Kush është “dezhurni” në qiell? - Bota Sot
Kush është “dezhurni” në qiell?

Opinione

Kush është “dezhurni” në qiell?

Nga: Fadil Lepaja Më: 20 mars 2019 Në ora: 09:41
Fadil Lepaja

E dini përse, të shumtën e rasteve nuk dëgjohen lutjet e juaja, të cilat i drejtoni në qiell? Varet kush qëllon kujdestar atje lartë. Zoti i juaj apo i tyre?! Kjo natyrisht është veç një barsoletë, nga koha kur ende mund të bëhej shaka me qiellin.

Ju mund të luteni për shi, dhe mbi kokën tuaj të bien bomba! Pra kujdes, nuk ka më shaka, me qiellin. Gjithçka është bërë tmerrësisht serioze. Besimtarët e kanë humbur besimin në fuqinë e krijuesit. Ata janë shndërruar në ushtarë për me e mbrojt atë.

Ka edhe dilema të tjera. Disa mendojnë se zoti i tyre e ka krijuar universin, ndërkohë që të tjerët kanë bërë qejf...! Kështu i bie që shumë mjeshtër kanë punuar njëkohësisht për me krijue universin. Tash është hapur lufta për të sunduar.

Le krejt, nuk po e tjerrim më hollë! Zoti, është një, pajtohen pothuajse të gjithë. Ajo për çka nuk pajtohen është, se i kujt është ai: i yni apo i atyre? Kush duhet të flasë dhe të sundoj në tokë, në emër të tij? Të tjerët, ose duhet të nënshtrohen, ose të mos shkojnë në xhami, diskotekë, apo ... kërkund vëlla. Nëse nuk je me ata, mos shko askund pa e menduar çdo lëvizjen tënde si veprim luftarak.

Pra, në emër të zotit, të tij, një fanatik godet me automatik, besimtarët që i luten në xhami, zotit të tyre, sepse “këta” më herët kishin goditur qytetarët duke ngrënë pica, apo në diskotekë në një vend tjetër të botës, derisa po kënaqeshin. Por, po kënaqeshin në mënyrën e gabuar?

Duket e komplikuar kjo logjikë? Jo vetëm se duket. Është!

Ditë më parë, Zelanda e largët i mbushi faqet e gazetave globale. Portalet, televizionet janë mbushë me habi, hidhërim, dhe gjykim. Kjo po cilësohet si hakmarrje e tmerrshme, për aktet e ngjashme ndaj civilëve në perëndim. Civilizimet po përplasen jo vetëm në tokë, por edhe në qiell, dhe për qiellin. Kush e sundon qiellin, e sundon edhe tokën, pretendojnë ata dhe vishen në uniforma maskuese.

Por, ka krime edhe më të tmerrshme se këto. Krimi më i madh se ai me armë, është ai që bëhet prej intelektualëve apo politikanëve të cilët një krim e arsyetojnë me krimin e tjetrit, një vepër të keqe e bëjnë të mirë, sepse pala tjetër paska bërë njëjtë ose edhe më keq!

Padyshim vrasja e besimtarëve në Zelandën e Re, është tronditëse, krim i tmerrshëm, është hakmarrje individuale, mbi njerëzit e pafajshëm, për krimet që dikush tjetër i ka bërë në emër të tyre. Fanatik anembanë botës, në emër të Allahut godasin caqe. Pasojat e një lufte arkaike të humbur në front, po barten në kulturë, në lagjet, në shtëpitë e njerëzve të zakonshëm, në jetën e tyre të përditshme, në kokat e tyre, dhe për pasojë sjellin reaksionin, kundërveprimin, ku e keqja luftohet edhe me më të keqe.

Ideologët, klerikët të shndërruar në lider politik e ushtarak, me mendësi mesjetare, menduan se e kanë gjetur armën për me shkatërruar demokracinë dhe perëndimin përmes njerëzve të thjesht, anonim, të cilët në një moment shndërrohen në luftëtar, dhe të cilët në mënyra krejtësisht të paparashikueshme godasin mbi qytetarët e zakonshëm, nëpër shëtitore, rrugë, kafene, diskoteka, kudo. Kështu, brenda natës, njerëzit e thjeshtë duke ndërmarrë akte lufte, shndërrohen në ushtarë, e zakonisht edhe në martirë të fesë, duke vrarë apo masakruar fqinjët apo bashkëqytetarët e tyre në vendin mikpritës.

Por, numri i madh i viktimave, pasiguria që sjell te njerëzit e zakonshëm në perëndim, dhe sidomos pafuqia e shteteve për me u përballë me qytetarët e thjeshtë të shndërruar në luftëtar, ishte çështje kohe kur do të sillte reaksionin e pritshëm dhe lindjen e (vet)iniciativës luftarake nga pala tjetër. Kur shteti nuk arrin të e mbrojë, njeriu i thjeshtë, fillon me e mbrojt veten dhe shtetin. E kur sulmohet “zoti” i tij, bëhet ushtarë të tij.

Përderisa shteti dhe zoti, nuk arrijnë me i dalë zot vetes, njeriu i thjesht e merr situatën në dorë dhe kështu lufta bartet në lagjet tona, duke krijuar situatën kur të dalësh për me e ngrënë një hamburger duhet menduar kujdesshëm si veprim luftarak.

Frika dhe urrejtja për çdo besimtar, i cili përmes idesë së goditjes kudo dhe ndaj kujtdo që nuk është musliman, e cila u praktikua pas rënies së shtetit islamik, ishte çështje kohe kur do të ndërtonte modelin perëndimor të goditjes mbi caqet "islamike" kudo që ndodhen dhe kjo të legjitimohet si mbrojtje. Si të mbrohemi nga “mbrojtësit” tonë, të cilët në mendjet e tyre përjashtuese, na rreshtuan në taborre lufte, pa na pyetur? Me çfarë të drejte na bëjnë caqe ?

Krimi, padyshim, nuk luftohet me krim! Krimi dhe hakmarrja krijojnë zinxhirin e dhunës ndaj civilëve. Prandaj bashkësitë fetare, si formë e organizimit të besimtarëve, por edhe klerikët, intelektualët, politikanët, pro jetës, kudo dhe menjëherë duhet të ndërtojnë lëvizjen kundër terror e cila e mbron jetën dhe qytetarin nga fanatikët. Mbrojtja e jetës , është vlera më e lartë e cila duhet të na bashkojë të gjithë, përpara se çmenduria të përfshij planetin tonë të vetmuar në univers.

Shteti nuk mundet, suksesshëm me e mbrojt qytetarin prej këtyre krimeve, që burojnë nga iniciativat individuale, të individëve të zakonshëm të cilët në një moment ndiejnë thirrjen për hakmarrje, apo për të quar në vend fjalën e "zotit" të tij.

Vetëm komuniteti mundet me e luftua këtë çmenduri në radhët e veta, pa e shndërrua në hakmarrje të ligjshme për palën tjetër. Nuk ka asgjë, asnjë mision, që vlen më shumë se mbrojtja e jetës dhe komunitetit. Goditja e caqeve civile e cila është e ndaluar në luftë, dhe nuk guxon të legjitimohet në paqe! Kjo luftë nuk fitohet në front. Kjo luftë fitohet me zemër dhe humanizëm.

Në tokë duhet të sundojë vullneti i qytetarëve, e në qiell ... ku e dimë ne kush e sundon universin. Ne e dimë vetë se çfarë emri i kemi vënë krijuesit, asgjë më tepër!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...