Fillimisht njohja e ndërsjellë e Kosovës dhe Serbisë e rrjedhimisht demarkimi i kufirit ndërmjet tyre! - Bota Sot
Fillimisht njohja e ndërsjellë e Kosovës dhe Serbisë e rrjedhimisht demarkimi i kufirit ndërmjet tyre!

Opinione

Fillimisht njohja e ndërsjellë e Kosovës dhe Serbisë e rrjedhimisht demarkimi i kufirit ndërmjet tyre!

Nga: Prof dr Riza Smaka Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 19:37
Prof dr Riza Smaka

Motoja:”Nolens Volens, kërkohet demarkimi e jo ridelimitimi kufitar i Kosovës me Malin e Zi dhe, demarkimi sipas linjes administrative të delimituar ndërmjet Kosovës me Sërbinë”

Gjatë caktimeve - delimitimeve dhe shënjimeve - demarkimeve të linjave kufitare ndërmjet shteteve , aplikohen veprime politike , juridike e teknike të shumëta e të ndryshme , nder të tjera, delimitacioni, demarkacioni, rektifikacion dhe akuizicioni.

Delimitacioni është proces dhe veprim kryesisht i karakterit politik në të cilin caktohen linja kufitare ndërshtetërore përgjatë pikave markante, dalluese, karakteristike përkah lartësia , forma dhe pozita( Kukoleça, Lexikon, 198, Pr. Lexikon, 166). Delimitacioni konsiston në përkufizimin ndërshtetëror politik, fillestar, parimor dhe të përkohshëm përderisa nuk do të precizohej nëpërmjet demarkacionit praktik e konkret në terren. Linja kufitare ndërshtetërore e delimituar , kudo dhe kurdo shërben për bazë politike e juridike për demarkacion të saj në terren.

Demarkacioni ( Demarquer: shënjim konkret e praktik i linjes ndërkufitare të delimituar më parë) është proces dhe akt i shënjimit të linjes kufitare ndërshtetërore në terren në zbatim dhe përfillje të linjes ndërkufitare të delimituar më parë.Demarkacioni është proces dhe akt i konkretizimit final të delimitacionit ndërkufitar. Delimitacioni kurdoherë i prinë demarkacionit e demarkacioni e konkretizon delimitacionin. Gjatë demarkacionit ,medomos, duhet të përfillet delimitacioni i kryer më parë .Praktikisht, demarkacioni nuk mund të bëhet para se të jetë kryer delimitacioni. Përderisa ,delimitacioni kryesisht është proces dhe akt politik ndërshtetëror eventualisht ndërkombëtar, demarkacioni konsiston në aktivitetin e karakterit profesional – teknik të realizimit të linjes egzistuese të delimitacionit

Akuizicioni (Acquisitio) është përfitim i njërës palë përkatësisht i një shteti në disfavorin e palës përkatësisht shtetit tjetër.Falë konstelacionit të relacioneve dhe interesave të fuqive të mëdha të kohës, Sërbia , ka pasë përfituar akuizicione territoriale , në vitin 1913 Kosovën e, gjashtë vjetë më pas, në vitin 1919 , edhe Vojvodinën. Akuizicioni ndërkufitar mund të realizohet edhe me marrëveshje ndërshtetërore nëpërmjet koncesioneve territoriale unilaterale. Akuizicionet unilaqterale janë të padrejta, hegjemoniste , okupuese dhe juridikisht invalidore. Ndërkaq akuizicionet reciproke të ballansuara gjatë demarkacioneve kufitare janë të pashmangshme, të pranuara e të qendruara.Nëpërmjet akuizicioneve të ballansuara bilaterale praktikohen rektifikacione kufitare të caktuara.

Rektifikacioni është proces dhe akt i korrigjimeve relative të pjesëve territoriale ndërshtetërore. Rektifikacionet gjatë demarkacioneve sipas delimitacioneve paraprake janë të nevojshme e herë herë edhe të paevitueshme për sa do të mund të diktoheshin nga topografia gjeografike, pronat , burimet ujore, kërkesat socio- ekonomike, historike etj.

Ndërmjet Kosovës , Malit të Zi ,egziston(te) linja administrative ndarëse e delimituar në vitin 1945

Ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi egzistonte linja administrative ndarëse nga viti 1945 përgjatë Çakorrit- Moknave- Hajlës dhe Kullës, e cila ,si e tillë , në procedurë as bazë legale asnjëherë nuk ka qenë kontestuar as ndryshuar deri në vitin 2018 kur , Kuvendi i Republikës së Kosovës, në vend të refuzimit, e pat ratifikuar Marrëvreshjen për Kufirin e Kosovës dhe Malit të Zi , e cila ,në vend të demarkimit - shënjimit të kufirit egzistues , mbështetej në ridelimitim- ricaktim të paautorizuar dhe të gabuar e mbi të gjitha të dëmshëm për territorin e vendit tonë për hiç më pak se për 8300 hektarë !

Me ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin e Kosovës dhe të Malit të Zi , tetëdhjetë deputetë të legjislacionit aktual, kanë pasë gabuar rëndë, nga se, e njëjta mbështetët, në vend në demarkim sipas delimitimit egzistues të pakontestuar e të pranuar edhe ndërkombëtarisht si bazë për demarkim( Arbitrarian Commission on Peace Conference on SFRY “ Badinter Arbitrarion Commitee “ 27. Avg., 1991) , në ridelimitim të paautorizuar dhe të gabuar e mbi të gjitha të dëmshëm për integritetin territorial të vendit tonë .

Për të qenë ironia edhe më e madhe , delegatët përkatësisht deputetët e Kuvendit të Kosovës ,deri tani, tri herë kanë pasë votuar në dëmin e vendit tonë:

në vitin 1945 për aneksimin e Kosovës Sërbisë Federale ,

në vitin 1989 për reduktimin e autonomisë politike të Kosovës në autonomi administrative – territoriale dhe

në vitin 2018 për zvoglimin tërësisht të dëmshëm e të gabuar të territorit të Kosovës për 8300 hektarë!

Edhe ndërmjet Kosovës dhe Sërbisë egziston linja administrative ndarëse egzistuese nga viti 1945

Subjektiviteti politik i Kosovës daton nga viti 1924 kur KOMINTERN-i apo Internacionala Komuniste, nder të tjera , ka pasë vendosur që, Kosova të organizohej si republikë punëtore – fshatare e pavarur alternativisht e bashkuar me Shqipërinë.

Në vitin 1937, nga Partia Komuniste e Jugosllavisë ( PKJ) Kosova trajtohej entitet politik i njejtë me Sërbinë, Kroacinë Slloveninë me Komitetitin Krahinor të PKJ-së Për Kosovën tok me Malin e Zi, Bokën dhe Sanxhakun . Vijimisht në Konferencën e Pestë të Vendit të PKJ-së të mbajtur në Zagreb në vitin 1940 ka qenë përparuar statusi politik i Kosovës në formë të Komitetit Krahinor të PKJ-së për Kosovën të lidhur direkt me Komitetin Qendror të PKJ-së sikunder edhe konstitutentët tjera të ish Jugosllavisë së dytë ( 1945- 1992).

Në Konferencën e Këshillit Antifashist Çlirimtar të Kosovës të mbajtur në Bujan të Malësisë së Gjakovës gjatë periudhës 31 dhjator 1943 – 1 dhe 2 janar 1944, unanimisht ka qenë vendosur qe pasë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore përkatësisht çlirimit të vendit qe Kosova ,t’i bashkohej Shqipërisë.

Përderisa, strukturat politike e shtetërore të ish Jugosllavisë së Dytë ( 1945- 92) ishin të ballansuara e të inspiruara me filozofinë dhe ideologjinë internacionaliste dhe kosmopolitiste , deri në vitin 1945 , ato e trajtonin Kosovën si një nga entitetet politike e në të ardhmën edhe shtetërore të barabarta me konstitutentët e shtetit federativ qe synohej të themelohej ! Ndërkaq , gjatë periudhës 1945 - 1966 strukturat politike e shtetërore të ish Jugosllavisë kanë qenë të predominuara e të influencuara fuqishëm nga eksponentët e politikave sërbe hegjemoniste veçanërisht kundër çështjes së shqiptarëve përkatësisht të Kosovës. Seandejmi , nëpërmjet insinuatave , spekulimeve , shantazhimeve më se të ndryshme, në Konferencën e Këshillit Antifashist Çlirimtar të Kosovës të mbajtur në Prizren gjatë periudhës 8 - 10 korrik 1945 ka qenë impozituar Rezoluta për si Aneksimin e Kosovës dhe Metohisë Sërbisë Federale! Edhe në Historinë e Kosovës nga Qasjet Multiperspektive të editorit “ Multiperspektiva” , theksohet se me Rezolutën për Aneksimin e Kosovës dhe Metohisë Sërbisë Federale, sërish ka qenë pushtuar Kosova si dhe delegatët qe nuk e kanë mbështetur aneksimin e Kosovës Sërbisë Federale kanë qenë likuiduar fizikisht në procedura të shkurtëra e të shpejta e ndonjë tjetër kanë qenë dënuar me burgosje shumëvjeçare.

Vijimisht , në vitin 1945 , Rezolutën për Aneksimin e Kosovës dhe Metohisë Sërbisë Federale e ka pasë miratuar KAÇKJ – AVNOJ-i ( Këshilli Antifashist Çlirimtar i Jugosllavisë).

Pasi që me Rezolutën për Aneksimin e Kosovës dhe Metohisë Sërbisë Federale të miratuar Vis , Claem , Precario nga KAÇK i Kosovës dhe Metohisë dhe të aprovuar nga KAÇKJ III, Kryesia e Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Sërbisë ka pasë miratuar Ligjin për themelimin dhe rregullimin e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë të shpallur në Gazetën Zyrtare të Republikës Popullore të Sërbisë nr. 28 – 45! Se sa shpërfillëse ishin strukturat politike e shtetërore të Sërbisë referuar statusit politik të Kosovës nder të tjera figuron edhe nga fakti i papresedencë qe Ligjin në fjalë nuk e ka miratuar Kuvendi – legjislativi por Qeveria e Sërbisë apo ekzekutivi i saj.Ndryshe nga pikëpamja juridike akti në fjalë i quajtur “Ligj...” apriori është nul nga se aktet ligjore kudo dhe kurdo miratohen nga legjislativi por asnjëherë e askund ( pos në Sërbinë e vitit 1945) nga ekzekutivi. Sipas Ligjit të sipërpërmendur, Kosovës dhe Metohisë i ka qenë definuar kufiri me Sërbinë dhe organizimi territorial i brëndshëm në 13 rrethe. Rrethet e Kosovës qe atëherë quhej Kosova e Metohia, të cilat kufizoheshin me Sërbinë ishin Istogu, Zveçani, Llapi e Gjilani.

Sërbia gjatë periudhës 1945- 68 ishte e autorizuar për rregullimin administrativ – territorial të Kosovës , gjatë së cilës , sukcesivisht,ka pasë miratuar një dyzinë aktesh ligjore e nënligjore me të cilat asnjëherë në disfavorin e Kosovës nuk kanë qenë aplikuar delimitime kufitare pos modifikimeve të njësive territoriale të brëndshme referuar emertimeve si rrethe , qarqe, qytete, komuna , bashkësi lokale si dhe maddhësive e ristrukturimeve të tyre.

Referuar kufirit administrativ ndërmjet Sërbisë dhe Kosovës ( e Metohisë) vetëm në vitin 1959 ka qenë aplikuar një ridelimitim ashtu qe sipas Dekretit nr. 640 – 1959 për shpalljen e Ligjit për territoret e komunave dhe rretheve të Republikës së Sërbisë, komuna e Leshakut qe më parë ishte në suaza të Kragujevcit i ka qenë aneksuar Kosovës dhe Metohisë në përbërje të komunës së Leposaviqit.

Linja administrative ndarëse aktuale ndërmjet Kosovës dhe Sërbisë, është

delimituar unilateralisht nga Sërbia e jo nga Kosova madje as nga Kosova dhe Sërbia për 'ç’shkak nuk do të mund të kontestohej nga Sërbia gjatë procesit të demarkimit të saj,

e karakterit historik, politik ,kushtetutare e juridik dhe për aq është bazë solide për demarkimin e saj sipas postulateve të paevitueshme të rektifikacioneve dhe akuizicioneve reciproke të ballansuara,

as gjatë periudhës 1945- 68 kur Sërbia ishte ekskluzivisht e autorizuar për delimitim dhe demarkim të linjës administrative ndërmjet Kosovës dhe Sërbisë, nuk ka pasë ndërhyrë në asnjë segment as sipërfaqe pos aneksimit të komunëssë leshakut teritorit të Kosovës.

Ujmani dhe Trepça, kurdoherë në brendinë e territorit të Kosovës

Pretendimet aktuale të establishmentit politik e shtetëror sërb referuar hises së saj veçanërisht në Ujman dhe në Trepçë, pos qe janë absurde, hegjemoniste të egzagjeruara e për aq ireale por edhe sipas akteve ligjore e nënligjore të cilat Sërbia i ka pasë miratuara gjatë periudhës 1945- 68 , rezultojnë të jenë të pa baza legale.

Konkretisht me

Ligjin 28 – 45 për Ndarjen Territoriale të Sërbisë,

Ligjin 28 – 45 për Themelimin dhe Rregullimin e Krahinës Autonme të Kosovës dhe Metohisë,

Kushtetutën e Sërbisë të vitit 1946 dhe të vitit 1963,

Ligjin 14-47 për Ndarjen Administrative - Territoriale të Sërbisë,

Dekretin 7-50 e Presidiumit të Republikës Popullore të Sërbisë për Decentralizimin Ekonomik e Administrativ,

Ligjin 15- 52 për Zbatimin e Riorganizimit të Këshillave Popullore,

Statutin 54- 48 @ 2328 – 56 të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë ,

Ligjin 15- 52 për Zbatimin e Riorganizimin e Këshillave Popullore të Sërbisë,

Ligjin 359- 55 për Territoret e Rretheve dhe të Komunave të Sërbisë,

Ligjin 640 – 59 për Territoret e Komunave dhe të Rretheve të Sërbisë,

Ligjin 50 – 59 për Suprimimin e Rretheve të KA të Kosovës dhe Metohisë,

Ligjin 640 – 59 për Territoret e Komunave dhe Rretheve të Sërbisë ,të cilat, Sërbia sukcesivisht i ka miratuar, ndryshuar e plotësuar, linja administrative ndërmjet Kosovës dhe Sërbisë e delimituar në vitin 1945 pos aneksimit të komunës së Leshakut në favorin e Kosovës në vitin 1959, asnjëherë nuk ka ndryshuar në procedurë legale, për ç’shkak, si e tillë, paraqet bazë solide për demarkim në një anë si dhe

Trepça dhe Ujmani kurdoherë ishin në brëndinë territoriale të Kosovës.

Poashtu as me aktet ligjore e nënligjore të Kosovës gjatë periudhës 1968 – 1989 kur isdhte e autorizuar për organizimin administrativ – territorial të vetë nuk kanë qenë aplikuar delimitime kufitare me Sërbinë.

Gjatë periudhës 1989 – 99 kur Kosova ndodhej e subordinuar me violencë nga Sërbia , edhe nëse kanë pasë ndodhur delimitime kufitare të caktuara , të njëjtat, sipas të drejtës ndërkombëtare të promulguar nga UNMIK-u , kanë qenë të karakterit diskriminator dhe si të tilla nuler. Aq më parë kur poqëse kanë qenë aplikuar ridelimitime kufitare ndërmjet Kosovës dhe Sërbisë të njëjtat pa pelqimin e Kuvendit të Kosovës kurdoherë kanë rezultuar dhe mbetën juridikisht të pa vlerë e politikisht të papranuara. Ndryshe me Rregulloren 43- 2000 të UNMIK-ut për numrin , emrat dhe kufinjët e komunave të Kosovës , linja administrative ndarëse e Kosovës dhe Sërbisë nga viti 1945 përkatësisht 1959 , ka qenë konfirmuar si egzistente pos qe me te kanë qenë caktuar komunat, emrat dhe kufinjët ndërkomunalë në Kosovë. Në atë pikëpamje linja adminiswtrative ndarëse e njëjtyë e Kosovës dhe Sërbisë ka qenë konfirmuar edhe me Rregulloren 23- 2004 të UNMIK-ut për zbatimin e rregullores 2003- 43 për numrat, emrat dhe kufinjët administrativë të komunave të Kosovës.

Perfundime

Linja administrative ndërmjet Kosovës dhe Sërbisë fillimisht ka qenë delimituar nga Sërbia në vitin 1945 dhe deri në vitin 1968 kur Sërbia ishte ekskluzivisht kompetente për organizimin administrativ – territorial të Kosovës , atë linjë administrative të delimituar gjithnjë e ka sanksionuar. Përjashtim favorizues për Kosovën ka qenë bërë në vitin 1959 kur linja administrative ndërmejt Kosovës dhe Sërbisë ka qenë ridelimituar duke ia aneksuar Kosovës komunën e Leshakut .

As gjatë periudhës 1968 – 1989 kur Kosova ishte kompetente për organizimin administrativ – territorial të vetë referuar linjës administrative në fjalë nuk kanë qenë aplikuar ridelimitime kufitare.

Poashtu për aq sa dihet publikisht as Sërbia gjatë periudhës 1989 – 99 nuk ka pasë aplikuar ridelimitime kufitare ndërmjet Kosovës dhe Sërbisë e poqëse në procedurë të fshehtë eventulaisht ka pasë bër ridelimitime , të njëjtat dalin juridikisht invalidore nga se do të rezultonin në kundërshtim me vullnetin politik të shumicës absolute të qytetarëve të Kosovës si dhe me rendin juridik të Kosovës.

Edhe Administrata Civile Ndërkombëtare në Kosovë – UNMIK-u me aktet juridike të përgjithshme të miratuara deri në vitin 2008 kur ka qenë shpallur pavarësia e Kosovës, linjen administrative egzistuese ndërmjuet Kosovës dhe Sërbisë e ka pasë konfirmuar dhe vlerësuar legale.

Sëandejmi linja administrative egzistuese nga viti 1945 përkatësisht 1959 ndërmjet Kosovës dhe Sërbisë , është e vetmja bazë legale dhe valide për njohje politike reciproke të Kosovës dhe Sërbisë si dhe për demarkim kufitar të konsekuent e konsistent reciprokisht.

Ujmani dhe Trepça në të cilat asete shtetërore të Kosovës më së shumti pretendon shteti sërb, edhe me të gjitha aktet ligjore e nënligjore të Sërbisë gjatë periudhës 1945- 1968 kur ajo ishte kompetente për organizimin administrativ – territorial të Kosovës , kurdoherë dhe pa asnjë kontestim kanë qenë në brëndinë territoriale të Kosovës. Ndaj pretendimet e Sërbisë referuar Ujumanit dhe Trepçës rezultojnë të jenë arbitrare, hegjemone dhe të pa baza politike as juridike.

Rrjedhimisht , zgjidhja e vetme e drejtë dhe e mundshme e relacioneve reciproke të Kosovës dhe Sërbiisë është dhe mbetët , fillimisht, njohja e ndërsjellë e Kosovës dhe Sërbisë për shtete të pavarura, sovrane e të pandara e vijimisht demarkimi i kufirit ndermejt tyre sipas linjës administrative ndarëse nga vitet 1945 @ 1959 duke e shëndrruar në kufi ndërshtetëror Kosovar – Serb.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat