Kuajtë e  Trojës kundër Kosovës

Opinione

Kuajtë e  Trojës kundër Kosovës

Nga: Rexhep Torte Më: 7 maj 2019 Në ora: 12:23
Rexhep Torte

Ato që po dëgjojmë, shikojmë dhe  lexojmë çka po ndodh sot në  Kosovë dhe rreth Kosovës na shqetëson dhe neverit shumë,por  edhe habitemi si është e mundur  që pas kaqë  vuajtjesh të mëdha në Kosovë të jenë të pranishme  kësi ndodhishë të liga  që mund ti kurdisën  vetëm djalli e jo njeriu.

Kjo pranverë qe më e efektshmja pas 20 viteve të kaluara në liri. Kjo pranverë nëpërmjet  takimeve  komemorative, homazheve dhe nderimeve në përkujtim të  dëshmorëve  të  rënë për liri dhe viktimave të vrarë e  të masakruar dhe të mijëra femrave shqiptare  të dhunuara barbarisht  në Kosovë gjatë agresionit gjenocidal të Serbisë 1998/1999, më në fund  e vuri  në lëvizje ndërgjegjen dhe vetëdijen e lidershipit të Kosovës.

Ky  pasivitet dhe ky indiferentizëm i lidershipeve në Kosovë që e udhëhoqën shtetin e  Kosovës për  20 vite në liri është për çdo kritikë, sidomos kur këto lidershipe në pjesën dërmuese përbëheshin nga ish luftëtarë të UÇK-së. Këtë gabim të madh e kanë  vështirë ta zbërthejnë edhe  sociologët, psikologët dhe  psikoanalistët më të mëdhej.

Kosova për fat të keq është duke u ballafaquar me shumë Kuaj të Trojës nga brenda e nga jashtë.

Hashim Thaçi, kryetar i LDK-së, ish kryeministër e tani edhe president aktual i Kosovës është yrnek në vete, i cili u soll në mënyrë tejet naïve e të papërgjegjshme duke pranuar të shkojë në bisedime më Serbinë në Bruksel fillikat vetëm, pa e unifikuar spektrin politik shqiptar në Kosovë, pa e harmonizuar dhe unifikuar një plëtformë  të mirfilltë për këto bisedime dhe pa i vënë asfarë kushtesh Serbisë agresore  e cila kreu krimet  më mizore në Kosovë.

Presidenti Thaëi me sa duket nuk e paska dëgjuar atë perrallën që është në abetaren e klasës së parë, e që tregon për gjyshin i cili nipërve të vegjël ua nxjerr para një tufë me thupra të lidhura me spango, dhe u thotë si mund ta theni këtë tufë me thupra. Nipërit mundohen dhe më në fund dorëzohen duke thënë se është e pa mundur ti thejnë ato thupra tufë. Atëherë gjyshi e zgjidh spangon me të cilën i kishte lidhur thuprat dhe i then një nga një, duke u thënë nipërve se bashkimi bën fuqi prandaj thuprat tufë nuk mund ti thenit.

 Çka ti  thuash presidentit Thaçi, që vajti në bisedime me Serbinë në Bruksel pa e detyruar Serbinë të kërkojë falje për shkatërrimet, viktimat, dhunimet dhe zbardhen e fatit të 1650 personave të rrëmbyer nga ushtria e Serbisë fati i të cilëve ende nuk është zbardhur. Çka ti i thuash  president Thaçi që shkeli mbi heronjtë trima shqiptarë në Kosovë ndër shekuj, shkeli mbi heroin legjendar Aden Jashari dhe 58 viktimat e familjes  së Jasharajve në Prekaz, shkeli mbi mijëra heronj të tjerë që dhanë jetën për lirinë që sot e gëzon Kosova e pavarurr e sovrane, shkeli mbi mijëra viktima të pafajshme që i vrau e masakroi ushtria e Serbisë, shkeli mbi fatin dhe jetën e mijëra femrave shqiptare të dhunuara nga ushtria e Serbisë, shkeli mbi fatin e mijëra  grave të mbetura  të veja, shkeli  mbi fatin e mijëra fëmijëve të mbetur jetima, ndërsa kryerësit serbë qoftë të vrasjeve, masakrave apo të këtyre dhunimeve sot e kësaj ditë shëtisin të lirë. Shkeli mbi plagët e pashëruara të familjarëve dhe të të afërmve të viktimave.

Hashim Thaçi vitin që shkoi bëri promovimin e librit të tij  në Londër e Paris “Po lind një shtet i ri Kosova”  dhe nuk e ps të udhës të merr përsipër të orghanizojë, apo të financojë në emër të tij përkthimin e librave të botuar  më parë  nga autorët kosovarë  për krimet dhe  dhunimet serbe në Kosovë, që do të mbetej për jetë e mot një gjest shembullor për vetë Hashim Thaçin e familjen e tij.

Ahtifete Jahjaga bëri mirë që ditë më parë më në fund është angazhuar dhe  bën aktivitete qoftë në OKB, qoftë në Kosovë për dhunimet e femrave shqiptare  nga ushtria e Serbisë për ti nxjerrë kryerësit  e këtyre mizorive para drejtësisë, por do të ishte shumë më e efektshme po qe se Ahtifetja një gjë të tillë  ta kishte bërë kur ishte  presidente e Kosovës dhe kur fjala e saj kishte  më shumë peshë.

Çka ti thuash Behgjet Pacollit, zv/kryeministër e ministër i jashtëm aktual i Kosovës, biznesmen i suksesshëm që  ka edhe avion edhe anije të vetën, të cilit i kam shkruar dy herë publikisht  letër të hapur për ta finanancuar përkthimin e librave të botuar në Kosovë për krimet e dhunimet serbe në Kosovë, e që këto libra tu dërgohen ambasadorëve në OKB, ne BE, KE dhe burrështetasve tjerë në botë. Këto libra do të kryenin një mision të madh dhe të efektshëm për Kosovën duke i  treguar  botës dëshmi të gjalla për shkatërrimet, krimet, masakrat dhe dhunimet e Serbisë në Kosovë, dhe do ta demaskonin Serbinë me  propagandën e saj  gënjeshtare që po kryen nëpër botë. Behgjet Pacolli si donator i përkthimit të këtyre librave  do të mbetej për jetë të jetëve në historinë e Kosovës. Një pjesë të këtyre librave mund ta dorëzonte edhe vetë gjatë takimeve të tij me personalitete të ndryshme  në punën e tij si ministër i jashtëm i Kosovës, me çka do ta nderonte veten dhe familjen e tij. Përkthimi, botimi  dhe shpërndarja e këtyre librave do të jetë gjëja më e mirë për Kosovën.

Çka ti thuash Ramush Haradinajt, kryeministër aktual i Kosovës, që e rriti pagën e vet dhe të qeveritarëve me arsyetimin e  i duhen më shumë para për kostume dhe kollare, me çka i vuri një njollë të zezë personalitetit të tij su luftëtar e funksionar, në kohën kur  në Kosovë është e pranishme papunësia, varfëria e madhe dhe mijëra të rinj largohen për në shtetet e jashtme për të gjetur punë.

Çka ti thuash Kadri Veselit, kryeparlamentarit  aktual të Kosovës dhe kryetar aktual i PDK-së,  i cili pas 20 viteve u kujtua ti dërgojë një letër Kongresit të SHBA-ve për krimet e Serbisë në Kosovë, dhe pas 20 viteve u kujtua se në Kosovë duhet, të votohet një Rezolutë për  gjenocidin e Serbisë në Kosov, apo deklarata e tij  dje më 6 maj se do të themelohet një  Gjykate-Tribunal Ndërkombëtar  për Krimet e serbëve në Kosovë, që  kryekëput është ide e vjedhur nga deklarata e Ismet Salihut , ish drejtor i Institutit  për Hulumtimin  e Krimeve të Luftës, që tashmë për fat të keq është i mbyllur. Zoti Ismet Salihu në mediat e kosovës delkaroi se, “ky Institut duhet domosdo të rihapet, të shtohet me  personel, dhe se do të ishte mirë po të hapej edhe një Muze për  Krimet e Serbisë në Kosovë”, deklaratë e  botuar më  22 prill në tekstin tim Opinione me titull “ Gjumi i lidershipit të Kosovës  dhe propaganda gënjeshtare e Serbisë”.

Më mirë vonë se asnjëherë, thotë populli,  por të gjitha këto vonesa e kanë koston e vet negative, sepse me vonesën hecën paralelisht edhe haresa, sepse  edhe shumë nga kriminelët serbë  edhe mund të kenë ndëruar jetë.

Çka të themi për milionerët aktualë  në Kosovë, në mesin e tyre  funksionarë të lartë, ministra e deputetë,  që u pasuruan në mënyrë të paskrupullt e korruptive, duke shkelur mbi gjakun e dëshmorëve dhe të vrarëve e të masakruarve nga  ushtria e Serbisë. Çfarë shpirti të ligë paskan patur këta milionerë aktualë të pas luftës, në vend që kafshatën e bukës ta ndajnë me të varfërit  në mbarë Kosovën.

Të gjithë të lartpërmendurit u ngjajnë Kuajve të Trojës brenda Kosovës, të cilët me veprimet e tyre të liga, viktimat që i vrau ushtria e Serbisë, i vranë për të dytën herë tashmë në liri, këta maskarenj, zengjina të rinj  shqiptarë të Kosovës.

Kosova për fat të keq veç Kuajve të Trojës që i ka brenda, i Ka edhe Kuajtë e Trojës jashtë saj, siç është   Johanes Hahn, komesar i Be-së, Frederika Mogherini, kryenegociatorja e BE-së, që u treguan dinake dhelpanakë kundër Kosovës, Edi Rama, kontraverz dinak e dhelpanak,  i cili në vend që të merret me popullatën Çame që pësoi gjenocidin nga  Greqia, ndërhyn për të keq në Kosovë. Si Edi Rama pr fat të keq ka edhe shumë Kuaj tjerë të Trojës kundër Kosovës.

Është mirë që këta Kuaj të Trojës brenda dhe jashtë Kosovës sa më parë të korrigjohen e të pendohen, duke u angazhuar dhe duke bërë punë të mira për Kosovën.

Unë e dij vetëm një gjë të sigurtë. Se mëkati do ti gadasë fuqishëm këta faqezinj, që e shkelën dhe janë duke e shkelur me të dyja këmbët nderin, dinjitetin, bujarinë dhe slidaritetin e shqiptarëve. Këta faqezinj do të mbeten tradhëtarë në historinë kosovare e mbarëshqiptare.

Zoti e bekoftë Kosovën, sepse është tokë e larë me gjakun shqiptar. Zoti i ndëshkoftë njerëzit e ligë, Kuajtë e Trojës që i bëjnë dëm  Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat