Albanët, dardanët dhe futbolli - Bota Sot
Albanët, dardanët dhe futbolli

Opinione

Albanët, dardanët dhe futbolli

Nga: Fadil Lepaja Më: 11 shtator 2019 Në ora: 11:39
Fadil Lepaja

“E dua Serbinë, popullin serb, por jo edhe Kosovën”, deklaroi këto ditë, gjatë vizitës zyrtare në Beograd, një burrë shteti, presidenti i një vendi i cili e ka njohur Kosovën. Ku duhet kërkuar arsyet e kësaj deklarate, në politikë apo në sport? Apo tek pëlqimet? Por, me presidentin çek, do të merremi më poshtë, kur të vijë radha për të folur për (keq)përdorimin e sportit nga politika, jo vetëm e huaj.

Po e fillojmë me limonët, luanët, edhe “Dardanët”. “Nëse nga qielli bien limonë, bëjë limonadë”! Kështu thotë një fjalë e urtë, për të cilën veç një zot e di se kush e ka thënë i pari. Sidoqoftë, merret si thënie që shprehë dominimin e arsyes së shëndoshë, mbi rrethanat e pavolitshme. Ne e dimë se i moçmi, ka thënë ashtu, apo kështu, se ka lënë shumë fjalë dhe ka ikur. I moçmi është pa identitet, njeri me përvojë jetësore, i cili ka folur “live”, nëpër oda, nuk ka shkruar statuse, dhe nuk pretendon asnjëherë në të drejtat e autorit. Por i moçmi, nuk jetonte nga pëlqimet nëpër rrjete sociale. Diku kanë rënë limonë, ndërsa në shoqërinë tonë nga qielli bien vetëm fjalë. Kur nga qielli bien fjalë, atëherë bëj statuse! Çfarë të bësh tjetër me fjalët? Sot jetohet nga pëlqimet.

Nga pëlqimet jeton edhe politika, e cila e veshur hyn në zhveshëtore të lojtarëve, kur ata fitojnë. Politika rreshtohet edhe në shkallët e stadiumeve, duke “veshur” numrat e lojtarëve më të famshëm. Për pëlqime, bëhen edhe komentet e tyre për fitoret e “kombëtares”, për ekipin i cili nuk di të humbë, qoftë edhe kur vendi është buzë greminës. Sidomos në fushatë parazgjedhore.

Sidoqoftë, trajneri i Kosovës, kur erdhi nga një “kanton kosovar” në Zvicër, në Kosovë e gjeti familjen, si institucion qendror, dhe sipas modelit të saj e formë(s)oi edhe ekipin, pra kombëtaren. Ai e kuptoi se në Kosovë funksionon vetëm familja. Shteti u përket disa familjeve. Nëpër institucione dhe në nëntokë. Gjithçka që është efektive e ka emrin e familjes. Shteti i takon familjeve, ekonomia i takon familjeve. Qytetari jashtë familjes nuk ekziston si institucion. Familja e jo qytetari është sovrani, në realitet. Kushtetuta thotë ndryshe. Por kushtetuta dhe kushtetuesja, janë temë tjetër. Edhe Ahtisari, dikurë ishte “trajner” i politikës kosovare...!

“Në Kosovë familja është institucion”, tha zvicerani më i famshëm në Kosovë. “Nëse dikush në familje bën diçka të bukur, shfaqet një krenari. Ky mentalitet ka zënë rrënjë te lojtarët. Ekipi ynë duhet të jetë si një familje e vërtetë, ku të gjithë ndihmojnë”. Kështu tha, e kështu u bë. Gjeti familjen, bëri “Dardanët”.

E familja , tradicionale kosovare ka shumë anëtarë, dhe në të rolin kryesor e luan... diaspora. Ah, diaspora jonë e cila , verës merr aq shumë komente negative në rrjetet sociale, dhe e cila sjell aq shumë para në këtë vend, në të cilin biznesi kryesor është politikën.

Pra, diaspora jonë është krejtësisht e paarsyeshme. Ajo bëri që në Londër të dukej se “Dardanët” nuk janë mysafir. Çfarë mund të thuhet në fakt, për tifozët e “çmendur” të cilët nga djelmoshat kërkonin fitore edhe kur ata po humbnin me 5:3! “Duam fitore” kërkonin tifozët, në një ndeshje epike, ku Davidi e Golijati i harruen rolet, ku po këmbenin golat, pa e shikuar radhën, përparësinë, apo fuqinë. “E ku di fëmija”, do të thoshte i moçmi, nëpër statuset e komentuesve profesionist, nëpër rrjetet tona sociale.

“Lions”, i quajti edhe kryeministri shqiptar, “Dardanët”, pas ndeshjes me Çekinë. Ai ka aktualisht dy tema: Presidentin dhe “Dardanët”. Kur jemi te politika, këtë entuziazëm, nuk e ndau me Edin, Presidenti i Çekisë, Milosh Zeman, i cili gjatë vizitës së tij në Beograd, dha një deklaratë aspak “diplomatike”. E kujt i bënë, nëse na do Zeman, apo jo? Kush humbë, ka drejtë të hidhërohet. Edhe droni i presidentit nuk fluturoi mbi Prishtinë.

Përndryshe, “Çka di fëmija”, ishte statusi më emocional, i këtyre ditëve, e mund të jetë slogani i kësaj gjenerate, jo vetëm në sport. Kjo thënie, e përditshme, dikur shprehte arsyetim për të gjitha sherret e fëmijëve, pa harruar se asokohe nënë këtë term përfshiheshin edhe të rinjtë, por edhe gratë. Fëmijë mund të ishe jo vetëm me moshë, por edhe me nivelin e arsyetimit. E ku dini shqiptarët çka është limonada asokohe? Asnjëherë nuk ranë nga qielli ynë, limonë. Te ne vetëm, fjalë bien nga qielli.

Sidoqoftë, jeta ecë tutje. Debati do të vazhdojë ende, për kombëtaren. Cila është kombëtare e cila përfaqësuese. Kush mund të luaj andej e kush këndej. Sidoqoftë, vëmendja e mediave globale është me fisin e “Dardanëve”. Albanët, kanë mbetur jashtë mediave ndërkombëtare. Ata po luajnë arsyeshëm. Po humbasin kur duhet, kur pritet. “Dardanët”, po sillen si fëmijtë...!

A janë më të mirë në futboll, fisi i Dardanëve apo Albanëve? Natyrisht, fiset dhe kombet janë në një raport historik. Në fillim ishte futbolli, ishin fiset, pastaj erdhën kombëtaret? Ky i fundit, nëse jo historik, është bërë gjithsesi një raport histerik.

Kombëtarja e Kosovës, mund të forcohet edhe me ndonjë lojtar cilësor nga Shqipëria. Fundja, jemi një komb. Mjafton të merret shtetësia e Kosovës. Shtetësinë e jep presidenti! Le krejt...

E përse po ta zë rrugën presidenti duke pirë çaj në Japoni, mund të pyes dikush? Nuk ma zë, fare. Politika jonë mund të mësojë shumë nga etika japoneze...!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...