Megjithaë, vazhdon

Opinione

Megjithaë, vazhdon

Nga: Alban Krasniqi Më: 29 janar 2019 Në ora: 21:11
Alban Krasniqi

Jemi në javën e tretë të grevës së mësuesve. Qeveria nuk bëza, mësuesit, me heshtjen në gojë e pezmin në kokë, vazhdojnë qëllimin e tyre – njohjen e dinjitetit; nxënësit në letargji. Siç po shihet, kjo nyjë gordiane do të fillojë të zgjidhet brenda kësaj jave, ku pritet të votohet projektligji për paga. Ky projektligj do u serviret deputetëve, që t’i japin udhë, t’i japin shpirt, ta votojnë atë.

Projektligji në vete përmban diskriminim ndaj njërës prej kategorive më të respektuara të shoqërsisë sonë - arsimit. Rangimi i mësuesit apo thënë më saktë degdisja e tij në fund të kategorizimit të koeficientëve, është e pafalshme dhe e turpshme. Qeveria nuk denjoi t’ua rritë koeficientin. Në fund të fundit çka mund të pritet tjetër prej një kryeministri, që mësimdhënësit i quante shahistë, që orët mësimore ua konvertonte në lojë shahu a lojë me letra?

Çka mund të pritet tjetër prej një kryeministri, që një profesori të nderuar i drejtohet në emër të përveçëm e jo në titull shkence a nderi? Asgjë, ama bash asgjë. Mosrritjen e koeficientit e arsyeton me mungesë të mundësive buxhetore. “Arsyeja ka ekzistuar gjithmonë, por jo gjithherë në formë të arsyeshme”, pati thënë një filozof. Kryeneçësia e kryeministrit, për mosrritje të koeficientit, është një veprim përçmues i tij, është një vështrim përbuzës dhe i urryer ndaj mësuesit, madje më përbuzës dhe më i urryer se shikimi i Neronit ndaj Senekës a i Dionizit ndaj Platonit. E mësuesi, i prekur në sedër, por krenar në vetvete, po e kërkon njeriun, si Diogjeni dikur, që ai t’ia kuptojë brengën për dinjitetin e paçmuar. Ai po e kthen kokën kah Qeveria a Kuvendi, ashtu si një luledielli që kthen kokën kah dielli, e po vazhdon në pritje që dikush tjetër të vendosë për dinjitetin e tij. A nuk ju duket si mister dhe si paradoks?

Nuk ka katarsis, nuk ka “mea culpa” që mund ta shfajësojë këtë nënçmim, që i bëhet mësuesit. Do të doja, shumë do të doja që fëmijët e mi të mësohen nga mësues, që edhe shteti ua njeh dhe ua mbron dinjitetin, pavarësisht humbjes së orëve mësimore. Momentalisht, shpresa ka mbetur te deputetët, që mos ta votojnë këtë projektligj. Ata duhet të bëhen të drejtë dhe të mirë e ta ndalojnë të keqen. “Që e keqja të triumfojë, e vetmja gjë që nevojitet është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”. Votimi i tij nuk i bën nder dinjitetit, kulturës dhe arsimit tonë. Votimin eventual të tij, Qeveria mos ta konsiderojë fitore të pushtetit dhe humbje të mësuesit, se ”në jetë ka fitore të turpshme dhe humbje të ndershme”. Në u votua, deputetët do të marrin një falënderim nga kryeministri me oborrtarët e vet, kurse mësuesit do të brohorasin në kulm të zhgënjimit: lavdi marrisë!  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat