pas shumë cikleve zgjedhore kur politikanët shqiptarë kanë marrë vota dhe mandate duke premtuar zyrtarizmin e gjuhës shqipe.

Shembuj gabimesh

"Më poshtë po përmendi disa prej gabimeve të shpeshta: Ndal të pish sot = престани да пушиш денеска; Plot është kur ka gjithë = целосно е кога има сé; .... është çdoherë mik i juaj = .... е секогаш ваш пријател; duke iu faleminderuar atij = благодарејќи му се нему; deri tek drejtori (drejtorit = si adresant nëpër dokumente zyrtare), Gjyshi jonë më i mirë, lëngu jonë më i mirë (gjyshi ynë më i mirë, lëngu ynë më i mirë), ne i plotësojmë dëshirat e juaja (ne i plotësojmë dëshirat tuaja), ne ofrojmë gjithçka dëshironi (ne ofrojmë gjithçka që dëshironi), soka frute (lëngje frutash), do të u ndihmoni (do t'u ndihmoni), hasemi në problem (hasim problem)", ka shpjeguar Ajten Qamili.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat