Ëndrra e hirtë e politikës - Bota Sot
Ëndrra e hirtë e politikës

Opinione

Ëndrra e hirtë e politikës

Nga: Fadil Lepaja Më: 18 shtator 2019 Në ora: 10:59
Fadil Lepaja

“Bëje Zot ëndërr”, po i lutej Zotit një politikan i ri, kosovar, i cili sapo kishte aderuar në njërën nga partitë e forta në vendin tonë krejtësisht të brishtë dhe ende të panjohur plotësisht nga faktori ndërkombëtarë. Të panjohur përpos në futboll dhe xhudo, natyrisht. Edhe në muzikë. Edhe në shumëçka tjetër për çka nuk ka merita politika. Edhe përkundër “selfijeve”, “belfijeve”, dhe “gjitha “ijëve” tjera, për futboll dhe sport, meritat e politikës janë krejtësisht të dyshimta, por, mos të ngatërrohemi qysh në fillim. Po flasim për ëndrrat e politikës. Ëndrrat e saj të hirta.

Në këtë shkrim nuk është fjala për atë partinë e fortë komike, e cila dikur na bënte të qeshim e të qanim njëkohësisht, të krijuar dikur enkas për nevoja të veçanta të oligarkisë e cila donte të ...! Le! Askush nuk e dinte në fakt, çfarë donte oligarkia, apo pse ishte themeluar ajo parti përveç se dihej që e kishin formuar të fortët. A nuk e kanë të njëjtin qëllim të gjitha partitë, sot? A nuk formohen për të argëtuar masën dhe për të arkëtuar votën? Idelizma ka vdekur prej kurë mediat shesin terminet.

Nejse, politikani i ri, ishte përkundur tërë ditën në ëndrra rozë për pushtetin, dhe krejt kjo filloi të i luhatej parasysh derisa po i shihte sondazhet dramatike në njërin nga mediat tona nacionale. E kishte zënë fushata moderatorin, e qe besa edhe publikun. Nëse e ke hapur rastësisht kanalin, domosdo edhe ti do të përfshiheshe nga atmosfera.

Heroit tonë, të këtij rrëfimi, po i përzihej dhe po i merreshin mendtë, gjithnjë në kuptimin metaforik dhe euforik të fjalës. “Nuk është e mundur të ndodhë kjo çfarë po më shohin sytë”, tha dhe i fërkoi sytë. Prej nga gjithë këto vota, qoftë edhe digjitale? “Paraja e kthen edhe ujin përpjetë” ka thënë i moçmi, ju kujtua thënia e moçme dhe mezi u bind. Vështirë u bind, edhe pse vet ja kishte “tha” paret kësaj pune.

“Ne që e çliruam këtë vend, a nuk është e drejtë të qeverisim së paku derisa kjo gjeneratë të pensionohet e kishte pyetur mbrëmë komandanti i dikurshëm, tashmë i veshur me kostumin blu me yjet e verdha në kravatë? Para se të përgjigjej, e ktheu një gotë.

“E drejtë është”, ja ktheu, edhe pse kur ishte çliruar vendi ky mund të kishte pasur e shumta pesë vjet. Kështu e mbylli edhe këtë ditë përplot me dilema dhe stres. Fjeti vetëm para mëngjesi, derisa nga bebëzat ende nuk i ishin shlyer shifrat, të cilat treptinin gëzueshëm, edhe pse të cilat ende askush nuk i besonte, e më së paku ai vet! Por ai nuk ja linte gjërat besimit. Besimi duhej krijuar. Për të edhe Zoti ishte vetëm se “brandi” më i suksesshëm i njerëzimit, si thoshte ai shpesh, nëpër debate përplot arsye, me gotën përpara.

Atë natë, edhe komandanti, tashmë i rryer në politikë, ra me fjete vonë , me emocione të përziera. U rrotullua për disa orë rresht, në shtrat derisa e zuri gjumi. Kishte kohë që nuk i kishte ikur gjumi kështu, për arsye të cilat dikur as i bënte hesap.

“Sondazhet e mallkuara. I paskan porositur edhe këta”, mërmëriti nëpër dhëmbë. Në një medium tjetër po rrotulloheshin numra të tjerë. Aq shumë i kishte rritur bebëzat nga habia, sa fare lehtë mund të ja lexoje nga aty numrat digjital që xixëllonin hareshëm në ekranin e larmë e me ngjyra të “dhezta”. Aty po fitonte opozita.

E dinë lojën “ujqit e hirtë”, të politikës, tha ai me vete. Ashtu i quante, ai, një pjesë të opozitës me të cilën kishin qeverisur gjatë, qoftë nëpër institucione, qoftë nëpër sofrat tradicionale, ku shpesh merreshin vendimet të cilat vetëm më vonë formalisht aprovoheshin në parlament apo qeveri.

A është e mundur të ndodhë, po pyetej ai, duke e sharë veten përse e kishte shtypur pilotin digjital dhe kishte kaluar në kanal tjetër, në kanalin e tyre, duke ikur aksidentalisht nga kanali televiziv i partisë së tij, i angazhuar të transmetonte ëndrrat e partisë së fortë, në këtë sezone.

Po e shihni pra se ky është një tregim, që ka të bëjë me ëndrrat dhe zgjëndrrat e politikës. Ëndrrat e hirta të politikës, shpërfaqin dëshirën për me i marrë dhe me i konservua përjetësisht privilegjet. Ju kujtohet ëndrra partizane, e cila na kujton filmat bardh e zi, kur partizanët e veshur keq, dhe të armatosur dobët hynin fitimtarë nëpër qytete, pasi kishin shpartalluar pushtuesin e egër dhe menjëherë fillonin të merreshin me kulakët. Gjithnjë bëhet fjalë për pasuritë që duhen marrë prej dikujtë. Pastaj krejt kjo projektohet në art, kulturë, debate, me një fjalë shndërrohet në ideologjinë e kohës së re, të meritave, ndryshimeve revolucionare.

Ndryshimet revolucionare sjellin në skenë elitën e re, edhe më të pasur se e shkuara. Vetëm populli mbetet i përjetshëm në besimin e tij se një ditë do të bëhet më mirë. Vazhdimisht nxjerr idealist që sakrifikohen për një të nesërme më të mirë. E nesërmja më e mirë, ka kohë që ka ardhur, por ne nuk e kemi hetuar ende. Këtë punë ka politika...

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...