Titulli ‘Mjeshtër i Madh’ për dirigjentin Blerim Narazani

Muzikë

Titulli ‘Mjeshtër i Madh’ për dirigjentin Blerim Narazani

Më: 21 janar 2021 Në ora: 17:12
Ilir Meta dhe Blerim Narazani

Presidenti Ilir Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” dirigjentin e njohur elbasanas, Blerim Narazani.

Dirigjenti Narazani u dekorua me motivacionin “Me mirënjohjeje për veprën dhe vlerat e spikatura si dirigjent, pedagog i përkushtuar e drejtues artistik i projekteve muzikore dhe shumë festivale të vlerësuara kombëtare e ndërkombëtare. Në vlerësim të kontributeve artistike në identifikimin, promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke përhapur dhe lartësuar traditën muzikore dhe kulturore të qytetit të Elbasanit në veçanti dhe atë kombëtare në përgjithësi”.

Duke iu drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të artit, të pranishëm në ceremoninë solemne të vlerësimit, Presidenti Meta tha se “arti, në kuptimin e gjerë, është një formë komunikimi, ku artisti shpreh ndjenjat, mendimet apo vëzhgimet e tij, duke u dhënë kënaqësi ndjekësve.Këtë gjë ka bërë dirigjenti Narazani për gati gjysëm shekulli, me pasionin e përkushtim: Ka komunikuar përmes muzikës dhe iu ka dhënë kënaqësi të gjithë atyre, që e kanë ndjekur”.

“I lindur në një familje qytetare elbasanase, me tradita të njohura arsimore e kulturore, z. Narazani studioi muzikë, që në fëmijëri, për të mos iu ndarë gjithë jetën artit. Debutimi i tij në skenë filloi qysh në vitet e studimit në Universitetin e Arteve, për të vazhduar më tej si dirigjent i Orkestrës Filarmonike të qytetit dhe si pedagog i Universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’. Qytetar i Elbasanit të traditave më të shquara arsimore e kulturore, dirigjent e profesionist, që iu përkushtua tërësisht mbajtjes në këmbë dhe promovimit të formacionit orkestror të qytetit, Narazani gjallëroi jo vetëm mjediset e qytetit të tij, por edhe atë mbarë shqiptar”, – nënvizoi Meta.

Sipas tij, në vitet e gjata të karrierës si artist profesionist, Narazani iu përkushtua identifikimit, promovimit dhe ruajtjes së vlerave të artit dhe kulturës, në përgjithësi dhe atyre të qytetit e të qarkut të Elbasanit, në veçanti.

“Dimensioni i tij artistik shfaqet në hartimin dhe realizimin e disa projekteve të rëndësishme artistike lokale dhe kombëtare, për të nderuar personalitete të muzikës popullore qytetare elbasanase. Ashtu siç ka edhe meritën e veçantë në promovimin e vlerave kulturore, jo vetëm të qytetit, por edhe të vendit tonë, në festivale dhe aktivitete të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, të Folklorit, Bandave Muzikore dhe të Muzikës së Dhomës”, – tha Meta.

Njëkohësisht, shtoi Meta, dirigjenti Narazani ka qenë gjatë gjithë kohës përkrahës i talenteve të reja, duke i edukuar dhe ndihmuar ata në rrugën e artit muzikor dhe të skenave të mëdha dhe duke i nxitur që të sjellin standarde të reja cilësore në skenë.

“Në të gjithë punën dhe aktivitetin e tij si dirigjent, drejtues dhe pedagog ka shpalosur kulturë, profesionalizëm, realizëm në vlerësime, dinjitet dhe integritet të lartë. Për të gjithë kontributin e jashtëzakonshëm për artin, për veprën dhe vlerat e spikatura si dirigjent, pedagog i përkushtuar e drejtues artistik i projekteve muzikore dhe shumë festivale të vlerësuara kombëtare e ndërkombëtare, si dhe për promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, kam kënaqësinë e veçantë të vlerësoj në praninë tuaj Blerim Narazani me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ dhe t’i uroj suksese të mëtejshme”, – tha Meta. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat