Çdo vit migrojnë 1000 nxënës! (TABELA)

Maqedonia

Çdo vit migrojnë 1000 nxënës! (TABELA)

Më: 1 korrik 2018 Në ora: 23:40
Ilustrim

Zvogëlimi i numrit të nxënësve në shkollat e Maqedonisë, pa dyshim se është rezultat i rënies së natalitetit. Por krahas këtij faktori, një element tjetër që gjithashtu ndikon në masë të madhe në uljen e numrit të nxënësve është edhe shpërngulja apo largimi i tyre në vendet ndryshme të Europës, shkruan gazeta KOHA. Në dekadën e fundit, numri i nxënësve që braktisin shkollën në nivelin arsimit fillor dhe të mesëm është kthyer në dukuri shqetësuese. Vetëm nga viti shkollor 2014/2015 deri 2016/2017 kanë kërkuar shpërngulje nga shkolla, pra i kanë marrë dokumentet dhe kanë vijuar shkollimin në ndonjë shtet tjetër 3.600 nxënës.

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se gjatë dhjetë viteve të kaluara, prej vitit shkollor 2016/2017 deri vitin shkollor 2007/2008 shollën fillore e kanë braktisur 6.323 nxënës ndërsa shkollën e mesme 2.665 nxënës apo 8988 nxënës gjithsej.

Numri dukshëm më i lartë braktisjeve në arsimi fillor është i kuptueshëm për shkak se në këtë nivel përfshihen më tepër vite shkollimi se sa në nivelin e arsimit të mesëm. Mirëpo, ajo që bie në sy është trendi në rritje i braktisjes së shkollës viteve të fundit. Kështu nëse në vitin shkollor 2006/2007 në arsimin fillor dhe të mesëm u shpërngulën 669, respektivisht 41 nxënës (710 gjithsej) në vitin shkollor 2014/2015 shkollën fillore dhe të mesme e braktisën 1.146, respektivisht 135 nxënës (1.281 gjithsej). Pra kemi dyfish më tepër nxënës që braktisin shkollën, në kohën kur brenda këtij harku kohor shkollat kanë pësuar rënie të përgjithshme të numrit të nxënësve dhe për arsye të tjera. Dinamika e braktisjes së shkollës është ulur në vitet shkollore 2011/2012 dhe 2012/2013 kur braktisja e përgjithshme ishte 661 dhe 702 nxënës. Pra, shtatë vitet më parë nga të gjitha shkollat fillore i patën tërhequr dokumentet 539 nxënës ndërsa nga shkollat e mesme 122 nxënës, ndërsa para gjashtë viteve këtë e patën bërë 589 nxënës të shkollave fillore dhe 113 të shkollave të mesme.

Tre vitet në vijim, numri i nxënësve që braktisin shkollat shënoi rritje të dukshme duke tejkaluar një mijëshin çdo vit . Kështu në 2014/2015, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave deri sa vijonte viti shkollor braktisja e shkollave nga ana e nxënësve shkoi në 1.281 edhe atë 1.146 në shkollat fillore dhe 135 në shkollat e mesme. Vitin tjetër (2015/2016) braktisja shkoi 1.047 nxënës gjithsej (910 në shkollat fillore dhe 137 në shkollat e mesme), kurse në vitin shkollor 2016/2017 braktisja e shkollës 1.272 nxënës, prej të cilëve 1.024 në shkollat fillore dhe 245 në shkollat e mesme.

Numri i atyre që braktisin shkollën apo i tërheqin dokumentet derisa është duke vijuar një vit i caktuar shkollor, në masë të madhe kontribuon në zvogëlimin në përgjithësi të numrit të nxënësve.

Vetëm në arsimin fillor, gjatë periudhës së viteve shkollore nga 2007/2008 deri në 2017/2018 është zvogëluar numri i nxënësve për rreth 30 mijë, apo 29.911 nxënës. Nëse u referohemi të dhënave për braktisjen e shkollën në arsimin fillor, pra numrit prej 6.323 nxënës (prej vitit shkollor 2007/2008 deri 2016/2017) lirisht mund të konstatojmë se mbi 21 për qind e kësaj rënie është si rezultat i nxënësve që e braktisin shkollën, ndërsa pjesa tjetër e rënies së numrit u dedikohet faktorëve tjerë sociokulturor. Të gjithë së bashku bëjnë që shkollat të zbrazen gjithnjë e më shumë dhe nëpër klasa të ketë çdo herë e më pak nxënës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat