Ndjekja penale - rrjedhë e vetingut në drejtësi

Opinione

Ndjekja penale - rrjedhë e vetingut në drejtësi

Nga: Alpin Ollogu Më: 18 tetor 2019 Në ora: 19:22
Alpin Ollogu

Supozojmë rastin më të mirë, aplikimin e vetingut reformues në drejtësi, ku shumë prej gjyqtarëve dhe prokurorëve në R.Maqedonisë së Veriut, nga shkaku i moskalimit në këto filtra, përpos që pritet të shkarkohen nga detyrat bartëse, rrjedhimisht, të dalin edhe para organeve të drejtësisë, për veprat penale që lidhen kryesisht me keqpërdorimin e detyrës zyrtare – rryshfet, meqë faktori esencial i shkarkimit nga detyra, pasuria e pajustifikuar, e ka përfundimin logjik të elementit korruptiv. Më pastaj, për lidhjet me organizata dhe struktura korruptive të përfshira në segmente politikë, biznesit apo organizata joqeveritare (si ajo e Boki 13). E deri në krijimin e tensioneve ndëretnike me aktgjykimet e dirigjuara dhe shpesh herë raciste, siç është rasti i një pjese të subjekteve të drejtësisë në vendin tonë, kryesisht të etnisë maqedonase. Kjo si element plus i arsyeve se pse partitë e mëdha maqedonase LSDM dhe VMRO, ngurrojnë dhe polemizojnë miratimin e vetingut në gjyqësor, nga lidhjet dhe frika e zbulimeve të ndërsjella antiligjore me autorët e veprave penale, mjerisht, të veshur me mantelin e ndarësit të drejtësisë.

Një kërkesë - kushtëzim i këtillë, për ti ndjekur penalisht gjyqtarët dhe prokurorët të cilët nuk mund të justifikojnë pasurinë, e ka kërkuar së fundmi Bundestagu gjerman, si kushtëzim për qeverinë shqiptare në dhënien e pëlqimit të hapjes së negociatave për anëtarsim në Bashkimin Evropian, kërkesë e cila është mirëpritur dhe pranuar nga kryeministri Rama, që tashme shumica parlamentare ka filluar përgatitjen e ligjit, ose me alternative plotësim-ndryshimin e ligjit të vetingut, me atë që “subjekti i rivlerësimit pas shkarkimit, shkon në ndjekje penale”. Procese penale vijuese këto, paralelisht me vetingun e pjesës tjetër e cila nuk i është nënshtruar akoma filtrave të tillë.

Theksojmë një fakt kyç në gjithë këtë proces jetik për shtetin e së drejtës, se me këtë procedurë, jo vetëm që mundësohet dënim penal për të korruptuarit e drejtësisë, por me shqiptimin e dënimit penal, mundësohet dhe konfiskimi i pasurisë, për të çuar drejtësinë në përputhje me logjikën e dëmshpërblimit të popullatës, kthimin e pasurisë së vjedhur nga xhepat e qytetarëve, në arkën e shtetit, mirëqenies shoqërore. Njekohësisht duke pamundësuar që rryshfetmarësit e sistemit, të mos mund të gëzojnë përfitimet korruptive.

Shkarkime të tilla, pasuar me denime penale dhe konfiskim pasurish, duhet të ngrihen në standart të lartë të shtetit ligjor dhe shembull për gjithë rajonin ballkanik, veçanërisht për vendin tonë me problematika të jashtëzakonshme në sistemin e drejtësisë. Qasja e këtillë serioze, le të bëhet mësim, “vath në vesh” për gjithë strukturën e gjykatësve dhe prokurorëve të cilët do ti mbijetojnë vetingut, por edhe ata që në të nesërmen do ti bashkangjiten sistemit të drejtësisë. T’ju bëhet me dije se nuk mund të keqpërdorin detyrën zyrtare pa u ndëshkuar, pa u hetuar imtësisht në skutat e tyre të manipulimit. T’ju bëhet me dije se detyra e caktuar është përgjegjësi e lartë në interes shoqëror, nuk është liri personale e grykësisë në pasurimet e shumta - nga shitja e aktgjykimeve dhe mbyllja e hetimeve/aktakuzave penale, apo taktizimi me vjetërsimin e lëndëve penale.

Mungesa e profesionalizmit dhe ndershmërisë së subjekteve të drejtësisë, bëhet shkak për lulëzimin e korrupsionit në gjithë instancat tjera shtetërore. Në rastin tonë, përfshirë Prokurorinë Speciale, e cila edhe po të mos dështonte në misionin e saj, përsëri s’kishte lidhje me reformën në drejtësi, pasi shërbente vetëm për një kategori të caktuar veprash penale të dala nga skandali i përgjimeve të paligjshmë, e gjithë përpjekja fiktive e “reformës” aktuale në drejtësi, me reformimin e këshillave gjyqësor, të prokurorëve, apo antikorupsioni i cili ka ngritur së fundmi procedura shkarkimi për disa gjyqatrë, është përpjekje pa asnjë ndikim minimal në reformën e pritur të drejtësisë së vërtetë, krahasur kjo me vetingun struktural të të gjithë sistemit, si dhe përgjegjësinë penale - rrjedhojë e këtij vetingu.

Për të bindur edhe më skeptikët në lidhje me këtë çështje, mjafton të ilustrojmë një nga aktet e këtyre kohëve, të Këshillit gjyqësor, për suspendimin dhe shkarkimin e Kryetarit të gjykatës supreme, Jovo Vangelovski, i cili humbi edhe pozitën e Kryetarit, por edhe atë të gjyqtarit. Ai u shkarkua nga detyra për shkak të jo-profesionalizmit dhe pa - ndërgjëgjshmërisë në ushtrimin e detyrës së gjyqtarit. Që do të thotë se, ai nuk u shkarkua për shkak të mojustifikimit të pasurisë, korrupsionit, ngase nuk ka organ që ta hetojë dhe ndëshkojë në atë aspekt. Pra, Vangelovskit nuk mund ti ngrihet proces penal për pasurinë e tij, dhe as nuk mund ti konfiskohet e njëjta. Kujtojmë që vetëm sipas Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Vangelovski, me pagën e gjykatësit, posedon një pasuri prej: Katër banesa në Shkup, hapësirë për punë, garazhe, tokë bujqësore në Paraqin të Serbisë, katër automjete (Leksus, Tojota, Krajsler dhe Mercedez Benz) vlera e të cilëve është 3.7 milionë denarë. Ka aksione me vlerë prej 2.1 milion denarë, kërkesë në lidhje me një hua prej 1.5 milionë denarë, divident, qira nga banesa, depozita në denarë me vlerë prej 800.000 denarë, hua prej 4.8 milionë denarë, katër kredi të paguara. Ar dhe bizhuteri me vlerë prej 1.2 milionë denarë, fotografi artistike 300.000 denarë dhe dy orë me vlerë prej 280.000 denarë.

Paramendojmë tani sesi ish Kryetari i gjykatës Supreme, i shkarkuar për jo -profesinalizëm në ushtrimin e detyrës, jeton me luksin e kësaj pasurie (kjo, pa u futur te pasuria e familjarëve që heton mekanzimi i vetingut). E jo vetëm që gëzon pasurinë, por nuk i rrezikohet as liria (burgosja) dhe as konfiskimi i pasurisë. Për vetë faktin se ai nuk është shkarkuar për mosjustifikim pasurie, nuk ka një mekanizëm vetingu për të kontrolluar mënyrën se si e ka ngritur pasurinë e shumtë, nuk ka një ligj adekuat për hetim penal në rast të mosjustifikimit. E që me siguri, nuk ka kush që mund tja justifikonte pasurinë Vangelovskit, as me të gjitha teknikat e justifikimit të pasurisë me të cilat janë orvatur pa suskses, të justifikojnë, gjyqtarët dhe prokurorët në R.Shqipërisë.

Çka është më absurde, Jovo Vangelovski , edhe pse i shkarkuar nga detyra, nuk e pengon askush të ushtrojë profesionin e avokatit. Ai nuk e vë ujin në zjarr, aq më tepër, kur ka popullaritet, përvojë profesionale, dhe lidhje miqësie me gjykatës dhe prokurorë, për tu mbarur punë shpejt dhe “pastër” klientëve të tij, si avokat i tyre i mundshëm. Ka liri të bëjë edhe pak politike dhe protagonizëm mediatik me ankesat ndaj Këshillit gjyqësor, ashtu si bashkëveprimtarët e tij të azilit politik në Hungari, që nuk ështe çudi, në një rrotacion qeverisës të palës maqedonase, ata përsëri të jenë bartës institucionesh.

Me këtë ilustrim të thjeshtë dhe të qartë, a mund të frikësohej ndonjë prej qindra prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar në vendin tonë?! A mund të frikësohej ndonjë prokuror dhe gjyqtar pa ju nënshtruar filtrave të vetingut, pastaj rrjedhës së përgjegjësisë penale, konfiskimit të pasurisë (kërkesa e Bundestagut Gjerman), si dhe moslejimin e ushtrimit të profesionit të avokatit?! Qesharake ta mendosh, aq më tepër, ta mendosh këtë nga pozita e të parit të qeverisë.

I pari i qeverisë - kryeministri dhe partia e tij, tanimë duhet të binden se ligavitja kundrejt Bashkimit evropian, për ti hapur vendit fillimin e negociatave të anëtarsimit, vetëm e vetëm për arsye të zgjidhjes se kontestit me Greqinë, u dëshmua si një ligavitje e dështuar. E dështuar edhe ligavitja për ta ndarë R.M.Veriut nga R.Shqipërisë, kur dihet që qeveria shqiptare është shumë para me reformën në drejtësi, luftën e bandave kriminale, apo koston e luftimit të së keqes së lojërave të fatit. Në një kohë kur në vendin tonë korrupsioni në gjyqësor, bashkë me korrupsionin në institucione tjera (që realisht është pasojë e mosfunskionimit të gjyqësorit), është e gjitha në një metastazë të frikshme korruptive, dhe këtë metastazë nuk mund ta ndalojë dhe kurojë reforma boshe në drejtësi, përfshirë ish Prokurorinë speciale apo këshillave gjyqësor të reformuar, që jo vetëm teorikisht s’mund ta bëjnë diçka të tillë, pasi s’kanë mekanizëm. Por praktikisht janë përdorur dhe mund të vazhdojnë të përdoren si kamxhik për të goditur oponentët politik, si në koalicionin qeverisës, ashtu edhe në opozitë, për ta bërë gjyqësorin edhe më të varur nga pushteti ekzekutiv.

Shtetet perëndimore mund të lëvdojnë ndonjëherë për punë të bëra mirë (si marrëveshja me Greqinë), të fusin në NATO për të shkuar ushtar në Irak ose gjetiu, por që të pranojnë hapje dinjitoze negociatash dhe anëtarsim në Bashkimiin Evropian, pa plotësuar kushtet themelore të shtetit të së drejtës, gjyqësorin e pavarur dhe luftimin e korrupsionit, atë duhet ta harrojë i pari i qeverisë. Prandaj kryeministri, para se të ëndërronte për Nobelin e paqes, hapjen e negociatave, ishte mirë të fokusohej në reformat serioze. Në këto kushte të mos-hapjes së negociatave për anëtarësim, kur vendi me gjasë do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, kryeministri le të pranojë dhe ta nisë projektligjin e vetingut në drejtësi, bashkë me rrjedhën e hetimeve penale për të ngecurit e vetingut, që të paktën, edhe nëse nuk do ti fitojë zgjedhjet, të ketë me çfarë të mburret në çështjen e reformave. Të mburret të paktën se ka vendosur një “R” prej reformës së vërtëtë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat