Rusët e vegjël në Ballkan - Bota Sot
Rusët e vegjël në Ballkan

Opinione

Rusët e vegjël në Ballkan

Nga: Merxhan Jakupi Më: 10 tetor 2019 Në ora: 12:33
Merxhan Jakupi

Sllavët e Europës Lindore dhe qëndrore – polakët, çekët, sllovakët, kroatët dhe slovenët, kanë qenë me Perandorinë e Shenjtë të Romës me konfesion katolik dhe konsiderohen popuj që i takojnë qytetërimit perndimor. Kurse sllavët e jugut – serbët, malazezët, maqedonasit, së bashku me sllavët e lindjes – rusët, bjellorusët dhe ukrainasit lindorë, kanë konfesion të njëjtë orthodoks (nën juridiksionin e Patrikanës Lindore të Moskës) dhe me alphabet cirilik. Këta popuj i takojnë qytetërimit lindor të Bizantit. Nga sllavët e jugut Serbët kanë qenë më së shumti të lidhur tradicionalisht kulturalisht dhe shpirtrisht me rusët. Në Europë ata konsiderohen si ‘rusët e vegjël’ në Ballkan. Për shekuj me radhë Rusia ka qenë e lidhur me këta popuj dhe ka pasur influencë në Ballkan.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe me ardhjen e Vladimir Putinit në krye të shtetit rus, Moska është rikthyer në arenën globale dhe në Ballkan. Me anë të agjensisë së mirënjohur ruse të lajmeve ‘Sputnik’, në mass-media, gazeta dhe portale, Moska vitet e fundit është duke ndërhyrë me propagandë dhe shërbim inteligjence, si KGB-ja e dikurshme e Bashkimit Sovjetik.

Sipas gazetës BLIC, Sputniku nëpër radio, portale dhe gazeta ka ndikuar në propagandën anti-europjane.

Sipas një sondazhi, qytetarët në Serbi dhe në Sërbska Republika kanë qenë mbi 67 % pro unionit europjan, kurse tani thuhet se ka rënë në 50 %. Narrativa, proklamimi, imazhi, apriori mes këtyre mediave tregojnë se Moska tenton që ta mbajë status quon që dy shtete – Kosova dhe Sërbska Republika të mos integrohen në strukturat e NATO-s dhe Unionit Europjan. Pas hyrjes së Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO dhe humbjes si aleatë të Greqisë dhe Qipros, Rusia tenton që t’i mbajë nën ombrellën e saj Serbinë dhe Sërbska Republikën si aleatë në Ballkan.

Sipas një analisti e politollogu nga Novi Sadi, Rusia me anë të Sputnik-ut ka më se 40 portale dhe radio në Sërbska Republika, propaganda e të cilave ka ndikuar shumë në tensionimin e marrëdhënieve etnike midis Serbisë e Kroacisë, Serbisë e Kosovës, Serbisë e Malit të Zi dhe mbrenda Federatës së Bosnjës. Rusia, në vend të fondeve për investime apo  hapjes së vendeve të punës, eksporton më së shumti  dashuri religjioze, romantizëm orthodoks. Shembull:  Gjatë viteve 2000-2015  Bashkimi Europjan ka investuar në këto vende mbi 5 miliardë euro kredi e fonde, kurse “vëllai i madh” ka dhënë vetëm 400 milionë euro për rekonstruksionin e hekurudhave.

Një ish-diplomat nga Beogradi dhe ish-korrespondent shumëvjeçar në Washington Post thotë se e vetmja gollo-ideologji nacionaliste dhe nacionalo-patriotike e nacionalo-romantike është melhem, instrument për pushtetarët autokratikë e populistë siç janë Aleksandër Vuçiç në Serbi dhe Millorad Dodik në Bosnjë. Këta nacionalo-populistë dhe autokratë e shfrytëzojnë situatën latente, konfuze të masës së pakënaqur me papunësinë, koston e lartë të jetesës, etj. për interesat e politikës së tyre. Ata përpiqen t’ia largojnë vëmendjen popullit nga hallet e tyre duke e bërë të besojë për gjoja rrezikun që u vjen nga fqinjët.

Vladimir Putini – idoli, miti i pathyer

Vizita e Vladimir Putinit vitin e kaluar ishte vizitë e jashtëzakonshme. Asnjë burrë shteti deri tani nuk ishte pritur në mënyrë aq spektakolare dhe pompoze. Përveç paradës ushtarake, kishin dalë për ta pritur mijëra qytetarë. Qeveria kishte rezervuar autobuza, trena e tramvaje për të ardhur sa më shumë njerëz nga të gjitha provincat dhe qytetet. Vizita e Putinit në Serbi ngjante si në ish-Federatën Jugosllave kur Titoja vizitonte kryeqytetet e republikave ish-jugosllave. Vladimir Putini është figura dhe personaliteti i dytë më i adhuruar nga serbët pas Sllobodan Millosheviçit. Vizita e Putinit për serbët ishte një mesazh demonstrimi për t’i treguar Perëndimit se ‘ne kemi aleatë’ dhe po të duam mund t’i bashkangjitemi aleatit tonë tradicional. Një akademik dhe këshilltar i Vuçiçit tha: “Pas dinastisë cariste të Romanovëve, Vladimir Putini është lideri ynë shpirtror më i ngushtë.”

Analisti politiko-ushtarak i të përditshmes Politika Mirosllav Llazanski në një koment pohon: “Serbia nuk ka nevojë për NATO-n. Rusia është duke prodhuar raketa, avionë ushtarakë dhe tanke modernë e të sofistikuar që ia tejkalojnë SHBA-s.” Llazanski shton: “Në të ardhmen një kontigjent i ushtrisë së Serbisë i përbërë nga 400 ushtarë do të jetë pjesë e trajtimeve  dhe ushtrimeve të sistemit raketor ES”.

XXX

Revizioni historik, retorika nacionaliste dhe Sputnik-u, që kanë më shumë popullaritet dhe tek të cilat më  së shumti është fokusuar popullata e Sërbska Republikës, i  kanë tensionuar marrëdhëniet ndëretnike midis serbëve dhe boshnjakëve. Ka pasur edhe konflikte të armatosura që kanë shkuar deri në vrasje mes gupeve etnike. Kjo nuk do të thotë se mund të fillojë lufta, por më së shumti kjo situatë konfliktuale i konvenon liderit të Sërbska Republikës Millorad Dodik, i cili është pinjoll i Vladimir Putinit. Pas kriminelit të luftës Radovan Karaxhiçit, tani Putini është shndërruar në mit, idol dhe ikonë tek serbët e Bosnjës. Në ish-Federatën Jugosllave kjo republikë ka qenë pro-jugosllave. Më se 25% e popullsisë së saj kanë qenë të regjistruar si jugosllavë. Akoma edhe sot shumë boshnjakë muslimanë e mbajnë portretin e Titos të varur në sallon. Vladimir Putini konsiderohet si armik i Perëndimit, i SHBA-s dhe i NATO-s. Kurse shumica e serbëve në shtëpitë e tyre mbajnë të varur fotografi të Putinit. Shumë bulevarde, rrugë, shkolla e sheshe janë emërtuar me emrin e prijësit rus. Rëndom shikon të emërtuar “Putinovo Sello” (Fshati Putin) ose Rruga (ose Lagjja) “Vladimir Putin”. E njëjta gjë vërehet edhe në pjesën veriore të Kosovës, ku Vladimir Putini konsiderohet heroi shpëtimtar i popullit serb. Ata mendojnë se me ndihmën e Rusisë do t’ia rikthejnë Kosovën Serbisë. Boshnjakët u përballën me synimet nacionaliste të serbëve dhe hegjemoninë serbomadhe. Ata u bënë populli i dytë në Europë pas hebrenjve që pësuan masakra masive dhe gjenocid  të mirëfilltë në luftrat ballkanike dhe gjatë shpërbërjes së Federatës Jugosllave.  Boshnjakët si popull kishin mbetur thuajse fare pa mbështetje dhe aleatë; i vetmi vend mik i tyre ishte Turqia. Publicisti, romancieri dhe politologu karismatik malazez musliman Fahrudin Radonçiç shkruan se te serbët dhe malazezët është rrënjosur me kohë fraza e Petar Njegoshit “Shumë më i keq është një serb ose malazez i turqizuar se një turk.” Ai rrëfen se kur ishte në Universitetin e Podgoricës, e ndjente veten si qenie jashtëtokësore, “sikur vija nga Marsi”, thotë ai. “Në Jugosllavinë e Titos, pra në kohën e Federatës Jugosllave, unë isha konvertuar në ateist malazez me idealin “vllazërim-bashkim”, pastaj u konvertova në malazez orthodoks. Ata ushqenin urrejtje patologjike ndaj meje, më konsideronin si qenie inferiore, si të isha ‘delja e zezë’. Konvertimet ishin të kota, pasi, sipas Petar Njegoshit, unë isha një malazez i turqizuar, që do të thotë se isha më i keq se një turk. Më në fund u shpërngula në Sarajevë.”

Shqiptarët të vetmin aleat të ngushtë kanë Amerikën. Qysh nga fillimi i viteve 1990-të e deri në fund të vitit 1999 shqiptarët dhe boshnjakët – këta dy popuj kanë pësuar masakra, dhunime, çfarosje massive, gjenocid e etnocid të vazhdueshëm. Sipas projekteve famëkeqe të Akademisë së Shkencave të Serbisë, kishës orthodokse serbe dhe forcave ushtarake serbo-çetnike, këta dy popuj duhej të flakeshin në det dhe duheshin fshirë nga faqja e dheut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...