Gëzim Ostreni i fton partitë parlamentare shqiptare në tryezë të përbashkët

Maqedonia

Gëzim Ostreni i fton partitë parlamentare shqiptare në tryezë të përbashkët

Më: 28 korrik 2017 Në ora: 09:05
Kryetari i partisë Uniteti, Gëzim Ostreni

Kryetari i partisë Uniteti, Gëzim Ostreni, i fton partitë parlamentare shqiptare nënshkruese të Deklaratës së përbashkët, në tryezë të përbashkët që do të mbahet sot në ora 14 në Kuvendin e Maqedonisë.

“Në përputhje me Deklaratën e Përbashkët të partive politike shqiptare të miratuar më 7 janar të këtij viti dhe obligimet e ndërsjella për të thirrur takimet e rregullta të Tryezës së partive parlamentare shqiptare në mënyrë që bashkërisht të mbikëqyret rrjedha e zbatimit të Deklaratës, Kryetari i partisë UNITETI, Gëzim Ostreni ka nderin t’i ftojë në takimin e radhës Kryetarët e partive parlamentare shqiptare që do të mbahet ditën e premte, më 28 korrik 2017 me fillim në ora 14:00 në hapësirat e Kuvendit të Maqedonisë në Shkup”, thonë nga Uniteti.

Ndryshe, takimi i fundit u mbajt më 19 korrik të këtij viti me ftesë të liderit të RDK-së, Vesel Memedi, në të cilin takim sikur edhe në takimet e mëparshme, nuk mori pjesë Lëvizja BESA.

Platforma  ose Deklarata Shqiptare është dokument i dalë nga programet zgjedhore të partive politike shqiptare të Maqedonisë, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, me qëllim për të shprehur përkushtimin e tyre për realizimin e të drejtave kombëtare në mandatin e ardhshëm qeveritar nëpërmjet mbështetjes së ndërsjellë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e Maqedonisë.

Pikat kryesore të kësaj Platforme janë:

Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën
Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal
Përforcimi i sundimit të së drejtës, si parakusht për ecurinë e procesit të integrimit euro-atlantik
Krijimi i një fryme mirëbesimi në funksion të marrëdhënieve të mira ndëretnike si element thelbësor për stabilitetin politik të vendit
Zgjidhja e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat europiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare
Marrëdhënie të mira me fqinjët
Integrim i shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Europian. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat