Skepticizmi i shqiptarëve në politikanët dhe partitë e tyre - Bota Sot
Skepticizmi i shqiptarëve në politikanët dhe partitë e tyre

Opinione

Skepticizmi i shqiptarëve në politikanët dhe partitë e tyre

Nga: Sherif Ramabaja Më: 21 mars 2019 Në ora: 10:24
Sherif Ramabaja

Me përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe çlirimin e shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008, akoma s´po mundemi të konsolidohemi si shtete të mirëfillta. Udhëheqësit e partive politike, elektoratit të tyre u kishin premtuar punë, mirëqenje sociale, zhvillim, përparim të shpejtë si dhe përkujdesje për problemet e qytetarëve. Në realitet, pas ardhjes së tyre në pushtet kishin menduar vetëm se si të pasuroheshin duke e plaçkitur pasurinë shtetërore. Kishin instaluar korrupcionin, krimin e organizuar, i kishin fryrë zjarrit të polarizimit dhe përçarjes në popull. Për dështimet e tyre kishin fajësuar gjithnjë të tjerët. Për fat të keq, asnjëra nga partitë kryesore si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nuk kishin arritur të demokratizoheshin dhe të jenë në shërbim të qytetarëve dhe çështjes kombëtare, po prioritet kishin interesin personal dhe familjarizmin. Populli dhe qytetarët kishin pritur më kot që gjërat të ndryshonin.

Vitet kalonin, qeveritë ndrërroheshin kurse ndryshimi nuk vërehej askund. Vuajtjet, mjerimi, ikjet nga vendi, vetëm vinin dhe shtoheshin me të madhe. Familiarizmi në punësim dhe në çdo veprimtari të jetës kishte arritur dimensione marramendëse. Shtresat që s´kishin dikend që t´i përkrahte dhe t´i ndihmonte mbeteshin në mjerim, pa marr parasysh se kush ishin dhe çka kishin bërë për atdhe. Su mbetej tjetër përpos të marrin biletë pa kthim.

 Prandaj, besimi tash për tash për të dalur në zgjedhje, për tia dhënë votën ndonjë partie apo individi është baras me zero. Për qytetarët kujtohet dikush vetëm kur vjen koha e zgjedhjeve, ankohen qytetarët e rëndomtë. Në prak të zgjedhjeve, politikanët e kategorive të ndyshëm premtojnë gjithçka. Vendit i premtojnë zhvillim dhe nuk mungon krahasimi me Zvicrën dhe shtetet perendimore. Në realitet rinia po shpërngulet, cilësia e shkollimit në vend se të ngritet po bie. Anarkia po bënë kërdi në çdo lëmi të jetës.

 Kur durimit po i vie fundi, populli dhe rinia po ngriten në protesta. Ata kërkojnë ndryshime dhe ndërprerjen e udhëheqjes kriminale. Forcat politike në vend se të demokratizohen, paknaqësitë dhe protestat i shfrytëzojnë për interesa të veta, duke bërë përpjekje për ta rrëmbyer pushtetin. Qëllimi i vetëm i tyre është të vazhdojnë të plaçkisin aty ku kanë mbetur qeveritarët. Shkalla e mosbesimit është shumë e madhe, më si besohet askujt, sepse edhe opozita kur ishte në pushtet njësoj vepronte.

Shpresa e vetme mbetet te të rinjtë dhe të pakromituerit, po si të vijnë ata në vendet udhëheqëse?

E vetmja mundësi ndoshta mbetet që të angazhohen që t´i demokratizojnë partitë, për të pasur mundësi për të konkurruar në vende udhëheqëse. Nuk do ta kenë lehtë as në këtë drejtim sepse udhëheqësit e inkriminuar nuk i lëshojnë aq lehtë pozitat e tyre.

Përpjekja që e bija e veprimtari dhe patriotit Jusuf Gërvallës, Donika Gërvalla të vinte në kreun udhëheqës të LDK dështoi sepse strukturat e kësaj partie nuk lejonin ndryshime. Kështu ndodh edhe me partitë si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Pra udhëheqemi nga strukturat e inkriminuara dhe krimit. Është tragjedi për një shoqëri kur prej të korruptuarëve kërkohet ta luftojnë korrupsioni. Të kërkohet prej atyre që drejtojnë krimin e organizuar ta luftojnë kriminalitetin.

 Në të njejtën mënyrë kishim pësuar, pas Luftës së Dytë Botërore. Në krye të institucioneve kishim revolucionarët bashibozuk. Skishte rëndësi çfarë njohurie dhe përgaditje shkollore kishin, kryesore ishin revulocionarë. Tash pas çlirimit të Kosovës po na udhëheqin sërish revulocionarët.

 Ndryshimi të vij nga forcat demokratike brenda partive

 Në perendim çdo parti politike lufton për programin e vetë dhe për imazhin te votuesit e tij. Pa një imazh të pastërt ato do të denohen dhe nuk kanë gjasa të vijnë në pushtet apo të jenë një opozitë kontruktive. Partitë politike kudo si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, së pari të kujdesen që ta fitojnë besimin e zgjedhësve, po kjo nuk mjafton nëse nuk kujdesen që të demokratizohen, ta ruajnë prestigjin dhe seriozitetin. Duke e demokratizuar partinë dhe vetëveten do të jenë në gjendje ta përparojnë vendin, ta fitojnë besimin e zgjedhësve, të popullit dhe do ta shpiejnë vendin përpara. Të mendosh se si t´i vjedhësh votat, që të arrish në pushtet është njësoj kriminalitet që në afat të gjatë të hakmerret sepse e humb besimin që ndoshta se fiton më. Aferat financiare partiake, mashtrimet, manipulimet dhe parregullsitë ia humbin autoritetin një partie dhe udhëheqësve të saj dhe me vite nuk arrijnë që të ngriten. Trasimi i një baze të shëndosh të një partie mund të vonoj, po të sjell sukses.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...