Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë Veriore dhe etja për pushtet e partive shqiptare   - Bota Sot
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë Veriore dhe etja për pushtet e partive shqiptare  

Opinione

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë Veriore dhe etja për pushtet e partive shqiptare  

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 22 janar 2019 Në ora: 15:11
Abdulla Mehmeti

E kam thënë disa herë përmes analizave të mia, sidomos gjatë dy viteve të fundit, se në Maqedoni duhet të mbahen sa më parë zgjedhje të reja parlamantare të parakohshme, por jo pa ndyrshimin e Kodit zgjedhor, modelit të zgjedhjeve dhe të korpusit të ligjeve që i rregullojnë këto çështje, pa plotësimin e këtre kushteve të domosdoshme për zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike.

Pas aktualizimit të kësaj çështje ditëve të fundit dhe deklaratave të drejtuesve të disa partive parlamentare të shqiptarëve, vërehet qartë mungesa e vizionit të tyre, veprimet politike symbyllur dhe ambiciet e hapura vetëm për pjesëmarrje në pushtet, jo edhe për ndryshimin e gjendjes së rëndë në vend, me degradimin e proceseve demokratike dhe përdhosjen e skajshme të vlerave morale në shoqëri, avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor, strategjinë dhe planet ekonomike afatshkurtë dhe afatgjatë për zhvillim dhe sigurimin e jetës më të mirë për qytetarët e vendit.

Në këto kushte dhe me këto ligje të vjetra, jodemokratikë, johumanë dhe diskriminues, me të cilët nuk mund të mbahen zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike në Maqedoni, drejtuesit e partive shqiptare vetëm sa mund ta ndihmojnë strategjinë afatgjatë të qarqeve shoviniste brenda dhe jashtë Maqedonisë për dëmtimin e mëtejmë të interesave të popullit shqiptar në këtë shtet dhe më gjerë.

Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme me Lista të zgjedhësve të stërfryra me votues fiktivë (të paqenë, të rrejshëm) dhe të papastruara, me gjendjen e krijuar në shtet me shtetësitë fiktive dhe dhënien e dokumenteve personale të dhëna mbi këtë bazë nga pushteti i mëparshëm diktatorial i OBRM-PDUKM, në bashkëqeverisje me disa nga partitë shqiptare, me çka është rritur në mënyrë artificiale numri i qytetarëve (banorëve, votuesve) për mbi 500 mijë persona të paqenë realisht banorë të këtij shteti, mund të shkojë vetëm në favor të idesë që e ka bërë publike këto ditë edhe funksionarja e lartë e partisë opozitare maqedonase OBRM-PDUKM dhe profesoreshë e Universitetit të Shkupit, Tanja Karakamisheva, dhe jo vetëm ajo, për dhënien e mbi 2 milionë e 400 mijë shtetësive të Republikës së Maqedonisë, ndërkohë që gjendja reale në vend është krejtësisht tjetër në lidhje me numrin e përgjithshëm të banorëve, me këtë edhe me numrin e përgjithshëm të votuesve real në Maqedoni.

Maqedonia Veriore kështu siç është, shtet shumetnik dhe me popullsi të përzier, duhet patjetër të sjell dhe zbatojë model tjetër zgjedhor, me NJË NJËSI ZGJEDHORE, jo me 6-të njësi zgjedhore sa i ka aktualisht, të pabalansuara për nga numri i votuesve dhe në dëm të qytetarëve shqiptarë, si dhe sistem të votimit me LISTA TË HAPURA, për sigurimin e të drejtës demokratike të votuesve për seleksionimin dhe zgjedhjen e kandidatëve më të mirë, për rritjen e cilësisë, profesionalizmit dhe besueshmërisë së përfaqësuesve në pushtetin ligjdhënës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...