Dëshira për liri dyfishon shpirtin e njeriut!

Opinione

Dëshira për liri dyfishon shpirtin e njeriut!

Nga: Saranda Iseni Më: 27 prill 2019 Në ora: 08:19
Ziadin Sela dhe Saranda Iseni

Thuhet se është fisnike të sakrifikosh jetën për jetën e dikujt tjetër. Kishte shumë të drejtë ai xhaxhi plak kur të tha se ”të shpëtosh jetën e një njeriu është hyjnore, o bir”. Më kujtohet si sot ajo ditë qershori kur biseduam për herë të parë, edhepse kishte kaluar një kohë, Ti ende nuk ishe i vetëdijshëm për veprimin e bërë plot guxim e trimëri në atë natë të errët prilli. Kishe plotësisht të drejtë, sepse ajo natë ishte më e errëta nga të gjitha netët tjera dhe ishe Ti, ai që i dhe ndriçim me burrëri dhe heroizëm orizarioti, duke shpëtuar jetën e një vigani. 

Aty në qeli pa ajër, ku rrezet e diellit nuk hyjnë kurrë, Ti qëndron me dinjitet dhe i palëkundur. Mundohu të mos i bësh vend pikëllimit, sepse vetë vepra Jote fisnike, të mbush mushkëritë me oksigjen dhe të ndrit mendjen e artë. E di shumë mirë që në atë liri të përgjysmuar kohë më parë, nuk frymoje i lirë, por forca fizike dhe fuqia mendore rritej për ditë. Edhe sot, jam më shumë e bindur se aty ku je, qëndron më i fortë se kurrë. Aq i fortë sa të vjen të grimcosh çdo pjesë hekuri e prangash. 

- A nuk mjaftoi ajo natë e 27 prillit ´17, kur ti i dhé jetë babait të fëmijëve dhe një populli të tërë?!  

-  A nuk mjaftoi 27 prilli ´18, kur natën më të rëndë të jetës tënde e kalove në errësirë, pa ajër lirie e krejtësisht i rrethuar nga vetmia brenda hekujve të rëndë, plotësisht i lënë në harresë?! 

- Pse vallë duhet që edhe këtë natë të 27 prillit ´19 ta përjetosh larg familjes e të afërmve, pa dritë lirie, në terr e mizori?!

Ty të kanë shkëputur përkohësisht nga Orizarja legjendare, por nuk mund të shkëpusin kurrë vendin tënd në zemrat e gjithë shqiptarëve. Të kanë hequr lirinë, por nuk të heqin dot krenarinë dhe kryelartësinë, as shpresën, e cila nuk lë të thyhet shpirti yt bujar dhe i pastër. E di që ti kurrë nuk do të lejoje të ligështohesh, poshtërohesh e nënshtrohesh pas disa shtyllave të thjeshta të hekurit, sepse ti mbijetove ballëlart e me nder. 

Ti meriton të çmohesh dhe të vlerësohesh për atë që ke bërë dhe jo të dënohesh dhe të vuash për atë që nuk ke bërë.

Qëndro i fortë, o i pamposhtur. Ti je biri i Orizares trime. Je zemra e Kumanovës, je shpëtimtari i prijësit Dr. Ziadin Sela, o njeriu më i dashur në shqiptari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat