De-Heroizimi ose Shqipëria përballë humbjes se Identitetit Kombëtar - Bota Sot
De-Heroizimi ose Shqipëria përballë humbjes se Identitetit Kombëtar

Opinione

De-Heroizimi ose Shqipëria përballë humbjes se Identitetit Kombëtar

Nga: Pirro Prifti Më: 23 gusht 2019 Në ora: 13:23
Pirro Prifti

Një fushatë malinje dhe  ç`kombëtarizuese po vazhdon prej kohësh me ulje ngritjet e saj nga individë dhe grupe të ndryshme të cilët në mënyrë të vazhdueshme dhe me qëllim acarojnë dhe dezinformojnë shoqërinë shqiptare, atë të Kosovës dhe Diasporës.

Po përse  periudha e post diktaturës dhe e tranzicionit krahas problemeve të ashpra politike  dhe ekonomike po vazhdon nën justifikimin e `çmitizimeve` dhe të ashtuquajturës  së `nxjerrjes të së vërtetës` edhe sulmin kundër Heronjve të Shqipërisë  për ti ç`kurorëzuar e për të kurorëzuar individë të tjerë me të kaluar të dyshimtë apo  pa asnjë motiv apo veprimtari pro atdheut?

 Gjithçka filloi pas  shembjes së komunizmit dhe idea e fillimit nga ZERO e çdo gjëje, kapi jo vetëm  politikanët e rinj (të asaj kohe dhe çuditërisht të gjithë 173 personat ishin ose ish drejtues komunistë apo ish sigurimsa e ish spiunë) të miratuar nga Ramiz Alia për të drejtuar ndryshimin e Shqipërisë drejt kapitalizmit.

Ndryshimet filluan me idenë e ZERIMIT (bërjes `0`  të çdo gjëje, sepse Perëndimi.. do të na japë Çekun e Bardhë).  Zerifikimi vazhdoi përveç politikës edhe në ekonomi, financë dhe vazhdoi edhe problemet sociale  etj.

Natyrshëm ndryshimet duhej të bëheshin, por radikalizimi i ndryshimeve u bë me qëllim që të mbuloheshin apo kamufloheshin e kaluara e atyre që bënë ndryshimet, si dhe kamuflimin dhe mbulimin e ndërhyrjes së huaj për ta mbajtur Shqipërinë e destabilizuar dhe të përçarë.

 Këto sulme të Harresës  dhe Nënvlerësimit, u nisën nga përpjekjet për të prishur gjuhën standarde të miratuar nga Kongresi i vitit 1972 ku morën pjesë 102 gjuhëtare nga Shqipëria dhe trojet shqiptare e diaspora. Lufta u iniciua nga Arshi Pipa në fillim dhe më vonë nga plot individë kryesisht persona të cilat kanë vuajtur nga diktatura dhe krahas shembjes së komunizmit kërkojnë shëmbjen e çdo gjëje që u krijua në atë kohë duke harruar se çdo gjë e mirë e krijuar në kohën e diktaturës ka patur vulën e profesionistëve dhe popullit punëtor të asaj kohë.  Sot ky sulm  shumë vjeçar plot urrejtje krahinore ka dështuar, megjithëse rreziku mbetet nëse disa  drejtues të Kosovës që kërkojnë një identitet të ri Kosovar dhe do të vazhdojnë konfliktin absurd që i shërben vetëm fqinjëve për të mbajtur një Shqipëri, Kosovë  dhe faktorin shqiptar të dobët e të përçarë etnikisht dhe nga ana religjioze.

Sulmi i dytë i Harresës dhe i nënvlerësimit, u krye me pretekstin e çmitizimit të Heroit Kombëtar  Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, dhe ky sulm erdhi pikërisht pas vendosjes së bustit të Heroit Kombëtar në Prishtinë, i cili vazhdoi me heqjen e Bustit të Heroit Kombëtar nga Zyra e Kryeministrit Nano dhe Berisha të asaj kohe kur erdhi dy herë për vizitë Erdogani (në atë kohë Kryeministër), por dhe nga disa intelektuale që vuajtën burgjet e diktaturës si Lubonja i marrë etj. Ngatërresa erdhi edhe nga botimi i Historisë së Skënderbeut nga austriaku Shcmitt, i cili nuk bëri gjë tjetër veçse kopjoi Historinë e Barletit, dhe doktoratën e shkëlqyer të Nolit të Historisë së Skënderbeut, duke i dhënë shkas anti-shqiptarëve dhe radikalistëve islamikë shqipfolës, të ofendonin dhe të deformonin historinë e Heroit Kombëtar.

Sulmi tretë dhe po aq i shëmtuar i Harresës dhe i nënvlerësimit, u nis dhe po vazhdon për të nihilizuar dhe harruar rilindasit  e Shqipërisë, ata të cilët krijuan  parakushtet dhe ngritën ndjenjën kombëtare shqiptare duke larguar mjegullën anti kombëtare të përhapur në trojet shqiptare të Perandorisë osmane se shqiptarët nuk janë turq dhe grekë dhe as latinë sipas përkatësisë fetare, por shqiptarë.

Këtu rol të lavdishëm si Rilindas, e kanë Vëllezërit Frashëri dhe kryesisht intelektualët ortodoksë  e katolikë si dhe myslimanë  të asaj kohe, Naim Frashëri, Jeronim de Rada, Zef Skiroi, Anton Zako Cajupi, Gavril Dara i Riu, Ndre Mjeda, Asdreni, Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, Konstandin Kristoforidhi dhe Zef Jubani, Pashko Vasa, Hasan Tahsini,Babë Dudë Karbunara, Josif Bageri, Bajo Topulli, Çerçiz Topulli, Dhimitër ilo, Mihal Grameno, Grigor Cilka, Gjerasim Qiriazi, Gjergj Qiriazi, Gjok Shqiptari, Halit bej Bërzeshta, Hasan Qinami, Dervish Hima, Koto Hoxhi, Ismail Qemali, Jani Vreto, Jovan Kosturi, Shahin Kolonja, Faik Konica, Kristo Meksi, Kristo Qiriazi, Loni Logori, Petro Nini Luarasi, Llambi Goxhomani, Milo Duçi, Kristo Negovani, Ndoc Nikaj, Nuri Sojliu, Pandeli Sotiri, Parashqevi Qiriazi, Dhori Qiriazi, Jeronim de Rada, Risto Siliqi, Sali Butka, Selam Musai, Zef Serembe, Sevasti Qiriazi-Dako, Smajl Martini ivezaj, Spiro Kosturi, Filip Shiroka, Tef Curani, Mihal Turtulli, Pashko Vasa, Naum Veqilharxhi, Zyhdi Ohri, Spiridon ilo Dhe së bashku me ta pak më të vonshëm, pasi u formua Shqipëria, edhe Fan Noli i Madh, Luigj Gurakuqi, z. Bumçi, Bajram Curri, e Avni Rustemi e plot të tjerë.

 Të gjithë këta rilindas të shkëlqyer i janë nënështruar sot një harrese të qëllimtë e cila i shërben në fakt vetëm anti-shqiptarëve dhe radikalistëve islamikë, të cilët po përpiqen të paraqesin Shqipërinë si një vënd islamik dhe jo europian. Sigurisht këtu luajnë rol politikat ekstremiste dhe djallëzore të fqinjëve të cilët kërkojnë nëpërmjet nënvlerësimit dhe harresës të heronjve shqiptarë duke mos  kujtuar veprën e tyre, por duke nxitur që të kujtohen pseudo-heronj, që shumë mirë u përshtatet Hymni kombëtar kur flet për tradhëtarët, dhe që tregon se problem i tradhëtisë në Shqipëri është një fenomen shumë shqetësues që pasi u krijua Shqipëria, ndoshta dhe më përpara.

Sulmi katërt i Harresës dhe Nënvlerësimit, është drejtuar kundër heronjve të luftës Nacional –Çlirimtare, lufte e cila u drejtua nga Fronti Nacional Çlirimtar dhe me një ushtri partizane të drejtuar nga një patriot (dhe aspak komunist) si SpiroMoisiu dhe në bashkëpunim me Aleatët e mëdhenj SHBA-Angli-BRSS. Duke u përpjekur të deheroizojnë Heronjtë e luftës nacional- çlirimtare të cilët ishin patriot të vërtetë se luftuan kundër pushtuesve nazi-fashistë, disa individë po përpiqen dhe ja kanë arritur qëllimit që disa nga kolaboraacionistët me pushtuesit të na i servirin si heronj. Kjo gjë nuk ka ndodhur në asnjë vend të Europës Perëndimore, qeveritë përkatëse të tyre i kanë dënuar tradhtarët dhe kuizlinget me ligj të cilat nuk i kanë abroguar. Disa pseudohistorianë, ndoshta për të treguar se dinë shumë, disa të paguar nga jashtë, dhe disa për tu hakmarrë nëpërmjet institucioneve të ngritura të pas diktaturës,  janë duke shpërdoruar postet e tyre dhe Mediat për të paraqitur luftën si luftë civile dhe së dyti duke bashkuar historinë e luftës nacional çlirimtare me vendosjen e diktaturës komuniste. Në fakt Lufta Nacional çlirimtare përfundoi me 29 nëntor 1944 , kurse diktatura u vendos më 1946 kur u bë e ditur emri i Enver Hoxhës si Kryetar shteti, pas vrasje së deputeteve. Harresa ndaj heronjve të luftës dhe zerimi i ngjarjeve, çon ujë në mullirin antishqiptar, dhe shtrembëron historinë.

Së fundmi është përplasja e heronjve fetarë e cila nihilizon heronjtë e secilës palë duke e lënë Shqipërinë pa histori dhe pa identitet. Është e vërtetë se idea e Pashko Vasës së Feja e shqiptarit është shqiptaria, por eksperienca 500 vjeçare e sundimit Osman, traditat e reja të krijuara pas instalimit të fese së respektuar islame në vendin tone, qoftë në popullatën arbërore-epirote qoftë në atë të ardhur, shkaktuan një problem të madh dhe shqetësues në Shqipëri dhe trojet shqiptare ndër vite, e cila u lehtësua sado pak nga vetë popullata shqiptare nëpërmjet tolerancës fetare dhe bashkëjetesës së shkëlqyer fetare që ekziston sot.

Sidoqoftë Radikalizmi kryesisht islamik në trojet shqiptare kryesisht në Kosovë  e më pak në Shqipëri, politika Erdoganiste e ekspansionit turk në Ballkan po përpiqet të prishë ekulibrin social dhe fetar, por vetëm arsimimi i popullatës së çrrënjosja e varfërisë mund ta mposhtë këtë të keqe, sepse ndryshe themelet kombëtare të krijuara nëpërmjet Binomit FE+ ATDHE (në të cilën elementi Fe në Shqipëri nuk ekziston sepse është polimorf) do të shkatërronin shtetin shqiptar dhe atë Kosovar.

Këto pesë elementë që po dëmtojnë rëndë Shqipërinë   të cilat nxiten nga përplasja politike 30 vjeçare, duhet të mbahen nën kontroll, ndryshe pas disa dhjetëra vitesh Shqipëria nuk do të ketë më histori, por do të mbetet ashtu si deklaroi në 1878 në Kongresin e Berlinit, Bismark - se.. `Shqipëria është një shprehje gjeografike`……

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...