Lei Kraja flet për divorcin e prindërve: E përjetova shumë keq, por jam e lumtur që janë ndarë

Mediale Vip

Lei Kraja flet për divorcin e prindërve: E përjetova shumë keq, por jam e lumtur që janë ndarë

Më: 1 nëntor 2020 Në ora: 19:35
Lei Kraja

Lei Krajën e kemi parë gjithmonë të qeshur e solare nëpër intervista, por kjo e sotmja ishte paksa më e vështirë se të tjerat. Kjo për shkak se u prek një nga temat më delikate për të, një temë që ajo nuk e kishte diskutuar asnjëherë publikisht, divorci i prindërve.

E ftuar në “N’fermë”, Lei dhe Ervini patën një nga ato bisedat që të prekin vërtet zemrën. Modelja dhe moderatoja foli për mënyrën e vështirë si e kishte përjetuar vendimin e prindërve, që siç rrëfeu ajo, në fakt i ndryshoi gjërat për mirë.

“Periudha më e vështirë ka qenë kur u divorcuan prindërit e mi. Kam qenë shumë e vogël. Kam qenë 14 vjeçe dhe e përjetova shumë keq... Kemi qenë katër fëmijë, mbase sepse kam qenë më e madhja e kam ndjerë shumë. Thjesht nuk kishte paqe në shtëpi. Është normale kur ndahen dy njerëz, mbase... por është edhe mënyra si e menaxhojnë shqiptarët, nuk e kanë menaxhuar mirë në atë moment. Tani jam mirë, por atë vit u mërzita shumë, më dukej si fundi i botës”, -rrëfeu Lei, duke shtuar se qante çdo ditë dhe ishte paksa në depresion, nuk hante mirë dhe ra nga mësimet dukshëm.

E pyetur se me kë qëndroi nga prindërit, ajo tha se në fakt e dërguan në Shqipëri dhe e kaloi atë periudhë në Shkodër.

“Më nisën në Shqipëri, kam qëndruar në Shkodër. Qëndrova një vit aty për ta kaluar, sa të sistemoheshin ata. Mbase kjo është arsyeja pse e kam kaq shumë qejf Shqipërinë... Çdo gjë ndodh për një arsye. Realisht atëherë e përjetova shumë keq, ndërsa tani jam shumë e lumtur që prindërit e mi janë ndarë, sepse asnjë martesë nuk duhet të shtyhet sa për hir të fëmijëve, opinionit, njerëzve, kulturës...”

Lei u shpreh se asokohe mendonte se asgjë s’do ishte më njësoj, por gjërat ndryshuan për mirë. E pyetur për ngrohtësinë që i kanë dhënë prindërit, ajo u përgjigj:

“Ngrohtësi më kanë dhënë në mënyrën e tyre... Dëgjo, kur u ndanë prindërit, mami punonte më shumë dhe u fokusua shumë te puna, te vetja, bëri shumë sakrifica, punonte 7 ditë në javë. Mundohej të ishte sa më e pranishme, por ideja është se mbase na ka munguar ai afrimiteti që na duhej... Ose do punosh, ose do rrish në shtëpi nuk mund t’i bësh të dyja.”

Në fund Ervini e pyeti se çfarë do të bënte Lei me fëmijët në të ardhmen, që nuk e kanë bërë prindërit e saj.

“Nuk dua të flas keq, sepse kanë qenë aty për mua në momentet e vështira, mami edhe babi... Thjesht do flisja më shumë me fëmijët e mi, nuk do t’i paragjykoja. Do të doja të isha më e afërt, të më kuptonin, sepse secili është ndryshe”, -u shpreh ajo.

Lei e mbylli intervistën duke thënë se edhe ajo po të jetë në një martesë që nuk shkon diçka, do ndahet dhe shtoi se ka jetë edhe pas ndarjes!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat