Festa kombëtare e 1 prillit dhe “Efekti Pinokio”

Opinione

Festa kombëtare e 1 prillit dhe “Efekti Pinokio”

Nga: Fadil Lepaja Më: 3 prill 2019 Në ora: 08:34
Fadil Lepaja

Përfundimisht, bazuar në popullaritetin dhe karakterin e politikës tonë, 1 prilli duhet trajtuar si festë kombëtare. Pasi, te ne, asgjë që nuk është ndërkombëtare, nuk mund të jetë as kombëtare, edhe 1 prilli duhet me u trajtua si i tillë, në kuadër të rezolutës, po e dini se cilës. Kështu, do t’e festojmë liberalizimin, çdo vit. Do të festojmë përplot entuziazëm të gjitha (mos)sukseset tona. Ani çka, hunda do të skuqet, do të fryhet pakëz, por kujt i plasë?

Fëmijët do të gëzohen, se nuk do të shkojnë në shkollë, ndërkohë që edhe institucionet do të pushojnë. Duke qenë se, pak a shumë, të gjithë punojmë në institucione apo nëpër shtëpitë tona publike, të gjithë qytetarët do të pushojnë me 1 prill, dhe do të lënë bakshishe nëpër lokale me muzikë të gjallë, nëpër lagjet tona rajonale, të vetmet ku nuk duhet vizë.

Nuk është shaka. Është e vërtetuar shkencërisht, tashmë! Janë bërë të gjitha matjet, dhe gjithnjë është fituar rezultati i njëjtë. Kur një politikan rren, i rritet hunda, thotë shkenca. U rritet hunda sa herë flasin, qoftë në fushatë elektorale, apo pas fushatës, e të mos flasim për vetë fushatën. Edhe në parlament, njëjtë!

Por politikanëve tonë, nuk po u rritet, hunda. Nuk rrejnë politikanët tonë? Apo nuk kanë ndërgjegje? Nuk trazohet kurrë, as nuk e pompon me vrull gjakun kapilarëve të hundës, zemra e tyre heroike ?

Askush nuk e di. Thjesht, nuk po u rritet hunda, dhe kaq! Kjo rezulton të jetë konstante, nga të gjitha matjet dhe analizat. Kjo po i huton të gjithë, qoftë komunitetin e shkencëtarëve, e sidomos atë diplomatik, të cilët besojnë në zot, edhe në shkencë, dhe kurrqysh nuk po e kuptojnë përse eksperimenti që ka dhënë rezultate të njëjta kudo në botë, këtu po dështon.

Kanë mijëra fakte, por kur komuniteti i shkencëtarëve lokal e ndërkombëtar, i cili bënë hulumtimet përmes projekteve të shtrenjta me donatorë ndërkombëtarë, e pranojnë se rezultati mbetet i njëjtë. Hunda e politikanëve tonë nuk rritet!

Për shembull presidenti, kosovar, Flet, flet dhe vetëm flet. Është shembull tipik, se eksperimentet globale, nuk kalojnë këtu. Të gjithë e dinë se është pehlivan me fjalët. Kjo shprehje, natyrisht se nënkupton diçka festive. Sidomos është pehlivan kur e interpreton vetveten, pra kur shpjegon se çfarë ka dashur të thotë. Nëse jo drejtpërdrejtë, flet për të agjitpropi, i cili te ne quhet ndryshe edhe media e pavarur nga asgjë, përpos nga reklamat.

Ata që bëjnë agjitacion, dihet, nuk kanë problem me ndërgjegjen. Atyre as hunda nuk u skuqet, as nuk u rritet. Ata e besojnë rrenën e vet, dhe përfitojnë shumë nga ajo.

As kur flet për opozitën nuk i rritet hunda, as kur flet për demokracinë. As kur flet për bisedimet me Serbinë. Ka dështuar shkenca, te presidenti. As kur flet për korrupsionin, atij si kryesues i luftës kundër korrupsionit, nuk i rritet hunda. As për kufirin me Malin e Zi, as për Luginën. Hiç, bre!

As kryeministrit i rritet hunda, as kur flet për ...hiç bre, nuk i rritet hunda, asnjëherë kur flet. Ai ka luftue, përse me u skuqë dhe rritë, hunda e tij? As zëvendës kryeministërve, as ministrave. Për zëvendës ministra nuk janë bërë fare hulumtime, fillimisht për arsye se janë shumë dhe kjo kërkon shpenzime të mëdha edhe për buxhetin e ambasadave të vendeve të pasura, por ka edhe arsye të tjera. Ata nuk e kanë në përshkrim të vendit të punës të deklarohen publikisht. Mjafton që ekzistojnë. Mjafton të ndihen të rehatuar. Kur janë ata rehat, rehat është edhe partia e besa jemi rehat edhe ne. Kur shteti nuk fle rehat, populli qohet prej gjumi i dërrmuar.

Edhe parlamenti, është institucioni tjetër ku shkenca dhe analitika jonë dështoi. Hierarkia e përfaqësuesve të popullit, deri te deputeti i fundit në rresht, nuk kanë kurrfarë probleme me rritjen e hundës. Kjo vlen për deputetë të pozitës dhe opozitës, edhe pse kjo tashmë është relative te ne. Sot janë në opozitë, nesër bëhen pushtet, dhe kjo bëhet pa pasoja për hundën e tyre.

Nuk rritet, hunda e deputetëve, as kur ndërrojnë parti, as pikëpamje. Nejse, për pikëpamje s’po flasim, sepse një deputet i yni mundet me qenë pjesëtarë i secilës parti, edhe pa pikëpamje, dhe brenda një mandati mundet me ndërrua jo vetëm partinë. Ai që i ka , mundet me i ndërrua edhe pikëpamjet, edhe ideologjinë, krejt.

Në rregull, rritja e hundës , sipas të dhënave shkencore përcillet edhe me skuqjen e saj, sepse si thotë shkenca, kur një politikan gënjen, në hundën e tij vërshon gjaku, dhe ajo jo vetëm se skuqet por, edhe rritet, fryhet. Kjo është emëruar si “Efekti Pinokio”!

Është e verifikuar se kjo vlen për të gjithë njerëzit, por nganjëherë është vështirë me e dëshmua se kur gënjejnë njerëzit e zakonshëm. Ata mund të jenë krejtësisht të sinqertë dhe të duket se po gënjejnë.

Çka është e sigurt, është se askush nuk dyshon se një politikan gënjen. As në Kosovë, as në Shqipëri, askund. Pra, eksperimenti nuk dështon asnjëherë, derisa një përjashtim të mos e vërtetoj rregullin. Ky doli të jetë kontributi ynë për shkencën. Politikanët tonë, nuk gënjejnë. Ata janë përjashtimi. Nuk u rritet hunda, thotë eksperimenti.

Politikanët tonë nuk gënjejnë, sepse nuk kanë nevojë. Elektorati i tyre nuk kërkon sqarime, por përfitime. Kështu ose ashtu, janë shumica përfshi në skema përfitimi, qoftë individual, qoftë familjar, apo lokal e rajonal. Vota është e rezervuar . Elektorati nuk kërkon sqarime, kërkon veç... jo bre, asgjë nuk kërkon, hiç! Krejt i ka! Kosova sërish doli vendi më i lumtur në rajon.

Kështu, dita (ndër)kombëtare e politikës, 1 prilli, ke e shkoi. U pa se efekti “Pinokio” te ne nuk funksionon. Përfundimisht, politikanët tonë nuk gënjejnë, le të matin sa të duan. Mos e hargjoni kot buxhetin, me matjet! Gëzuar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat