Veprimtaria e Profesor. Dr Kurtesh Salihu - Bota Sot
Veprimtaria e Profesor. Dr Kurtesh Salihu

Opinione

Veprimtaria e Profesor. Dr Kurtesh Salihu

Nga: Mr. Sc Shpend Salihu Më: 19 janar 2020 Në ora: 15:34
Mr. Sc Shpend Salihu

Prof. Dr Kurtesh Salihu, gjatë jetës së tij dha kontribut si në kontestin shkencor, duke shkruar libra me karakter kushtetues-politik, ashtu edhe në sferën politike dhe kombëtare. Ishte një ndër hartuesit kryesor së bashku me Mahmut Bakallin i Kushtetutës së 1974 kur Kosova u avancua prej autonomisë kulturore, në autonomi të avancuar politike, me ingerenca të subjektivitetit federal në kuadër të ish-Jugosllavisë.

Gjatë asaj periudhe kohore u zhvilluan debate dhe polemika kundër përfaqësuesve Serb të Kosovës me në krye Zaria Martinoviqin i cili me direktiva të Beogradit, mundohej ta shuante autonominë e Kosovës, kundërshtimet politike dhe kushtetuese që i ndjeri axha im Kurtesh Salihu ia bëri përfaqësuesve Serb të Kosovës si dhe lidershipit Serb në Kuvendin Federativ në Beograd, ku ishte në cilësinë e delegatit të Dhomës Federative, anëtar i Komisionit Kushtetues të ish-Jugosllavisë, dhe kryetar i Këshillit të Jurispudencës të ish-Jugosllavisë ishin shumë substanciale në aspekt të mbrojtjes dhe afirmimit të njësisë sonë Federale në ish-Jugosllavi.

Ai pati polemika të ashpra edhe me Lazar Mojsovin, Stipe Shuvarin e shumë e shumë politikanë të ish-Jugosllavisë që aspironin shuarjen e autonomisë së Kosovës.

Gjatë periudhës së suprimimit të autonomisë së Kosovës në mars 1989 profesori i ndjerë ishte në cilësinë e koordinatorit të Komisionit Kushtetues të Kuvendit të Kosovës, të kuptohemi ai nuk kishte të drejtë të votonte në Kuvendin e Kosovës pasiqë ishte delegat në Kuvend Federativ, por ishte në cilësi të vëzhguesit dhe rekomanduesit të propozimeve dhe ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Kosovës, dhe publikisht deklaroi se nëse Serbia i do këto ndryshime të dhunshme, pasojat kushtetuese dhe juridike, do jenë të pariparueshme jo vetëm për ne Shqipëtarët, por edhe për sistemin Federal në ish-Jugosllavi.

Pas suprimimit të dhunshëm të autonomisë së Kosovës profesor Kurtesh Salihu ishte përpiluesi kryesor gjatë viteve 90-ta i deklaratës Rezolutës për Pavarësinë e Kosovës, si dhe i kushtetutës së Kaçanikut dhe ai rregullisht pregatiste plane dhe platforma për rikthimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës dhe deklarimin e vullnetit politik të Kosovës për liri dhe mëvetësi.

Pas luftës në Kosovë, ishte në mesin e përpiluesve të kushtetutës kornizë të Kosovës dhe shumë akteve dhe dokumenteve me karakter juridik dhe politik për Kosovën. U dallua jo vetëm me vepra shkencore ku prej librave të tij mësuan gjenerata e gjenerata, por edhe me veprat e tij atdhetare dhe patriotike, edhe përse nga natyra axha i ndjerë ishte modest dhe nuk donte të fliste për veprimtarinë e tij atdhetare. Lidershipi politik në Kosovë duhet që njerëzit e tillë si axha im, si Ukshin Hoti, Gazmend Zajmi, Ali Hadri, Bardhim Çaushi etj ti përkujtoj dhe të shkruaj e komentoj gjeneratave të ardhshme për veprat e tyre dhe krijimtarinë e tyre. Të flitet për profesor Kurtesh Salihun dhe patriotat tjerë që dhanë kontribut shkencor e politik duhet shkruar një libër voluminoz. U prefsh në paqe axhë i nderuar dhe respektuar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat