Banorët e Çairit në rrezik nga dëmet e energjisë së pasigurtë elektrike

Maqedonia

Banorët e Çairit në rrezik nga dëmet e energjisë së pasigurtë elektrike

Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 00:07
Ilustrim

Banorët e komunës se Çairit gjegjësisht të lagjes Serovë dhe Dyqanxhik ankohen lidhur rrjetin e energjisë elektrike, ku në të shumtën e rasteve kanë ndërprerje të saj e madje edhe i frikësohen rrezikut nga djegia.

Ata thonë se ndërtimet e shumta kanë ngaruar rrjetin e energjisë elektrike dhe gjithashtu lidhje ilegale kontribuojnë në rritjen e rrezikut për jetë.

“Vetëm shikoni se si janë kabllot e rrymës, do të tmerroheni vetëm t’i shikoni e lëre më të keni shtëpinë të lidhur nga ky përçues, nuk e di se si po mundet ta përballon këtë por çfarë të bëjmë”, tha R.T., banor.

“Shpesh ndodh që na ndalet rryma shkaku i mbingarkesës e madje ka edhe djegie të centrales dhe e gjitha kjo nga mbingarkesa. Është tmerr gjithmonë që dëgjojmë zhurmë dalim shohim mos po digjet diçka”, tha Emine I., banore.

“Këtë dimër kishim plot raste të djegies së shtëpive dhe disa fatkeqësisht ishin me viktima. Lusim EVN-në dhe kryetarin e ri të komunës që të intervenon në zgjidhjen e këtij problemi tani më disa vjeçar të kësaj komune me qëllim që banorët të ndjehen të sigurtë në shtëpitë e tyre”, tha Valon O., banor.

Nga komuna e Çairit deri më sot nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret se si të parandalohet këto dukuri.

“Kjo çështje bëhet në konsultim me inspektorët komunal, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ndërmarrjen publike EVN Maqedoni. Duhet të bëhet inspektim i kapacitetit të rrjetit elektrik aktual që të mund të shohim nëse ka keqpërdorime të energjisë elektrike”, thanë nga Komuna e Çairit duke shtuar se do të shqyrtojnë në të ardhmen mundësinë e parandalimit të këtyre dukurive.

Kurse nga EVN thonë për Portalb se shpesh herë djegia vjen si rezultat i mbingarkesës, ku një pjesë e banorëve kyçen ilegalisht në rrjetin energjetik.

“Apelojmë tek qytetarët të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë rrymën, të na drejtohet dhe të gjejmë formë për të tejkaluar këto probleme, mirëpo nuk është zgjidhje kyçja vetanake dhe ilegale në rrjetin energjetik sepse jo vetëm që rrezikojnë jetën e tyre gjithashtu rrezikojnë edhe banorët e lagjes”, thonë nga EVN, duke shtuar gjithashtu që banorët duhet të kenë kujdes edhe me ngrohjet gjatë natës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat