Kuptimi politik i presjes

Opinione

Kuptimi politik i presjes

Nga: Fadil Lepaja Më: 18 dhjetor 2019 Në ora: 11:15
Fadil Lepaja

Ku me e vendosë presjen? Nuk është veç një pyetje e natyrës gjuhësore. Sllogani është modifikuar politikisht. Një presje, hiç më shumë, e dallon gjithë spektrin e pikëpamjeve të partive tona politike lidhur me bisedimet me Serbinë. Një presje mjafton për me kuptue në cilën anë të fjalisë je. Je për, apo je kundër? Je, pro negociatave? Je për, apo kundër “Vetvendosjes”?

Mos pyesni, as kush e shkroi slloganin “Vetvendosje jo, negociata” sepse, ende, askush nuk e ka marrur autorësinë. Pastaj, unë asnjëherë nuk e bëjë pyetjen policore: “kush”. Pyetja ime e preferuar gjithnjë është:“Pse”!

“ Me e lirue, jo me e pushkatue”! Kjo fjali, dikurë përdorej si shembull nëpër shkollat tona, për të bindur nxënësit për rëndësinë e njohjes së drejtshkrimit. “Me e lirue jo, me e pushkatue”, do të kishte krejt tjetër përfundim. Pra, “Negociata, jo vetvendosje” apo  “Negociata jo, Vetvendosje” ?

Këto ditë, dikush, e filloi aktivitetin e vet opozitar me grafite në të cilat i thuhej jo “Vevendosjes”, duke përdorur slloganin e dikurshëm  të kësaj partie, kundër negociatave me Serbinë të cilat po i zhvillonte asokohe, kokë më vete dhe në mënyrë krejtësisht jo transparente, presidenti aktual.

Ai, me ndërmjetësim ndërkombëtarë, duke e injoruar gjithë spektrin politik dhe institucionet e tjera, e sidomos qytetarin, dialogoi me vite  me Serbinë, dhe e “prodhoi”   “Asociacionin” apo“Zajednicën” si e quanin asokohe aktivistët e flaktë të  LVV.  Ai, presidenti, akuzohej se negocioi në mënyrë të fshehtë, pa e raportuar askund edhe çështjen e kufijve. Nga kjo, lindi sllogani i famshëm “Jo negociata, Vetvendosje”. Ishte një lindje e vështirë, përplot lot, arrestime dhe lotësjellës.Për dallim kësaj radhe qanin edhe deputetët, politika,jo vetëm qytetarët.

Opozita e re, fillimisht i ndërroi vendin presjes. Bëri edhe një grafikë përcjellëse ku bashkë me Gjuriqin, tashmë të famshëm, nxorri edhe zyrtarë të “Vetvendosjes” në një marrëdhënie të dyshuar, politike.  Krejt kjo u plasua përmes fushatës së fuqishme në mediat elektronike dhe rrjetet sociale, sa  që fitohej ideja se asgjë nuk ka ndërruar. Fushata tregoi kush e ka pushtetin real në këtë vend pavarësisht kutive të votimit. Fushata tregoi se ish koalicioni  ende i kontrollon shumicën e mediave përfshi edhe rrjetet sociale, përpos institucioneve.

Pra, ku të vihet presja? Kundër vetëvendosjes apo kundër negociatave? Në retorikë edhe pse praktikohen zgjidhjet vetëm me dy opcione, kjo nuk i bënë të qëndrueshme.

Unë nuk jam kundër asnjërës, por në këtë rast kemi vetëm një presje të cilën duhet menduar mirë përpara se të e vësh diku në këtë sllogan. Negociata jo, vetvendosje? Apo Negociata, jo vetvendosje?  Mos ka ardhur koha për negociata gjithëpërfshirëse me Serbinë, me një transparencë, një përfshirje të gjithë sepktrit politik dhe një raportim të vazhdueshëm në kuvend? A është i mundur sllogni “Edhe vetëvendoje edhe negociata”?

Kur kemi vetëm dy mundësi gjithësesi jemi të kufizuar. Ose kështu, ose ashtu! Përse jo, edhe kështu edhe ashtu? Apo ndryshe? Duke përjashtuar gjysmën e spektrit politik, në mandatin e kaluar, koalicioni PAN e deligjitimoi dialogun. A mund të e bëjë kolicioni i ri Vetvendosje-LDK, përsëri legjitim dialogun me Serbinë?

Sido që të jetë, gjithçka thuhet se ka ngecur te presidenti. Jo te presidenti aktual, por te ai që do të vinte pas këtij, si marrëveshje e koalicionit. Ish- ambasadori i Holandës në Kosovë, e bëri këto ditë publike listën e tij të kandidatëve për president të Kosovës. Këto ditë edhe “frankofonia”, i ka shpallur kandidatët e vet, duke pasur parasyshë një kandidat tjetër, nga ky që është, pa e konsideruar edhe një mandat të dytë për të. Dell-i ka shkuar dikah,ndërkohë që krye ambasadori i tashëm duket se është për ndryshime.

Edhe në rrjete sociale, rrush prej propozimeve, përfshi edhe lista kandidatësh të mundshëm për president. Këto lista pretendojnë për kandidatë të cilët e meritojnë të jenë president, thua se ky është kriteri. A po aludohet, se më demokratike është që presidenti të propozohet përmes një sondazhi në rrjetet sociale ku ...! Nuk po e tjerr më tej këtë punën e meritave dhe konspiracioneve.

Lirisht mund të thuhet: “Mashallah, po e gjatë lista”, si përsëritet shpesh në një reklamë për super gjyshin, i cili furnizohet në një nga hipermarketet, të cilat së fundi u dyshuan edhe për “shitje” kolektive të votës. Hiper-pronari i cili duke ndërruar të gjitha partitë kryesore, në “afatet klimtare” në mes dy palë zgjedhjeve të jashtëzakonshme, dëshmoi se në mes partive tona nuk ka dallime ideshë, por ka vetëm dallime interesash, të brendshme dhe të jashtme.

Nga kjo skemë dilte, së paku deri vonë, vetëm “Vetvendosje”.  Ajo insistonte se edhe qytetari që nuk i ka as “dy - tre milion” në llogari duhej të pyetej për të ardhmen e vendit, dhe duhej të raportohej para tij,  ndërkohë që zyrtarët e ish-koalicionit dhe mediave tona, pa e bërë të madhe, me humor pohonin se sot “gjithkush i ka aq”.

Ku me e vu presjen? Apo me e lënë, pa presje krejt? Fundja, është çështje politike, jo gjuhësore. Na mori në qafë “standardi”, do të thoshte dikush.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat