Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmjen e sotme në hapjen e festivalit Chopin Piano Fest Prishtina, me rastin e shënimit të edicionit të 15-të të këtij festivali, që u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë.
Në fjalimin e tij, kryeministri në detyrë theksoi rëndësinë e këtij festivali si një ngjarje kulturore të nivelit të lartë për Kosovën. Ai e vlerësoi Chopin Fest si një festë të pianos, bashkimit shoqëror, edukimit artistik dhe diplomacisë kulturore.
"Chopin Fest në Kosovë është tashmë një traditë e konsoliduar. Ajo pasqyron hapjen tonë ndaj botës, pasionin për muzikën dhe përkushtimin për cilësi. Ky festival mbledh artistë nga vende të ndryshme të botës dhe është dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit ndërkombëtar," tha ai.
Kurti shtoi se Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, vazhdon të mbështesë sektorin kulturor dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e festivaleve që janë pasuri kombëtare.
Ai përfundoi duke falënderuar artistët, mbështetësit dhe organizatorët, duke theksuar se ata kontribuojnë jo vetëm në muzikë të bukur, por edhe në krijimin e një shoqërie më harmonike.