Soros, “djall” dhe ...”ëngjëll” - Bota Sot
Soros, “djall” dhe ...”ëngjëll”

Opinione

Soros, “djall” dhe ...”ëngjëll”

Nga: Xhevat Mustafa Më: 23 korrik 2019 Në ora: 09:30
Xhevat Mustafa

Edhe në Shqipëri, Xhorxh Soros, nëpërmjet fondacionit të tij, ka qenë dhe është “djall”, i keq për shumicën e shqiptarëve dhe, “ëngjëll”, i mirë për përfituesit rreth 27 vjeçarë e të mëvonshëm prej tij.

Ka disa ditë që në tribuna politike dhe mediatike, në frontin antiqeveritar, sidomos nga personalitete të larta politike dhe qeverisëse, është intensifikuar dhe ashpërsuar lufta kundër Xhorxh Sorosit dhe fondacionit oktapodik të tij, kryesisht për aktivitetin dhe ndikimin e tij rreth 27 vjeçar në Shqipëri.

Natyrisht, nuk mund të thuhet se mallkimet dhe akuzat kundër tij janë krejt të pamerituara, fantazi, lojë apo paranojë. Natyrshëm, duke iu referuar titullit të njerit prej romaneve të shkrimtarit të njohur gjerman Heinrich Bel, mund të lindin dhe shtrohen edhe pyetjet: Ku ishit ju, Adamë kur Xhorxh Soros thuri dhe përhapi “rrjetën e vet të merimangës” në Shqipëri, për t’i penguar fondacionin dhe njerëzit e tij të bëheshin dhe vepronin si shtet mbi apo në shtet, të kapnin postet më të larta në çdo pushtet dhe institucion?

Një pjesë e antisorosianëve, në Diasporë apo edhe në Shqipëri, skeptikë ndaj klasës politike dhe qeverisëse aktuale apo rreth 27 vjeçare në Shqipëri, të shqetësuar me të drejtë për fatet e vendit dhe të popullit të tyre dhe për gjëmat e reja që mund t’u shkaktohet atyre nga “ushtria e sorosianëve”, i kanë drejtuar sytë dhe lutjet për ndihmë nga presidenti i SHBA-së. Është lehtësisht e kuptueshme se ata janë nxitur apo nisur nga fakti se mes Xhorxh Sorosit dhe Donald Trumpit ka armiqësi, konflikte dhe përplasje të vjetra, nga skena publike dhe në prapaskena.

Është fakt se edhe vetë Trump 3 vjet më parë, në fjalime elektorale e ka kërcënuar publikisht Sorosin. Por, çuditërisht, sot, pa 3 vjetësh, ndryshe nga sa shpresohej dhe pritej, Sorosët si individë, si dinasti, fondacion, janë bërë edhe më të fuqishëm, më veprues dhe ndikues, sidomos në Evropë dhe Lindjen e Mesme.

Në fund të fundit, Sorosët, sidomos me investimet kolosale për provokim dhe zgjatje të krizave në vendet e Lindjes së Afërt e të Mesme, për trafikun e refugjatëve nga këto vende të këtij rajoni dhe të Afrikës, drejt BE- së, po u shërbejnë mjaft SHBA- së, Rusisë, Kinës, Indisë ...për të dëmtuar dhe shkatërruar BE- në, si rival të fuqishëm ekonomik, politik, gjeostrategjik...Se nga ky skenar po dëmtohet edhe Shqipëria, mendoj se nuk mund të shqetësohet posaçërisht apo përjashtimisht Trump, sepse ne nuk jemi aq miq të shtrenjtë për atë dhe dhëndrin e tij, si psh.,Izraeli dhe izraelitët... Trump mund t'a urrejë Xhorxh Sorosin si individ dhe si konkurrent të vjetër në biznese, por ai di t'i kapërdijë interesat, inatet dhe sherret personale, kur ka si moto: "Amerika është e para” dhe për deri sa Soros nuk cënon ligjet, interesat ekonomiko-financiare, politike të SHBA-së.

Kështu që, sipas meje, ne shpresojmë kot “të hakmerremi shqiptarisht” ndaj Sorosit me duart e Trump. Edhe në Shqipëri, Xhorxh Soros, nëpërmjet fondacionit të tij, ka qenë dhe është djall, i keq për shumicën e shqiptarëve dhe ëngjëll, i mirë për përfituesit rreth 27 vjeçarë e të mëvonshëm prej tij.Me milionat e Sorosit, dhënë për më së shumti njerëzve me origjinë dhe lidhje të forta më të majtën, ndjeshëm edhe me ish nomenklaturën komuniste, janë bërë plot bamirësi për qëllime arsimimi, kulturimi, sociale, humane, mbrojtjeje të grave dhe fëmijve të dhunuar, e tj..

Gjithsësesi, këto kanë pasur një të mirë të madhe për drejtuesit e rrjetës së ojq-ve të Sorosit dhe më të privilegjuarve prej tyre në Tiranë apo nga qendra në SHBA. Mjafton të shkosh në pallatet dhe vilat ku banojnë në Tiranë, nëpër komplekset e vilave përreth Tiranës, në plazhet e Malit të Robit, Gjirit të Lalësit, Qerretit, e tj, dhe nëpër ato gjenden me bollëk prona të patundshme të plot soroistëve dhe soroisteve, me pushtete edhe në majën e piramidës politike dhe qeverisëse.

Duke u thelluar në hetime mund t’u hidhet një sy edhe depozitave bankare dhe kartave të kreditit; hyrje- daljeve në Aeroportin e Rinasit, “Nënë Tereza”; rregjistrave të hoteleve luksoze me 4-5 yje ku kanë kaluar disa herë në vit pushime dhe fundjava...Kështu, me milionat e Sorosit u krijua para syve apo nën hundën e edhe të Berishës, që sot i mallkon dhe akuzon më shumë se të tjerët, një shtresë ndjeshëm më e pasur se shumica e qytetarëve, që jetën e tyre e kanë mbështetur tek puna dhe djersa e tyre, tek pagat, pensionet dhe të ardhurat e tjera të siguruara nga biznese dhe krijimtari gjithëfarëllojshme të pastra.

Sidomos kjo dukuri apo ku realitet u intensifikua pas ardhjes në krye të PS-së dhe të qeverisjes të Edi Ramës, padyshim nga kartat më të forta të Xhorxh Sorosit në Tiranë e në Ballkan, dhe pas martesës së tij me Linda Bashën, akt që nuk përjashton edhe pistën e moçme të synimit për ta kontrolluar një njeri tëndin edhe nga krevati bashkëshortor dhe tavolina e bukës. Kështu nëpërmjet këtyreve, Xhorxh dhe Alex Soros, kapën plotësisht qeverisjen në Shqipëri.

Tanimë nuk përbën ndonjë të panjohur se edhe gjasme reformën në drejtësi e kemi “ dhuratë”, “bamirësi” apo litar e tel në fyt prej tyre. Po kështu, nuk kërkon shumë vramendje dhe analiza të thella për të kuptuar dhe për t’u bindur se kjo “reformë për drejtësi”, gjoja për shtet ligjor të vërtetë dhe funksional, jo preferencial dhe favorizues për askënd, ka synuar dhe ia ka arritur që të fusë edhe “piramidën e drejtësisë”, me gjykata e prokurori, në xhepat e shumta e të mëdhenj të Edi Ramës. Kuptohet, nëpërmjet tij, edhe të Xhorxh dhe Alex Sorosit.

Gjithashtu, merret me mend se një Edi Rama me pushtete sulltani apo cari është imponues dhe ndikues edhe në piramidën politike dhe qeverisëse në Kosovë. Prej vitesh është bërë e kuptueshme se Edi Rama ka ndikim të fortë tek Hashim Thaçi, nga i cili, nëpërmjet Baton Haxhiut ose drejtpërdrejtë jo vetëm përcjell këshilla dhe urdhëra, por merr edhe këshilltarë e ministra, me CV fillestare apo të fryra si tullumbace edhe me “vlera të dyshimta e të sajuara” për arsimimin e lartë, specializime, karrierë...

Nëpërmjet kësaj linje apo lidhjeje Sorosët kanë ushtruar ndikimin e tyre edhe në proçesin e bisedimeve Serbi-Kosovë apo Aleksandër Vuçiç-Hashim Thaçi, për ndryshimin e kufijve mes dy shteteve, për dorëheqien e Ramush Haradinajt, sipas një skenari ndërkombëtar, gëzimsjellës për serbët dhe kobëndjellës për Kosovën dhe shqiptarët... Por, Soros dhe milionat e tij, edhe pse publikisht duken dhe sillen si kundështarë dhe “armiq”, kanë qenë dhe janë të mirë edhe për Rusinë dhe individualisht Putinin.

Publikisht, më 1 mars 2015 qeveria ruse apo Putini me dorën e vet e shpalli Xhorxh Sorosin, partizan i flaktë dhe i pakursyer për ekuibrin politik, ushtarak dhe gjeostrategjik SHBA-Rusi, “person non grata” në Rusi e “të rrezikshëm për sigurinë”, duke ndaluar veprimtarinë e 12 grupeve apo ojq-ve të tij. Nga ana e vet Soros e ka sulmuar Putinin dhe Rusinë edhe për krimet e politikës dhe të ushtrisë ruse në Siri. Por, nga disa veprime të tjera, jepet shkas të lindë dhe forcohet edhe dyshimi se mund të kemi të bëjmë edhe me “urrejtje dhe dashuri” apo me armiqësi sa për sytë e njerzëve dhe të kamerave..

Nëpërmjet Sorosve dhe milionave të tyre Rusia dhe Putini kanë arritur prej disa vitesh të sulmojnë vendet e BE-së, sidomos Gjermaninë, Francën, Austrinë, Britaninë e Madhe, Belgjikën, Holandën, Spanjën...me miliona refugjatë nga vende me luftra disa vjeçare dhe në varfëri masive ekstreme si Siria, Libia, Iraku, Afganistani, Bangladeshi, nga vende të Afrikës....

Këto kanë sjellë sforcime ekonomiko-financiare, por edhe acarime politike në parlamente dhe në koalicionet qeveritare në vendet kryesore të BE-së. Drejtëpërdrejtë apo jo kanë favorizuar opozitat e të djathtave ekstreme, të njohura si për nacionalizëm racist dhe urrejtje dhe kundërshtime histerike ndaj refugjatëve, ashtu edhe për përfolje mediatike dhe publike edhe për lidhje apo financime të fshehta me Rusinë e Putinit. Rastet më të freskët i kemi fare afër në kohë dhe gjeografikisht, në Austri (ish zv.kancelari Heinz-Christian Strache) dhe në Italinë fqinjë (Matteo Salvini, zv.kryeministër dhe ministër i brendshëm nga partia “Lidhja” apo Lega Nord).

Përfolje për lidhje dhe pazare me Rusinë dhe Putinin janë bërë publikisht, vite të shkuara, edhe nga Xhorxh Soros dhe të tjerë, edhe për partinë “5 yjet”, ashu si edhe për AFD në Gjermani, “Frontin Kombëtar” të Marie Le Pen në Francë, për disa nga krerët e Lëvizjes “Brexit” në Britaninë e Madhe... Kështu, sipas mediave italiane, gjermane, austriake, këto parti, me apo pa skenar, kanë çuar ujë në mullirin e Putinit edhe duke i bërë presione vendeve kryesore të BE-së, sidomos Gjermanisë së Angela Merkelit, Francës së Emmanuel Macronit dhe Britanisë së Madhe të Theresa Mayt që të zbusin dhe heqin fare saksionet ekonomike rreth 5 vjeçare ndaj Rusisë.

Njëra prej pistave për të shkuar tek e vërteta se çfarë mund t’i lidhë këto parti me Rusinë dhe “armiqtë” Soros-Putin, mund të jetë edhe ajo e qëllimit të përbashkët për të vazhduar krisjet apo çarjet në gjirin e vendeve kryesore të BE-së, për të arritur mundësisht në të gjallë të Xhorxh Sorosit, në shembjen e “piramidës BE” mes SHBA-së dhe Rusisë .

Por, nuk përjashtohet se një qëllim tjetër mund të jetë dobësimi i fuqisë dhe rolit të Gjermanisë në BE dhe përgjithësisht në politikën evropiane dhe më gjërë. Edhe pse reklamohen si “armiq”, janë disa fakte, ngjarje e rrjedhoja që të shtyjnë të mendosh se Soros e ka ndihmuar gjatë dhe mjaft Rusinë dhe Putinin individualisht dhe institucionalisht për t’u faktorizuar në arenën dhe politikën botërore.

Duke u kthyer pas në kohë, para rreth 25 dhe 20 vitesh, me shembull për argumentim edhe Kosovën, presidentët amerikanë Bush dhe Bill Klinton, ndryshe nga Obama dhe Trump, nuk mendonin dhe nuk prisnin të merrnin leje nga Putini për të sulmuar Irakun, Kosovën, Korenë e Veriut, Iranin, Venezuelën...Apo për të përkrahur politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht republikat baltike si dhe republika të tjera ishsovjetike, Gjeorgjinë, Ukrainën...

Gjithashtu, me investimet dhe përpjekjet që të rrisin ndikimin shumëformësh në Ballkan, atë e bir Soros, i kanë shkaktuar shumë telashe e kokëdhembje BE-së dhe kënaqësi e përfitime Rusisë, sidomos me nivelet e larta të konfliktualitetit apo të brishtësisë politike dhe qeverisëse, të korrupsionit, kriminalitetit dhe me nivelet e ulta të funksionalitetit të demokracisë, të shtetit, drejtësisë, mirëqenies, të peshës dhe rolit të shoqërisë civile, e tj.

Duke përfituar nga strategjia Obama-Trump për tërheqie ushtarake e politike graduale të SHBA-së nga zona, rreth 100 vjet si parësore në gjeostrategjinë amerikane, indirekt apo me paramendim, Sorosët po ndihmojnë që boshllëkun që lë SHBA-ja ta mbushë, mundësisht sa më shpejt e më lehtë Rusia, paradoksalisht apo marrëzisht, me ambicje gjeostrategjike, politike, ndikimi apo mbizotërimi, përtej kapaciteteve të saj reale ekonomiko – financiare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...