Urim për jetëgjatësi për flautistin, bacin Shaq!

Muzikë

Urim për jetëgjatësi për flautistin, bacin Shaq!

Nga: Saranda Iseni Më: 2 janar 2021 Në ora: 20:38
Shaqir Hoti

Se njeriu është i ngujuar mes hapësirës, kohës dhe dritës, këtë më së miri na tregojnë vitet që po na ikin shpejt, ndërrimotmotet e njëpasnjëshme që i kapërcejmë sa çel e mbyll sytë dhe mungesa e një çelësi magjik për të kthyer kohën e ikur, në mos më keq, atë të harxhuar kot.

Prandaj, duke qenë krenare për pasurinë që kemi si komb, duke mos e lënë në harresë këtë vlerë të çmuar, këtë vit padyshim dua ta filloj me një urim të veçantë për flautistin, njeriun e rrallë, i cili me një pasion dhe një dashuri të flakshme, i qëndroi besnik fyellit dhe okarinës. Ai është krenaria jonë, Baca Shaqir Hoti.

Sa prekës dhe ngacmues ishte momenti kur dëgjoja Bacën Shaq duke interpretuar drejtpërsëdrejti tingujt mahnitës të fyellit, në emisionin “Oxygen” të Besim Dinës, me programin festiv të natës së Vitit të Ri. M’u kthye mendja mbrapa në kohë dhe më rrëqethën mbresat e forta që mora dhe përjetova gjatë vizitës time para ca kohe në konakun e mbretit të tingujve të instrumenteve të vjetra shqiptare, në një nga pikat më të larta të Prishtinës përrallore. Çdo cep i asaj ode pune ishte art në vete dhe pasuri e paçmueshme. Një odë, një shpirt, një jetë me tinguj! Thjesht, të kapin mornicat, sesi ai ka gjetur këtë zanat që e ka bërë pasion dhe mision fisnik jetësor dhe i është përkushtuar me gjithë prirjen dhe talentin e tij. Aty është bota e tij, plot ngjyra, ngrohtësi dhe mikpritje. Kënaqësi e madhe të qëndrosh aty brenda dhe të shikosh e prekësh gjithë ato vegla të punuara me dorë, me disiplinë e dobishmëri. Kjo pasuri kombëtare duhet ruajtur me fanatizëm dhe të shndërrohet në një muze.

Gëzuar Vitin e Ri 2021, baca Shaq. Paç jetë të gjatë!

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat