Prapaskena e ndarjes së Stines nga këngëtarja, pse nuk lidhën asnjëherë martesë

Mediale Vip

Prapaskena e ndarjes së Stines nga këngëtarja, pse nuk lidhën asnjëherë martesë

Më: 14 janar 2019 Në ora: 18:21
Stine dhe Graciela Pashaj

Kantautori i njohur Ernest Duka (Stine) dha lajmin e ndarjes nga partnerja Graciela Pashaj (me të cilën ka një vajzë), një ditë para ndërrimit të viteve me anë të një postimi prekës në “Instagram”, shoqëruar me foton e saj.

Mesazhi i artistit la të kuptohej se lidhja e tyre nuk eci më dhe ky ishte shkaku i ndarjes në prag të festave. “Edhe pse fundvit, gjej lartësinë shpirtërore për të falënderuar çdo moment të bukur dhe të vështirë të kaluar së bashku! Kam bindjen e plotë se do funksionojmë më mirë pa njëri-tjetrin! E kemi pasur fatin dhe mundësinë me mijëra herë për të kaluar barrierat e jetës, por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç ne i mendojmë! Kështu që nuk mbetet gjë tjetër, veçse të të uroj çdo të mirë të mundshme tani e tutje!”, ka shkruar Stine, me shpresën se do të jenë më mirë të ndarë.

Por cila është prapaskena e bashkëjetesës së Stines me këngëtaren dhe pse nuk e hodhën hapin e martesës? Lidhja e tyre u bë publike para dy vitesh, pikërisht kur ata prisnin fëmijën e tyre. Ai dhe partnerja e tij Graciela po jetonin muajt e pritjes së ëmbël në vilën e tyre të re në periferi të Tiranës.

Nuk ishte rastësi pse kënga “Çifti simpatik” u bë hit në pak kohë, pasi për Stinen u krijua në periudhën kur u afrua më shumë me Gracielën. Në një intervistë që dha pak muaj para ardhjes në jetë të vajzës nga kjo lidhje, pyetjes se si ndihet që po bëhet baba pa celebrim, ai iu përgjigj: “Pse vetëm duhet të martohem, që të bëhem baba?! I bie që të bëhen me plan gjërat pastaj”.

Pyetjes se si nisi lidhja me nënën e fëmijës, ai iu përgjigj: “Është histori e gjatë. Kemi vite që njihemi, por gjithmonë situatat që e bëjnë një lidhje jetëgjatë mes një çifti janë gjithmonë rastësi. Jemi njohur në ‘Top Fest’, ku ajo ka kënduar dhe thjesht u përshëndetëm atëherë. Unë po suportoja një këngëtare, që kishte bërë këngë në studion time e kjo ka qenë njohja. Por kemi pasur relata shoqërie 3 vitet e para pasi ashtu ishin rrethanat, unë vija nga jetë tjetër, ajo nga një jetë tjetër. “Lidhje” është fjalë e madhe për ta quajtur më vonë të tillë, por me kohën, ngadalë, me kalimin e ditëve, javëve, muajve, viteve u afruam…

Po ndërkohë që e quante nënën e fëmijës, lindte pyetja, nëse do të ishte një ditë gruaja e tij, ai iu përgjigj kështu para dy viteve: “Jo, s’e di ende. E di që do jetë nëna e fëmijës sim, por gruaja jo, është fjalë e madhe. Celebrimin është mirë ta kesh në zemër, jo me letra”.

Po ceremonia e dasmës a ishte në planet e tij dhe ja si përgjigjej Stine: “Ka gjëra më të rëndësishme në jetë sesa të mbledhësh 200 vetë dhe t’i tërbosh në dasmën tënde. Atë e bën kur të dojë njeriu. Nuk dua të bëhem tipik çifti formal, që do të martohemi se po vjen në jetë një fëmijë. Do më vinte keq për veten nëse do e bëja këtë. Nëse do e ndiej po, do e bëj një ditë. Por mund ta realizoj kur të bëhet vajza 2 vjeç për shembull. Do ishte dhe më bukur”, tha ai.

E për ironi të fatit në 2-vjetorin e vajzës nuk pati dasmë, por ndarje. Ai tregoi ndër të tjera se kënga “Çifti simpatik” i dedikohej atij dhe partneres. “Ne jemi si shokë. Rrimë gjithë ditën bashkë, nuk mërzitemi bashkë, bëjmë gallata e ndajmë punën bashkë. Është e vështirë në ditët e sotme të gjesh një shok, sidomos tek e dashura”, citohet të jetë shprehur ai rreth marrëdhënies së tyre.

Po kush është Graciela Pashaj, këngëtarja që qëndroi gati një dekadë pranë Stines? Ajo është 7 vjet me e re se Stine dhe është diplomuar pranë Liceut Artistik. Tashmë ajo vazhdon të këndojë në koncerte të ndryshme, ndërkohë që nuk dihet çfarë u bë me albumin e realizuar nga Stine.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat