9 maji i eventeve të dyfishta në monopolin e kujtesës

Opinione

9 maji i eventeve të dyfishta në monopolin e kujtesës

Nga: Kastriot Aliaj Më: 8 maj 2019 Në ora: 17:40
Kastriot Aliaj

Kjo datë me vlera të dyfishta historike, është futur në monopolin e kujtesës, jo vetëm si dëshmi e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, por edhe e krijimit të BE.74 vjet më parë më 9 Maji të vitit 1945, firmoset fundi i nazi-fashizmit, por mbi të gjitha çlirimi i popujve nga marrëzia e apokalipsit militarist i boshtit Berlin-Romë-Tokio.

E vlerësuar si kasaphana më e madhe në historinë e njerizimit, mori jo pak por 62 milion jetë njerëzish e barabartë me 2.5% të popullsisë së botës. Mbarimi i saj shënoj triumfin e rezistencës popullore, kundër makinës vrasëse nazi-fashiste, por edhe ndërgjegjësimin dhe emancipimin e popujve që u ngritën kundër errësirës ideologjike të saj. Në këtë monopol të kujtesës historike, ka hyrë edhe kombi ynë i vogël, me tradita të lashta luftarake në mbrojtje të trojeve, të identitetit dhe kulturës sonë kombëtare.

Për herë të parë në historinë e saj Shqipëria u rreshtua në krah të aleatëve të mëdhenj si SHBA dhe Anglia, kështjella të demokracisë botërore. Këta aleatë të mëdhenj krijuan aleancën anti-fashiste botërore, për t'u përballur me egërsinë e makinës së llahtarshme militariste, që kërkonte të modelonte një skllavëri të re tek popujt e botës. Shkaqet e shpërthimit të kësaj lufte mizore, ishin të shumta. por ajo që u bë bërthama "nukleare" e saj ishin shpërthimi i ndjenjave të ekstremizmit nacionalist dhe militarizmit. Këto ndjenja që po i shohim të demonstrohen edhe sot, në disa nga shtetet evropiane, na bëjnë apel dhe na kujtojnë thënien kapitale të Julius Fucik, kur thoshte; "Popuj ini vigjilent".

Futja e Shqipërisë në një sfidë të rrezikshme në ato momente të vështira, përbënte një shëmbëlltyrë dhe një akt emancipimi, pavarësisht nga ndryshimi i kursit politik të drejtueseve komunistë të pas luftës. Pjesëmarrja masive e të gjitha shtresave pa dallim të popullit tonë, ku numëroheshin rreth 70 mijë luftëtarë, ishte prova më sinjifikative një kombi që kërkonte të bëhej pjesë e historisë dhe demonstrimit të vlerave luftarake. Këto vlera hedhin poshtë me neveri, pretendimet e lapsaxhinjve dhe pinjollëve bij të bashkëputorëve me nazi-fashstët gjatë viteve 1939-44,të cilët baltosin epopenë nacional-çlirimtare dhe gjakun e të rënëve. Ata pa pikë turpi, e quajnë këtë epope një luftë civile midis shqiptarëve.

E themi këtë sepse ky sfond i filozofisë patologjike, ku përfshihen politikanë, media e analistë në të dy anët e kufirit,duhet të reflektojnë forcën e përgjegjësisë, për mbrojtjen e vlerave tona brenda defiminit demokratik. E megjithatë shqiptarët si në çdo event historik, megjithëse të degdisur nëpër dallgët e historisë mijëra vjecare, si një nga kombet më të vjetër të Evropës, i shpërfillin këto patologjizma metaforike, duke mos i'u përulur askujt, ndaj çdo kërcënimi apo përçmimi nga kundërshtarët dhe anti-shqiptarët rrotull nesh. Shqiptarët përpara historisë dhe aleatëve të aleancës anti-fashiste treguan se liria dhe pavarësia për kombin tonë, është vlera më e çmuar e sakrificave më supreme.

Ky akt krenarie është konsakrim jo  vetëm për ata që dhanë jetën, por edhe për brezat e ardhshëm, si një objekt studimi dhe reflektimi. Ky shembull do të ndihmojë në mënyrë të veçantë politikën, për të bërë katarsisin e kohërave, duke u ngritur mbi gabimet e shumta në rrjedhën e ngjarjeve historike. Si komb i vogël që jemi, nuk kemi as fuqinë dhe as luksin, të definojmë interesat gjeopolitike të askujt, por nevojën për mbështetje e kemi, pa shitur idealet dhe identitetin kombëtar. Evropa dhe skeptikët brenda saj duhet të thellohen për t'na njohur më mirë, sepse në momentet kulmore të historisë, kemi reflektuar vlera që na përvësojnë dhe na bëjnë të pakrahasueshëm me fqinjët. Kjo nuk është një thënie eksklamative, e ngritur mbi mite dhe fabula si historia e fqinjave sllavë e grekë, por një realitet i pakundërshtueshëm me fakte e shifra. Shqipëria e vogël gjatë Luftës së Dytë Botërore, mori në mbrojte 20 mijë ushtarë italianë, për t'i shpëtuar nga masakrimi nazistëve.

Në kufijtë e jugut u ndihmuan për t'i shpëtuar ashpërsisë së dimrit, urisë dhe asgjësimit nga kundërshtarët nazi-fashistë mijëra ushtarë grekë. Qeveritë e Shqipërisë e viteve 1939-44,megjithse bashkëpunuan me nazi-fashistët, sepse ishin ngritur mbi bajonetat e tyre, të paktën nuk hartuan  dhe nuk përshtatën asnjë ligj anti-hebre për dorëzimin e tyre, kur të tjerët zbritën deri në 1\8 e popullsisë. Këtë shembull të veçantë sutudiusit e huaj, e kanë bazuar tek etnotipi shqiptar që na përvecon nga fqinjët, si mikpritja. tradita, shtëpia dhe miku në besë, kanuni, kulti i dorëzanisë, kodi moral i shqiptarëve të atdheut të Nënë Terezës, simboli i humanizmit. Për këto e të tjera virtyte morale, na japin të drejtën të themi se,në se ka një popull në Ballkan,që nuk duhet të ketë frikë nga e kaluara, ky është populli ynë.

Shqiptarët nuk ndikohen nga idelogjizmat dhe eksorcizmi i urrejtjes, ashtu siç kanë vepruar fqinjët tanë historikisht ndaj nesh. Prandaj 9 Maji i 5 viteve më vonë nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, flet edhe më shumë se kaq për Ballkanin Perëndimor, i cili duhet të ndjekë shëmbullin e Francës dhe Gjermanisë. Për këtë shembull historik, flet deklarata e ish. ministrit të jashtëm të Francës Robert Schuman, që në po këtë ditë të vitit 1950,formuloj idenë e BE me Montanunionin ose Komunitetin Evropian për qymyrin dhe çelikun. Në themel të këtij plani u vendosën Franca, Italia, Gjermania,Belgjika Hollanda dhe Luksenburgu. Ky plan përbënte një evolucion në marrëdhëniet Francë-Gjermani, ku forcat demokratike dhe paqedashëse i dhanë fund historisë se hidhur që kishin lënë luftërat midis tyre.

Pas këtij veprimi Shuman do të shprehej; "Evropa duhet të pushojë së qeni një vend betejash, ku palët armike mbyten në gjak".Por ajo që i dha krah propozimit të tij, ishte mbështetja e ish. kancelarit të Gjermanisë Konrad Adenaur,i cili e cilësoj Shumanin "vizionar" i madh Evropian. Sipas tij hekuri dhe çeliku, që kishin luajtur një rrol fatal në luftërat e popujve evropian kundër njëri tjetrit, duhet t'i bashkonin në një teren të përbashkët veprimi e mendimi. Thirrja politike e tyre që u bë bazë për themelimin e federatës Evropiane,si një bashkim i lirë dhe i vullnetshëm shtetesh, duhet të shërbejë edhe sot për Ballkanin Perëndimor.

Këtë thirrje e bëjnë edhe më imperative, erërat e nacionalizmit atavist sllavo-grek, populizmi dhe ekstremizmi që po përfiton teren edhe nga hijet e duarve të gjata të Rusisë.Kinës dhe Turqisë. Zgjedhjet e afërta parlamentare të BE, janë një provë që do të luajë intelektualizmi i Evropës së hapur dhe asaj të hutuar nga erërat e ekstremizmit. Por Evropa e lëvizjeve dhe ndryshimeve të mëdha, do t'i kapërcejë këto ethe të trazuara zgjedhjesh, duke u bërë kështu një faktor mbështetës edhe për aspiratat tona, pa i lënë tek metafora e litarit, tërhiq e mos e këput.9 Maji bën apel për t'u dhënë fund konfliketeve, që e kanë lodhur aq shumë këtë rajon problematik, peng i politikave të vjetra kotraverse

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat