Apel deputetëve të Lëvizjes Besa në parlamentin e Maqedonisë Veriore - Bota Sot
Apel deputetëve të Lëvizjes Besa në parlamentin e Maqedonisë Veriore

Opinione

Apel deputetëve të Lëvizjes Besa në parlamentin e Maqedonisë Veriore

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 10 janar 2019 Në ora: 23:17
Abdulla Mehmeti

Duke marrë parasysh se kërkesat krysore për barazi të plotë të popullit shqiptar në Maqedoni, statusin juridik-kushtetues të shqiptarëve si popull shtetformues dhe statusin e gjuhës shqipe zyrtare, për të cilat nuk ka gatishmëri dhe sens pushteti aktual në Maqedoninë Veriore që të përmbushen përmes ndryshimeve kushtetuese aktuale;

Duke pasur parasysh ndryshimet e reja globale në planin gjeopolitik dhe gjeostrategjik në nivel të rajonit dhe më gjerë, si dhe nevojën urgjente për anëtarësimin e Maqedonisë Veriore në NATO dhe BE, për ta shkëputur këtë shtet dhe rajonin e Ilirikut (Ballkanin Perëndimor) nga sfera e infuencës ruse, dhe jo vetëm;

Duke qenë të vetëdijshëm se problemet e pazgjidhura të popullit shqiptar në Maqedoni, të trashëguara nga e kaluara nën pushtetet jodemokratike, me fajin edhe të shqiptarëve në këto pushtete, ato nuk mund të zgjidhen me një goditje dhe vetëm nga një parti politike opozitare, e pafuqishme në këto momente për shkak të rrethanave në vend dhe më gjerë;

Duke e çmuar konsekuencën dhe përkushtimin e tyre deri në sakrificë për t’i mbrojtur këto pak vlera dhe dinjitet që u ka mbetur shqiptarëve në Maqedoni, deputetëve të Lëvizjes Besa u drejtohemi me këtë:

A P E L

Pas bisedimeve finale dhe arritjes së një marrëveshje të pranueshme me Qeverinë për çështjen e diskutueshme të shtetësisë, të VOTONI për këto ndryshime kushtetuese, edhe për shkaqe të cilat tani nuk mund të bëhen publike, me rezultatet që keni mundur t’i arrini me këto ndryshime, bashkë me partinë tjetër opozitare të shqiptarëve, Aleancën për Shqiptarët, sepse me këtë nuk do të shuhet E DREJTA E JONË për ta vazhduar edhe më tej betejën për barazi të plotë të popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore.

Në seancën e nesërme, të dilni si ngadhnjyes në foltoren e Parlamentit dhe përmes një Deklarate politike t’i arsyetoni qëndrimet tuaja dhe arsyen e votimit „për” të këtyre ndryshimeve kushtetuese, para opinionit vendës dhe atij ndërkombëtar. 

Ju e keni bërë tuajën, duke dhënë maksimumin e mundshëm, u mbetetet qytetarëve shqiptarë, intelektualëve dhe botës akademike, pushtetit dhe faktorit ndërkombëtar, ta vlerësojnë këtë dhe të reflektojnë në të ardhmen, sepse këtu as nuk fillon dhe as nuk mbaron beteja e madhe e popullit shqiptar në Maqedoni, për liri dhe barazi të plotë qytetare dhe kombëtare, të mohuara dhe nëpërkëmbura për dekada me radhë nga regjimet e mëparshme shoviniste dhe nga mercenarë shqiptarë në ato pushtete, të cilët fatkeqësisht edhe sot janë në numër të madh, edhe në Parlamentin ku ju ditën e nesërme duhet t’u jepni LEKSION HISTORIK PËR DEMOKRACI!

Pas gjithë kësaj, duhet të mblidhni fiqitë, bashkë me ne dhe forca të tjera përparimtare e liridashëse, për t’ua treguar vendin se ku e ka secili, për t’ia ndalur hovin shovinizmit të egër me frymë mesjetare që i ka përfshirë institucionet e këtij shteti, disa subjekteve politike dhe jopolitike, institucioneve shkencore, medieve dhe një numri të qytetarëve në vend, të cilët ende e shohin Maqedoninë përmes optikës serbe dhe ruse.

Fitorja do të jetë në anën tonë, për të ardhmen më të mirë të gjithë qytetarëve dhe orientimin evropian të Maqedonisë Veriore.

(10 janar 2019)

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...