Nga ditari i një ish diplomati e funksionari ndërkombëtar

Opinione

Nga ditari i një ish diplomati e funksionari ndërkombëtar

Nga: Alfred Papuçiu Më: 20 janar 2020 Në ora: 09:17
Alfred Papuçiu

Lexova librin e shkrimtarit të shquar italian, Umberto Eco, një nga më të preferuarit e mij, me titull: “Ishulli i ditës së mëparshme”. Aty ai shprehet: “Për të mbijetuar, duhet të tregosh histori”. Edhe unë në këtë moshë të brezit të tretë, shkruaj për të dhënë një mesazh modest. Miku i tim eti në Amerikë, profesor Aristotel Mici, më shkruan: “Ditari shumë tërheqës na tregon se kemi të bëjmë me një “Child Harold” modern, me një intelektual shtegtar, që kudo mbeti me zemër shqiptar”. Fjalët e tij më prekin. Dhe ashtu si dhe për europianët, gjenealogjia është kthyer në një nga argëtimet më të preferuara, ashtu edhe për mua është kthyer në një argëtim, për të plotësuar pemën gjenealogjike të lënë me kujdes nga im atë i paharruar. Të ndërtosh pemën tënde gjenealogjike do të thotë të studjosh gjeografinë, historinë, të gjesh kuptimin e fjalëve që janë përdorur nga paraardhësit, mbi demografinë. Gjenealogjia jep një ndihmesë të madhe edhe për gjenetikën. Mjekët kur duan të kuptojnë marrëdhëniet midis prindërve që janë të prekur nga e njëjta sëmundje e trashëguar, i drejtohen gjenealogjisë që dëshmon në shumë raste lidhjen midis grupeve të popullsisë. Diku kam lexuar se historia jonë kolektive fillon me Biblën. Gjenealogjia përbën një nga bazat e tregimit të saj. Për shembull, gjeneza spjegon se “Kaeni e njohu gruan e tij, që krijoi dhe lindi Henokun. Henokut i lindi Iradi. Iradi lindi Meujaelin dhe ky i fundit lindi Metushaelin. Metushaeli lindi Lamekun. Ky i fundit pati dy gra. Njera kishte emrin Ada dhe e dyta Sila. Ada lindi Jabalin. Ky i fundit është paraardhësi i atyre që jetojnë me kopetë e kafshëve. Ja pra historia qysh nga paraardhësit primitivë, Adamit dhe Evës...

1999. Erdhi në Gjenevë Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani për të përuruar vendosjen e bustit të Skënderbeut, pranë liqenit Leman, aty ku është Organizata Botërore e Tregtisë. Profesor Astrit Leka ishte nismëtar i saj. Dikur e kam takuar Meidanin, para se të shkonte për studime të avancuara, në Trieste. Kisha respekt për atë njeri me kulturë dhe mbi të gjitha që ishte i aftë në fushën për të cilën kishte studjuar. Kishte bërë edhe disa hapa në politikën shqiptare, megjithëse disa herë dukeshin edhe shenja ndrojtjeje. Atë natë e pashë se ai personi me një dhëmbë floriri i rrinte si rrodhe, bashkë me të shoqen. Kjo ishte edhe një nga arsyet pse nuk ju afrova, vetëm sa i dhashë dorën. Me të kishte ardhur dhe shkrimtari Dritëro Agolli, U takuam si miq. Kujtuam vitet e para pas çlirimit, kur im atë punonte në një gazetë me Dritëroin dhe organizonin mbëmje të këndshme midis miqsh, të çiltër siç ishin. Përsëri personi me dhëmbë floriri u afrua tek ne, por Dritëroi vazhdoi bisedën me mua. Një qëndrim i fisëm i tij, për ti thënë tjetrit se jemi duke biseduar midis të njohurish të vjetër. I isha mirënjohës Dritëroit se më kishte dhënë vetë vite më parë, kartën e anëtarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Këshilltari i Presidentit, Vladimiri, një miku im, më pyeti nëse do të vija në mbledhjen e nesërme, ku do të flitej për mundësinë e ndihmës për biznes me Shqipërinë. I thashë, nëse jam i ftuar mund të vij. E dija se personi me dhëmbë floriri që kishte hartuar listën, dikur kishte ikur me bisht në shalë, kur kishte folur “pa doganë”, përpara sekretarit të përgjithshëm të organizmit ku unë punoja. Këtë ma kishte konfirmuar këshilltari i tij . .Megjithatë, në atë mbledhje ishin ftuar disa njerëz që nuk merrnin vesh nga biznesi. Unë vete nuk kisha nevojë për atë mbledhje, pasi me mundësitë e mija, ndihmoja biznesmenët në Shqipëri, duke realizuar kontrata të rregullta shkëmbimesh tregtare.

24 tetor 1999. Sot lexova në shtyp se Xhulio Andreoti u quajt i pafajshëm. Më gëzoi ky fakt, sepse kam një respekt të veçantë për këtë burrë të shquar, ish-kryeministër i Italisë dhe sa herë ministër i punëve të jashtme. E kam takuar më shumë se një herë në Nju Jork kur isha me ministrin e jashtëm në diskutimet lidhur me marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje. Ai ishte i përmbajtur, por një njeri që donte të zgjeronte marrëdhëniet midis dy vendeve tona dhe asnjëherë nuk futej në çështje anësore dhe pa interes midis Italisë dhe Shqipërisë. Ai fliste me një elokuencë të përkryer dhe i njihte thellë aspektet më të hollësishme të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Nëntor 1999. Takohem nganjëherë me atë mikun turk dhe bisedojmë bashkë lirshëm. Njëherë i thashë: « Pse i thonë kafe turke, kur ju pini më shumë çajin? ». M’u përgjigj: « Ataturku sapo erdhi në fuqi e pa se bëheshin shumë harxhime për kafenë. Vendosi të provohej më mirë çaji, se kushtonte shumë më lirë për shtetin. Kështu që atëhere ka mbetur. Megjithëse grekët vetë i thonë: kafe greke. Si edhe italianët që nuk e pëlqejnë « ristreton » gjetiu përveç se në Itali...

Maj 2001. Ruaj dy palë syzesh. Ato të eklipsit të kaluar, megjithë prisnim të shihnim diçka më tepër. Një palë i mora tek « Koopi » dhe një palë m’i dha një mik. Të parat i ruaj për të parë eklipsin në Madagaskar, ku mund të takoj dhe mikun tim sindikalist, shumë simpatik e të urtë që ka qënë në Shqipëri, dhe të dytat për eklispsin tjetër, pasi mjekët thonë se do të ketë jetëgjatësi tani pas vitit 2000. Vetëm dua të rroj edhe disa vjet, me duar e këmbë, nuk dua më tepër, sa të nxjerr në dritë vajzën time...

Prill 2002. Gjergji Biba erdhi për disa ditë në Zvicër. E pritëm mirë, pasi e kam të afërm dhe u përpoqa me mundësitë që kam ta shëtis. Vajtëm edhe në Fernei-Volter, pasi si historian që është donte të shihte muzeun e Volterit. Fatkeqësisht muzeu ishte i mbyllur për punime por të paktën ai bëri fotografi para hyrjes. Një ditë ikëm nga Gjeneva, në drejtim të Bernës. Rrugës ndaluam në Nion. Po ecnim në atë shëtitoren e bukur, buzë liqenit. Për një çast, kur po kalonte Gjergji aty, një qen ndali, sikur i liroi rrugën atij. Gjergji, duke qeshur tha: « E çuditshme, këtu të respekton edhe qeni ». Darkën vonë, pasi dolëm nga restauranti në Bernë, kaluam pranë dyqaneve karakteristike që janë të mbuluar me hark. Pashë se po kalonte shpejt në rrugë një njeri i thinjur me një celular tek veshi. I thashë Gjergjit: « A e sheh atë burrë vetëm? Është i pari i Zvicrës, kryetari i Parlamentit! ». « Si është e mundur », tha Gjergji. « Në këtë orë të vonë dhe ai s’ka asnjë bodigard me vete ». I spjegova Gjergjit se shpesh shohim ministrat zviceranë që hypin në autobuza, apo trena, si njerëzit e tjerë të thjeshtë dhe shkojnë në punë po me autobuz. Makinën zyrtare e përdorin vetëm kur kanë takime të rëndësishme, apo edhe kur duhet të bëjnë kilometra të tëra. Ata janë njerëz të respektuar nga populli, se ai i ka zgjedhur dhe ata e ndjejnë se e kanë detyrë t’i shërbejnë atij populli. I theksova se një ministër milioner, kur mori atë post, hoqi dorë krejtësisht nga ndërmarrja familjare, megjithëse kishte vite që kishte punuar e derdhur djersë për të. I thashë Gjergjit se edhe njerëzit e thjeshtë mund të komunikojnë lirisht me ministrat e tyre, qofshin këta në Bernë apo kantone. Këta, si dhe parlamentarët japin edhe numrat e telefonave të tyre apo edhe e-.mailet, ku njerëzit kudo mund të shprehin një shqetësim apo një problem që i duhet dhënë zgjidhje. Presidentin, apo ministrat e Zvicrës mund t’i takosh një ditë edhe në rrugë, apo në rast feste rajonale apo edhe në kinema, teatër e gjetiu. Presidenti zviceran zgjidhet vetëm për një vit, si dhe 7 ministrat federalë mund të qëndrojnë disa vjet në pushtet, por pastaj kur mbarojnë detyrën e tyre, ja lënë vendin me dinjitet pasardhësve të tyre. Asnjëherë ata nuk e mendojnë se e kanë me tapi të mbajnë postin e një ministri, apo parlamentari, por gjithmonë nisen nga dëshira e mirë për të bërë diçka për popullin e tyre dhe pastaj ja lënë vendin një më të riu, apo edhe më të përparuar me teknologjinë apo të rejat e shkencës, ekonomisë. Edhe historia botërore dhe ajo moderne e njeh një praktikë të tillë. Bushi plak ja la vendin Klintonit. Edhe ky pas 8 vite qeverisjeje, ja la drejtimin e Amerikës Bushit junior. Një ditë edhe ky do t’ja lërë vendin një pasardhësi demokrat apo republikan, si të vendosë populli amerikan. Në Britaninë e Madhe kanë qënë kryeministra figura të shquara si Hithi, Theçer, Mejxhër etj., që ja lanë vendin Blerit. Dhe një ditë të afërme ky do t’ja lerë vendin një « llejbëri » apo « konservatori ». Mund të vazhdojmë me shembujt e shumtë edhe në vendet e tjera të Europës Lindore apo Jugore, ku ish-kryeministrat apo presidentët të çdo krahu qofshin, të djathtë apo të majtë, ja kanë lënë vendin pasardhësve të tyre, por ata deri sa vdesin janë figura honorifike që respektohen nga të gjithë, pasi në një çast të caktuar të jetës së tyre i kanë shërbyer mirë, shumë mirë, apo edhe jo aq mirë, me sa kanë mundur, popullit, bashkëkombasve të tyre, kudo që ndodhen në botë. E njëjta gjë edhe me parlamentarët që nuk i mbajnë përjetësisht postet e tyre .

Prill 2002. Agron Agalliu vjen herë pas here në mbledhje, këtu në Gjenevë, sidomos për të ndjekur punimet e Organizatës Botërore të Tregtisë. E kam patur dhe e kam shok të mirë. Bashkë kemi bërë edhe praktikën pedagogjike në Korçë, në vitin 1969 kur jepnim frëngjisht në gjimnaz. Flinim në katin e katërt të konviktit të pedagogjikes. Ishim si veçantë nga konvikti, pasi kati i vajzave ishte i mbyllur me derë me dryn. Ne kishim vëmë një radio dore sipër tek dritat për të dëgjuar më mirë. Vaska, që ishte jurist dhe bënte praktikën edhe ai në Korçë na tregonte 30-40 barcoleta çdo natë, deri nga ora 2-3 e mëngjezit. Pastaj binte të flinte se duhej të ngrihej herët në mëngjez për në rrethinat e Korçës. Ne ishim më të lirë me Gonen, sepse kishim vetëm disa orë në ditë frëngjisht në gjimnaz, një punë e bukur dhe e frytshme, duke patur parasysh se Korça ishte djepi i frëngjishtes prej viteve 30-të dhe nxënësit e mësonin mirë gjuhën… Hanim kërnacka dhe çdo mëngjez paçe tek turizmi. Tek konvikti e pashë për herë të parë Rozën, me bukle të bukura, tek mësonte. Një vajzë tjetër, që i vinte pas Gones, por ai as donte t’ja dinte, më thoshte kur e pyesja: « Roza është vajzë e bukur, por vetëm di mësimet dhe asgjë më tepër ». Me të vërtetë, e shihje vetëm me libra në dorë. Pas disa vitesh e solli rasti të shiheshim përsëri në Tiranë, si dhe sidomos në kampin e rinisë në Durrës, kur unë isha me prindërit dhe ajo me shoqet. E lija të fitonte në lojën e letrave, saqë njëherë më tha: « Nuk dua të më lesh të fitoj kështu »… Kështu filloi dashuria jonë dhe një mbrëmje vajtëm në kinemanë verore të plazhit dhe unë për herë të parë i preka dorën dhe ja shtrëngova. Edhe ajo m’a mbajti të shtrënguar…

Kur vajta për herë të parë tek shtëpia e nuses sime të ardhshme, më pyetën: « A e pi rakinë ». U përgjigja « Jo ». Më zgjatën cigare, nuk e mora. Pashë një buzëqeshje tek vjehra ime, Marika dhe tek gjyshi mbi 80 vjeçar i nuses sime. Shikimi i tyre tregonte se isha dhëndër i mirë. Kur erdhi radha tek ëmbëlsirat, për një çast Roza ashtu papritur e skuqur në fytyrë tha: » Ai nuk i ha ëmbëlsirat ». Kur më përcolli i thashë: « C’pate që ma hoqe riskun e ëmbëlsirës? ». « Nuk e di si më erdhi », tha ajo, gjithmonë me ato mollëzat e faqes skuqur flakë. Herën tjetër kur shkova në shtëpinë e saj u thashë: « Vërtetë nuk e pi rakinë, vetëm rrallë me shoqëri, as duhanin, por ëmbëlsirat i dua shumë. Kështu, kunata ime më ruante dy copa gjithmonë, gjë që vazhdon edhe sot e kësaj dite, pasi në çdo mjedis të afërmish e shokësh më ka dalë nami se i ha shumë ëmbëlsirat. Në këtë drejtim më ka ngjarë edhe im bir…

Prill 2002. Jemi në Sunio të Greqisë, midis miqsh të ardhur edhe nga Shqipëria dhe nga vise të tjera të Greqisë. Kemi ardhur nga Italia dhe aty në fshatin turistik na presin Luli me Letin. Janë dhe prindërit dhe motra e bukur dhe e urtë e Odhisesë dhe kalojmë pashkët në restaurantin e bukur, ku piqet qingji në hell. Përballë është Tempulli i Poseidonit, me detin që rrezaton nga dielli i fortë. Qëndroj pranë krushkut Aristidh, i cili më ndihmon të fitoj të gjitha vezët e Pashkës. Ishim dhe në kishën aty afër ku të gjithë të pranishmit kishin ndezur nga një qiri. Pas ritit fetar, të gjithë i dhanë dorën njeri tjetrit, duke uruar paqen, dashurinë dhe miqësinë midis njeri tjetrit. Kur hyn në atë botë hyjnore njeriu mendon se sa e vlefshme është që në këtë botë moderne të përsëriten ato zakone të bukura të popujve që nga lashtësia. Mjaft më me luftra të kota, me zënka që bëjnë njerëzit armiq, mjaft më me meskinitete. Të gjithë duhet të mendojnë se jeta duhet jetuar në harmoni, vëllazëri e paqe.

Ilia me Evën na ftojnë në një restaurant ku provojmë të gjitha llojet e peshqve dhe prodhimeve të detit të Greqisë. Pastaj ata na çuan në shtëpinë e tyre, diku afër detit ku kaluam çaste të këndshme deri në orët e vona të natës. Ilia është farmacist por mbi të gjitha një njeri që e njeh historinë e vendit të vet, si edhe ka mësuar shumë nga historia e Shqipërisë.

Maj 2002. Sot profesor Zhan-Filip Assal më dhuroi librin e tij të fundit me një dedikim. Ndër të tjera ai më shkruan: “I dashur Alfred! Jeta nuk është si në këtë libër “një vitrinë gëzimesh”…Por ajo që mund të bëjmë sëbashku, është që ta kthejmë hidhërimin e realitetit më të butë. Me mirënjohje të thellë për të gjitha episodet e bukura të kaluara sëbashku”. Fjalët e profesorit të shquar më japin zemër. Shpesh fjalët e tij më kujtohen në çaste të vështira, sidomos kur edhe atij i është dashur të përballojë vështirësi dhe të realizojë me këmbënguljen e tij seminaret e Grimenzit apo të përçojë mendimet e tij tek breza të tërë mjekësh si dhe në përgjithësi të personelit mjekësor. Një fjalë e urtë më kujtohet në këto çaste : « Miqësia nuk mund të blihet. Ajo vlen më shumë se pak ar. Vlera e saj sa vjen e rritet kur miqtë tanë bëhen më të moshuar ».

Qershor 2002. Historia e Europës e lidhur me atë të vendit tim, Shqipërisë, më tërheq së tepërmi. Kam edhe unë argumenta për t’i bindur bashkëbiseduesit për praninë e Shqipërisë edhe « de jure » në Europë. Me të drejtën e tyre të shkruar, romakët i dhanë Europës rregullat që drejtuan marrëdhëniet sociale. Misionarë të ardhur nga Roma, Irlanda dhe Kostandinopoli përhapën besimin kristian në kontinent. Megjithëse kisha orientale u deklarua e vetmja kishë « orthodokse », duke u ndarë nga Roma, dhe megjithëse Reforma u imponua në shumicën e vendeve të Europës Veriore, parimet kryesore të kristianizmit janë të ngjashme për të gjithë kristianët e të gjitha besimeve dhe bazat e moralit kristian njihen kudo. Megjithë shumllojshmërinë e gjuhëve dhe të dialekteve rajonale, njohuritë e filozofëve dhe të shkencëtarëve u përhapën në gjithë territorin evropian dhe ndikuan në mënyrë reciproke. Shkrimtarë dhe poetë europianë përdorin simbole që kanë të njëjtat burime : mitologjinë greke, legjendat skandinave, ungjillin që njihet prej shqiptarëve shumë përpara disa popujve dhe kombeve që tashmë janë në Europë. A nuk është e mjaftueshme ajo gjuhë nga më të vjetrat indoevropiane, si shqipja, ajo kulturë, puna e qindra mijra shqiptarëve që kanë ndërtuar e ndërtojnë Europën prej dhjetra dekadash, a nuk është e mjaftueshme Nënë Tereza, ata guvernatorë, kryeministra e njerëz të shquar të kombit tonë që kanë dhënë për Europën, ato sakrifica të popullit të vuajtur shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo ndihmë që ju dha italianëve gjatë « kapitullimit » të Italisë që u strehuan tek vatrat e shqiptarëve të thjeshtë. Shqiptarët meritojnë shumë më tepër se Karaburuni ku humbën jetën dhjetra njerëz të pafajshëm vetëm se donin të shihnin diçka tjetër në Europë. Europa është edhe Shqipëria, edhe Kosova dhe vendet e Ballkanit, edhe ata popuj që ëndërrojnë të « kalojnë qoftë edhe njëherë kufirin për në Europë », në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë.

Shtator 2003. Kam fatin e madh të kthehem përsëri pas shumë vitesh në Nju Jorkun e bukur dhe madhështor, tek Broduei, tek Kombet e Bashkuara dhe rrugët e drejta të këtij qyteti shumëngjyrësh dhe me reklama të panumërta. Araniti dhe Sonila na japin kënaqësinë e veçantë të bëjmë një udhëtim të paharruar me anije rrotull Nju Jorkut, pranë Statujës së Lirisë dhe Nju Xhersit. Jam tepër i lumtur që mbesa ime është vendosur atje dhe ka një bashkëshort të respektuar që nuk e ndan për asnjë çast nga goja „dajën e gruas“. Mario vogëlushi e dëgjon dajën dhe shpesh e përqafon duke i folur rrjedhshëm në dy gjuhët: shqipe dhe anglisht. Largohem nga Nju Jorku dhe Nju Xhersi me kujtimin më të mirë për t’u kthyer përsëri. Nuk munda të takoj miq të shumtë që kam në Nju Jork pasi koha e qëndrimit ishte tepër e shkurtër. Udhëtimi me anije rreth Nju Jorkut dhe Nju Xhersit deri natën vonë na hëngri shumë kohë por dhe na dha kënaqësi, pasi pamë dhe u ngazëllyem nga madhështia e atij qyteti kozmopolit. Me Aranitin patëm dhe një takim tepër të frytshëm me Radhika Sawn, drejtoreshë e pacientëve tek „Cooley’s Anemia Foundation“. Mora me vete materiale shumë të vlefshme për mjekimin e Talasemisë. Bisedova dhe me profesorin zviceran, James Humbert, me të cilin kam patur kontakte të rregullta. Daniela, mbesa ime fisnike, na ndihmoi në komunikimin paraprak me të.

Shtator 2003. Një botë tjetër na pret në Florida ku takojmë miq e të afërm të shumtë. Më bëhet qefi që çdo shqiptar është bërë me shtëpi, si dhe i ka krijuar vetes dhe familjes kushte të mira jetese. Natyrisht gjithçka e kanë siguruar me djersë dhe punë të madhe. Shkuam në Tampa ku është një Universitet me emër. Kalojmë edhe në urën më të gjatë në botë, ndërtuar mbi oqean nga duart e arta të amerikanëve. Aty kanë dhënë ndihmesën e tyre edhe shqiptarë që punojnë në ndërtimin e grataçielave në Florida. Vasili, Flora dhe fëmijët e tyre na presim “si ujët e pakët” dhe na shëtisim në vendet e bukura të bregut të pafund të Oqeanit Atlantik. Ato ditë me Andin kam përfituar nga dielli i fortë i Floridës, dhe kam bërë not si në rininë time kur kaloja dy muaj në plazhin e Durrësit. Largohemi me kujtimet më të mira nga ky vend prallor, me mendimin se do të kthehemi shpejt. Largohemi duke marrë me vete dhe përshëndetjet e shokëve të fëmijërisë që janë vendosur aty në Floridë.

15 shtator. Sot mora një letër të ngrohtë nga ish-drejtori i Byrosë Ndërkombëtare të Punës dhe ish- këshilltar i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, francezit. 80 e ca vjeçarit të nderuar, Francis Blanchard. Ruaj një respekt të veçantë për këtë njeri erudit që ka dhënë aq shumë për ecurinë e organizatave ndërkombëtare dhe që shpesh bisedonte me mua aq lirshëm dhe më jepte këshilla të vlefshme. Të njëjtën gjë ndjej edhe për ish zëvëndës sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe drejtor i Zyrës europiane të OKB-së në Gjenevë, suedezin Jan Martenson, i cili më përgëzoi me një letër shumë të ngrohtë për shkrimin që botova tek “La Suisse”, mbi frymën humaniste të Kombeve të Bashkuara, me rastin e ditës së OKB-së, si dhe për pikturën domethënëse të djalit tim që është e depozituar në Kombet e Bashkuara në Gjenevë: valltarë shqiptarë duke kërcyer në një ditë feste. Shpesh korridoreve të OKB-së ndalonte, më shtrëngonte dorën dhe bisedonim pak çaste ashtu lirshëm për probleme të ndryshme, si dhe për demokracinë e brishtë në Shqipëri. Nuk më harrohet se si, në sajë të ngulmimit të tij, si dashamirës i një vendi të vogël si Shqipëria, një ish diplomat shqiptar i ri, megjithëse e kishte kaluar moshën për t’u pranuar në kursin e së drejtës ndërkombëtare, përfundoi me sukses atë kurs dhe eci mire në rrugën e problemeve të së drejtës ndërkombëtare. Nuk mund të harroj kurrë atë drejtorin gjerman të departamentit të energjisë së KEE i cili shpesh më vinte në dijeni për bursa të ofruara nga PNUD-i, të cilat në vend t’I jepeshin vendeve të tjera, sygjeroheshin për specialistët shqiptarë. Nuk mund të harroj funksionarin e lartë ndërkombëtar, që ndodhet tani në Bejrut, si dhe të urtën profesoreshë e gjuhës frënge në Kombet e Bashkuara, bashkëshorte të tij, si miq të mirë të shqiptarëve, ish-drejtorin e botimeve të asaj organizate ndërkombëtare, me të cilin punova disa vite dhe më ndihmoi me shpirtin e tij metodik dhe logjik, kulturën e tij dhe njohjen e perkryer të artit të botimeve, biznesmenin me zemër të artë, danezin Ib, i cili në çdo rast përpiqej të bënte diçka edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. A mund të harroj të ndjerin, Jean Pascal Delamurraz, i cili vite më parë, kur ishte President i Zvicrës foli me aq respekt për popullin krenar të një vendi të vogël, por me histori të pasur si shqiptarët? A mund të harroj vizitën e kryetarëve të dy Dhomave të Parlamentit zviceran, para shumë vitesh në Shqipëri, entuziazmin e tyre nga vizita në Universitetin e Tiranës, midis studentëve dhe profesorëve shqiptarë, por edhe dëshirën që Shqipëria t’u përmbahej standarteve europiane në fushën e të drejtave të njeriut? Nuk mund të ri pa përmendur bisedat e ngrohta me drejtorin e Institutit Europian të Universitetit të Gjenevës dhe profesorit të shquar të historisë së Europës, Philippe Braillard, i cili sëbashku me stafin e Institutit dhe kolegë shqiptarë punojnë për krijimin e një Instituti të tillë në Tiranë. Pasuniversitarë shqiptarë që studjojnë tani në këtë Institut dhe të tjerë që e kanë përfunduar atë me sukses do të përbëjnë bërthamën e tij, krahas profesorëve të tjerë të nderuar shqiptarë që punojnë prej kohësh që Shqipëria të përfshihet në Europë, si dhe në organizmat që e përbëjnë atë në Bruksel, Strasburg e forume të tjera europiane.

A mund ta harroj gazetaren Ruth dhe të shoqin Walter Borner që sollën disa vite më pare gratis nëpërmjet Swiserit të atëhershëm dhjetra koli të mëdha me veshje, triko, fletore, lapsa, libra etj. etj, për vocërakët shqiptarë; gazetarin Pierre Barde që ka mbetur i mahnitur nga Gjirokastra dhe vepra e Ismail Kadaresë, si dhe në bibliotekën e tij të pasur mban vepra të shkrimtarit Dritëro Agolli e shkrimtarëve të tjerë shqiptarë; bashkëshorten e tij arkitekte të shquar, patriotin Hulusi, Petron, Gjergjin, Gjysten dhe Brunon (Shyqyriun) në Nju Jork, profesoreshën Francine Koch së cilës i kujtohet akoma ai bukëpjekësi shqiptar i Tiranës që ja ruante të ngrohta çdo mëngjez “Croissant-in” si në Zvicër ; arkitektin e shquar me origjinë shqiptare nga Zara e Kroacisë Franko, i cili megjithëse është hartuesi dhe zbatuesi i banesave të përkryera të qytetarëve francezë, spanjollë, zviceranë, por edhe i sheikëve arabë, gjen kohë për të studjuar prejardhjen e “arbanasve” në brigjet e Dalmacisë dhe ëndërron të ndihmojë shqiptarët në ndërtimet arkitektonike të kohës; funksionaren ndërkombëtare Renata Chevrolet, zvicerane dhe me origjinë argjentinase që në çdo çast të vështirë më ka qëndruar pranë me këshillat e saj të çmuara dhe ka respekt të veçantë për shqiptarët në Shqipëri dhe Argjentinë, juristin zviceran të urtë dhe meditues Yves. Nuk mund të ri pa përmendur mikun tim, mjekun humanist, profesor Enis Boletini, botimet e të cilit për “Talaseminë” njihen nga profesorë të dëgjuar hematologë zviceranë, apo amerikanë, italianë etj., dhe përmenden në punimet e tyre; ai ndodhet diku në Itali, tek të bijat dhe do të doja të gjeja adresën dhe telefonin e tij atje. Së bashku dua të bëjmë diçka për të gjithë ata vocrrakë shqiptarë, me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë, të mjekëve hematologë shqiptarë, të Organizatës Botërore të Shendetësisë dhe Zyrës Rajonale të OMS-it në Kopenhagë, të një Fondacioni me prestigj zviceran, apo biznesmenë shqiptarë që jam i bindur se do të pranojnë thirrjen tonë dhe të atyre mijra shqiptarëve, për të ndikuar në parandalimin dhe mjekimin e Talasemisë, sidomos në zonat e fshatit në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme, si edhe në Kosovë; një punë të lavdërueshme bën Presidenti i përkushtuar i Shoqatës kundër Talasemisë, Musa Zenelaj. Në këto pak rreshta nuk mund të përmënd të gjithë ata miq e dashamirës, por do të gjej rastin të shkruaj për ta, në skicat, kujtimet dhe ésétë e mija të ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat