Deri kur të dëgjohet gjuhën agresive në Parlamentin e Kosovës?!

Opinione

Deri kur të dëgjohet gjuhën agresive në Parlamentin e Kosovës?!

Nga: Bislim Aliu Më: 28 maj 2019 Në ora: 10:29
Bislim Aliu

Gjithsesi mbledhjet e Parlamentit të Kosovës i përcjell rregullisht dhe, përherë me një vëmendje të shtuar. Ndonjëherë, e ndiej vetën mirë, kur i dëgjoj parlamentarët tanë se po flasin sipas rendit të ditës. Megjithatë, ndonjëherë, besa në kohët e fundit, nuk po më pëlqen serioziteti i mbledhjeve dhe, sidomos më është tepër ironike përdorimi i gjuhës agresive që po përdoret në Parlament. Dhe për këtë pyetemi; pse gjithë ky agresivitet, banalitet sharje dhe fyerje individuale ndaj ndonjë deputeti të ndonjë partie tjetër. Në vend se të mirren me ndonjë çështje madhore të shtetit, ata gjelozojnë dhe fyhen në mes vete! Deri kur me këtë fjalor bizar e me këtë agresivitet?

Ndaj, gjuha që po përdoret, në Parlamentin e Kosovës, në mes individëve apo edhe partive të ndryshme, është gjithsesi, jonjerëzore, jodemokratike dhe joparimore! Andaj, deri kur të përdoret ky dialog mospërfillës?! Me të vërtetë populli po pyetet; a ka kush që t’i ndalë këta parlamentarë që të mos flasin me aq cinizëm, siç nuk i ka hije një deputeti, apo një intelektuali i zgjedhur nga poppulli? . . .

Dihet mirëfilli se Parlamenti është institucioni më i lartë i shtetit. Dhe, kuptohet, aty janë njerëzit më të aftë të cilët i ka votuar populli. Andaj, edhe populli pret shumë prej tyre. Ata duhet të jenë shumë aktivë në mbledhjet e Parlamentit. Ka aty, mjerisht disa parlamentarë shumë pasivë të cilët fare nuk janë të interesuar që të marrin pjesë në diskutime. Ata edhe mungojnë shpeshherë në mbledhjet e Parlamentit. Të tillët nuk i duhen Parlamentit as sot dhe as kurrë . . .

Mjerisht dhe pa të keq, disa mbledhje që po mbahen në Parlamentin e Kosovës, nuk po mbahen ashtu siç duhet dhe janë për keqardhje. Dhe, ajo që mua po më brengosë më së shumti, është gjuha agresive, madje edhe fyese, që po përdoret nga disa parlamentarë tejet të papërgjegjshëm.

Në rend të parë po përdoret një gjuhë jo e pastër me plot vullgarizma. Besa, ndonjëherë, pa farë intelektualizmi. Ndaj, jo që s’po flitet gjuha mirë dhe e pastër, si gjuhë unifikuese, por ajo po shprehet me një arrogancë jo civilizuese, thuase ai ka merita më të mëdha se të tjerët dhe mund të flasë dosido dhe mund ta fyej këdo! Jo pasha bacën nuk shkon më ashtu ?!!!.

Ndonjëherë ky vullgarizëm i tepruar dhe jonjerëzor po na irriton shumë. Dhe ky ironizëm dukshëm po vërehet më së shumti në mardhëniet ndërpartiake, apo në mardhëniet pozitë-opozitë. Thuase këto parti nuk janë tonat. Sikur ndonjëra na vie nga Avganistani, Rumanie, Greqie apo Bullgaria…Pa mëdyshje, debatet janë të lejuara edhe nëse ka mendime të ndryshme. Ama mendimet duhet të shprehen në mënyrë civilizuese dhe intelektuale. Pra të shprehen në mënyrë njerëzore e parimore e jo me vullgarizëm e inate të tepruara!

Dhe nuk ka nevojë fare që të ngritet zëri vetëm pse është i një partie tjetër. A thua, çka ka lidhje, nëse ndonjëri e ka mirë, e të mos përkrahet, vetëmpse është i ndonjë partie tjetër? Megjithatë, polemikat shpeshherë që po bëhen në Parlament, po i kalojnë caqet demokratike dhe të normalitetit njerëzor. Ky bastardhizëm duhet sa më pare të largohet nga komunikimi parlamentarë.

Ndonjëherë disa parlamentar, fare nuk e kontrolllojnë vetvetën dhe fjalorin e shprehur. Besa po përdorin ndonjëherë edhe fjalë ofenduese, që fare nuk i përgjigjen deputetit, si, hajn, idiot, kriminel, rrenc, zhvatës i tendereve, kryeneq, sahanlëpirës vagabond… pra fjalë fyese, që me të madhe po e dëmtojnë imazhin e deputetit të Parlamentit. Zatën, këto shprehje të pamatura dhe jocivilizuese po e irritojnë në masë të madhe popullin. Andaj, këta deputet jocivilizues dhe ngucakeq, në zgjedhjet e ardhshme nuk duhet fare që t’i votoj populli?!

Me të vërtetë gjuha që po përdoret ndonjëherë në Parlamentin e Kosovës, në mes individëve ose partive të ndryshme, është johumane, jodemokratike dhe aspak njerëzore. Ajo, ndonjëherë, besa, është edhe fyese dhe joparimore. Dhe, a thua, deri kur të përdoret ky dialog mospërfillës? A ka kush që t;i ndalë disa parlamentarë dhe këta kapadai që të mos flasin me cinizëm, siç nuk i ka hije një deputeti që është zgjedhur nga populli?...

Pa mëdyshje, Parlamenti është pasqyra e shtetit. Debatet agresive dhe jocivilizuese nuk e kanë vendin në Parlamentin e Kosovës. Pra na duhet debate të mirëfillta dhe pa “patriotizëm të rrejshëm”. Ndonjëherë besa, po skuqem me të madhe nga fjalori jocivilizues që po përdoret nga disa parlamentarë!

Andaj arroganca e tepruar e ndonjë deputeti dhe mënyra se si e shpreh mendimin e vet, nuk i kontribuon rregullit dhe normalitetit të rrjedhshëm në Parlamentin e Kosovës. Mendoj se asnjë deputet nuk ka hise më shumë dhe nuk duhet të flasë jashta njerëzores dhe logjikës së demokracisë. Ndashta disa deputet e kanë kuptuar gabimisht demokracinë, duke menduar se mund të fyejnë dhe të flasin çdogjë. E nëse kalohet ky limit i demokracisë, atëherë kuptohet, kalohet në anarki dhe në bizaritet?!

Ndoshta Parlamenti duhet të mendojë që ta ketë kodin e mirësjelljes ose akt ligjor që do ta detyronte secilin parlamentar që t’i përmbahej atij kodi. Pra që secili të flas lirshëm, por në mënyrë civilizuese.

Përndryshe, siç po veprohet ndonjëherë, në disa mbledhje të Parlamentit, nuk ka lidhje me demokraci. Pra patjetër duhet të ketë rregull dhe më seriozisht t’i mbajnë mbledhjet. Mendoj se kryetari i Parlamentit, duhet ndonjëherë të jetë më vigjilent dhe pse jo t’i stopojë këta “kapadaijë”, që dalin jashta normales dhe civilizimit njerëzor.Disa parlamentar nuk mirren shumë, për temat që duhet diskutuar, por përkundrazi, ata më tepër mirren me kritika individuale dhe me fyerje të personalitetit të ndonjë deputeti. Dhe, kjo nuk ka kurfar logjike njerëzore, meqë ai fare nuk mirret me tamat e parashtruara, por qëllimin e ka për ta fyer ndonjë deputet, i cili mendon dhe shprehet pak më ndryshe.

Le ta dinë deputetët e Parlamentit se mbledhjet e Kuvendit populli vazhdimisht po i përcjell. Dhe deputetët që nuk i përmbahen rregullit të Parlamentit, ata në zgjedhjet e ardhshme nuk do t’i marrin votat nga populli. Këtë le ta dine njëherë e përgjithmonë.

Populli i do deputetët e sinqert, aktiv dhe të cilët angazhohen në mbrojtjen e gjendjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve. Pra populli i do deputetët aktivë e jo deputetët pasivë. Andaj, largojeni arrogancën dhe fjalorin bizar. Largojeni gjelozinë ndaj partive të tjera. Me arrogance e me fjalor bizar Kosova nuk mund të ecë asnjëherë përpara. Pra, gjithsesi, na duhet toleranca dhe mirëkuptimi ndërnjerëzor e ndërpartiak. Na duhet toleranca intelektuale dhe e humanizmit demokratik. Vetëm me demokraci dhe me larine e shprehjes, deputetët do ta tregojnë intelektualizmin dhe humanitetin e lartë njerëzor e demokratik. Shpresojmë se kështu edhe do të jet sot nesër e gjithmonë . . .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat