Në 22 vjetorin e sulmit të dytë serb mbi familjen Jashari në Prekaz - Bota Sot
Në 22 vjetorin e sulmit të dytë serb mbi familjen Jashari në Prekaz

Opinione

Në 22 vjetorin e sulmit të dytë serb mbi familjen Jashari në Prekaz

Nga: Sabit ISTOGU Më: 21 janar 2020 Në ora: 13:13
Sabit Istogu

Sado kohë të gjatë të kenë kaluar ngjarjet e mëdha, të cilat janë ngulitur në kujtesën e njerëzve, veçmas të atyre që i kanë përjetuar ato, iu duken sikur të kenë qenë sot. Vërtet edhe sulmi i datës 22 mars i vitit 1998, kurdo që e kujtoj, më dukej sikur të ketë qenë vërtet atë ditë.

Që nga 30 janari i vitit 1991, kur Adem Jashari me vëllezërit Rifatin, që kishte ardhë nga mërgimi, Hamzën dhe babanë Shabanin, i bënë rezistencë makinerisë së forcave policore serbe, duke e çarë rrethimin e tyre, lëvizjet e patrullave policore serbe në këtë lagje, dhe pothuaj në përgjithësi në fshatin Prekaz, ishin tepër të kufizuara, pos në të rrallë e kalimthi ndonjë ekspeditë e armatosur me autoblinda e automjete tjera. Ata veç e kishin të njohur se vatra e rezistencës dhe çerdhja e kryengritësve ishte pikërisht këtu, në kullën e Jasharëve. Kështu, për ta testuar këtë forcë, më 22 janar të vitit 1998, njësi diversante e speciale serbe, të vendosura kohë më parë në kompleksin e fabrikës së municionit të gjuetisë ”Trepça”, mbi shtëpinë e Adem Jasharit, organizuan sulm të rrufeshëm, që kishte si qëllim për ta testuar forcën e rezistencës, për ta shpartalluar vatrën e kryengritësve liridashës, dhe, eventualisht, për t’i kapur të gjallë Adem e Hamëz Jasharin, dhe ndonjë tjetër që do të mund të ndodhej aty. Rrethimi ishte bërë nga të gjitha anët. Për të krijuar befasi, pikërisht në orën 5 e 55 minuta të mëngjesit, me mortaja dore e armë të tjera, filluan sulmin nga të gjitha anët. Ishte muaji i agjërimit-Ramazani dhe pjesa më e madhe e qytetarëve të Skenderajt e rrethinës ishin të zgjuar. Rryma elektrike ishte ndërprerë rreth orës 24 të asaj nate. Posa i dëgjuam këto krisma të fuqishme të mortajave, mitralozve e armëve tjera, me gruan dhe djalin dolëm jashtë dhe vetëm dëgjonim. Askush nuk e dinte se ç’po ndodhte, por ishim të bindur se një sulm mbi Jasharët dhe një luftë e rreptë ishte duke u zhvilluar. Lufta zgjati rreth 30 minuta. Disa të shtëna dëgjoheshin edhe nga drejtimi i lagjes së Lushtakëve e Kodrajve të Prekazit. Ende pa mbaruar krismat, hyra në shtëpi dhe desha që nepërmjet telefonit ta njoftoj kryeredaktorin e atëhershëm të gazetës”Rilindja”, Avni Spahiun, në banesën e tij, por linjat telefonike ishin ndërprerë në tërë Skenderajn.

 I tërë populli u solidarizua me Jasharët

Posa përfunduan të shtënat, kureshtar për të mësuar për ngjarjen, kujdesshëm u nisa në drejtim të Prekazit. Në rrugë takova Ajnishahe Shalën, atëherë veprimtare e gruas në Skenderaj, e cila kthehej nga Jasharët. E pyeta se çka kishte ndodhur dhe ajo shkurt m’u përgjigj: Ishte tmerr, por për fat njerëzit kanë shpëtuar. Shkuam drejt në këtë lagje. Në oborr kishte luftëtarë të armatosur, por fillimisht takova Hamëz Jasharin, me të cilin u përqafuam gjatë, sepse kishim qenë shokë në gjeneratën e parë gjatë shkollimit të mesëm në gjimnazin “Ramiz Sadiku” në Skenderaj, tash “Hamëz Jashari”, si dhe aktor amator të teatrit”Drenica”me të cilin së bashku, në disa drama interpretuam role të shumta. Pos si aktor i teatrit, Hamza ishte edhe instrumentist i mirë. Na kaploi një nostalgji dhe për disa çaste nuk mundëm as të flasim, e pas pak, ai filloi rrëfimin për ngjarjen:

“Posa e hëngrëm syfyr, në odë me babanë e meshkujt e shtëpisë, tregonte Hamza, shkova për të fjetur në dhomën time. Ata (serbët) kanë mundur të më vrasin gjatë kalimit nga kulla në shtëpi, por ishte terr i madh e sigurisht nuk më kanë parë, pasi rrymë nuk kishte, ose nuk kanë qenë ende të përgatitur. Ndoshta kjo ka qenë fati im. Posa rashë, filluan gjuajtjet nga të gjitha anët nëpër muret, dritaret dhe çatitë e shtëpive. Pashë se ato janë shumë të fuqishme dhe kuptova se tash bëhet fjalë për një sulm të organizuar serb. Fëmijët i kam urdhëruar që të shtrihen në dysheme. Gjuajtjet ishin të përnjëhershme nga të gjitha anët dhe të pandërprera. E dalloja edhe krismën e mitralozit të plakut (babajt Shabanit) në kullë që qëllonte pandërprerë. Pas pak e kam dëgjuar edhe një zë në gjuhën serbe duke dhënë urdhër: ‘napred’ (përpara). I kam dëgjuar hapat e tyre. I vetëdijshëm se ata mund të hyjnë brenda, nga dritarja e dhomës së cilës ia thyen xhamat, i kam hedhur disa bomba dore, dhe me siguri se ata nuk mundën të depërtojnë më tej dhe u zmbrapsën.

Nga i tërë ky sulm u plagosen vetëm dy vajzat e shtëpisë, Iliriana e Selvetja

Nga predhat e mortajave, u pa se ishin dëmtuar dritaret, por jo të gjitha, sepse nuk kishin mundur t’ i precizonin në errësirë dyert e kullës dhe pjesë të çative. Në shkallë duke zbritur, ishin plagosur dy vajzat e shtëpisë, Iliriana 20-vjeçare, e cila kishte marrë plagë në shpinë, dhe Selvetja 25-vjeçare, e cila ishte e plagosur në dorë. Ato menjëherë ishin dërguar nga luftëtarët në fshatin Palac, tek halla, për t’iu dhënë ndihma mjekësore. Kur i vizituam atë ditë, aty me disa kolegë të gazetës “Rilindja”, ndjeheshin të lodhura e të shqetësuara pas tmerrit që kishin përjetuar. “Kur filloi sulmi, tregonte atëherë Selvetja, u përpoqa të zbres nga kati i dytë i shtëpisë në të parin, pasi nga atje dëgjova vajin e fëmijëve nga frika e shqetësimi që kishin. Desha të shkoja për t’i qetësuar, por plumbi më mori në shkallë duke zbritur. Pas plagosjes nuk e dija se çka po ngjante, sepse kam mbetur e shtrirë në shkallë, derisa kanë pushuar krismat.” Ne pyetjen tonë se a ndiente dhembje nga plaga, ajo na tha se ato janë të kohëpaskohshme, por në saje të terapisë mjekësore që iu ofrohej, dhembjet i durojnë më lehtë.

Më parafytyrohet gjithnjë krenaria e nënë Zahides 74-vjeçare, e cila secilit që e pyeste se a po mërzitej, ajo thoshte: aspak, shyqyr që më shpëtuan meshkujt dhe rrëfente për ngjarjen. Ndërkaq, babë Shabani në odën e tij, si gjithnjë i priste njerëzit që vinin varg e vijë. Përreth mureve ndodheshin mbeturinat e predhave të mortajave, gëzhoja të fishekëve, predha të paeksploduara e çka jo. Serbët kishin vrarë qenin e oborrit dhe në ahur dy buallica. Në oborr kam parë edhe disa luftëtarë si Sami e Xhemë Kodrën, bacë Osman Gecin, që gjithnjë ishte pranë nipit të tij Ademit, pastaj Naim Lushtakun, Nuredin Lushtakun e shumë të tjerë. Ata mbanin armë në dorë e disa kishin edhe uniforma ushtarake. I kishin vënë rojet nëpër disa pozicione dhe ishin të gatshëm për ndonjë të papritur që mund të ndodhte, e që ata e prisnin. Posa dëgjuam krisma, tregonte Ilaz Kodra, një nga bashkëluftëtarët më të afërt dhe më besnik i komandantit Adem Jashari, me disa luftëtarë tjerë, dolëm brigjeve përreth, ku ndërkohë edhe shtinim me armët që kishim. Me të përfunduar sulmi, ne hymë në oborr. Aty ndodheshin edhe disa bashkëfshatarë të Ademit. Dy të plagosurat me një veturë i dërguam në një vend tjetër, për t’iu ofruar ndihmën mjekësore. U vendosëm nëpër disa pozicione, sepse kishim frikë se mund të ndodhte sërish ndonjë e papritur. Ademi atë natë nuk ndodhej në shtëpi. Ishte tek dajë Osmani, tregon Bashkim Jashari. Aty ndodhej edhe Sejdi Koci-anëtar i atëhershëm i Kryesisë së LDK-së, i cili thoshte se kishte shkuar gati pa u gdhirë.

Rreth orës tetë, me disa të tjerë u kthyem në Skenderaj. Njerëzit kishin dalë në rrugë para dyerve të dyqaneve, dhe sikur e prisnin ndonjë njoftim mbi ngjarjen. Pasi i njoftova, ata të gjithë i mbyllën dyqanet dhe morën rrugën për në lagjen Jashari në Prekaz. Atë ditë nuk punuan asnjë dyqan, dhe nuk u mbajt mësimi nëpër shkolla, në shenjë solidarizimi me Jasharët. Gjatë gjithë ditës, qytetarët, nxënësit e arsimtarët i vizituan Jasharët dhe i panë me sytë e tyre tmerret e barbarisë serbe të asaj nate në Prekaz, kurse nxënësve, u shërbeu kjo si një orë e madhe historie.

Duke shkuar në punë, u vra Hysen Mangjolli

Vargu i njerëzve, që vinin për ta parë me sytë e tyre vendin e ngjarjes rritej gjithnjë. Më pastaj vinin nga fshatra dhe anë të ndryshme të Kosovës që kishin dëgjuar përmes mjeteve të informimit. Rreth orës dhjetë, këtu erdhën edhe dr. Fehmi Agani, Edita Tahiri, Hydajet Hyseni e të tjerë. Agani e vlerësoi këtë sulm si një ndër më barbarët të ushtrisë dhe policisë serbe deri atëherë. Gjithashtu atë ditë në Prekaz vërshuan edhe gazetarë nga të gjitha anët e vendit dhe të tillë të huaj nga agjencitë më të njohura informative të botës, për të mos u ndalur më kurrë deri në sulmin e 5, 6 e 7 marsit të atij viti. Ndërkohë disa banorë të Klinës së Poshtme, njoftuan se afër rrethojës së kompleksit të fabrikës së municionit të gjuetisë “Trepça”, është gjendur një njeri i vrarë, por që nuk kishin mundur ta identifikonin. Atë e kishin vrarë ushtarët serbë që ndodheshin në këtë kompleks, derisa ai nga fshati i tij po shkonte në vendin e punës, roje në fabrikën e materialit ndërtimor ”Përparimi” në Skenderaj. Më vonë u mor vesh se ai ishte Hysen Mangjolli nga fshati Mikushnicë i kësaj komune. Ky u varros të nesërmen me nderime të mëdha dhe në prani të mijëra qytetarëve. Po këtë ditë u kidnapua edhe Idriz Dushkaj nga Prekazi, i cili ishte kapur afër rrethojës së kësaj fabrike, dhe që nga ajo ditë është zhdukur dhe nuk dihet asgjë për të.

Më rëndë po ma bëjnë përçarjet se sa pushka e hasmit

Vizitat e njerëzve në shtëpinë e komandantit Adem Jashari dhe lagjen e tij, që nga dita e ngjarjes së 22 janarit, nuk pushuan më kurrë deri më 5 mars të po atij viti, kur filloi lufta e vërtetë. Aty vinin personalitete ndër më të ndryshmet të jetës politike, kulturore, shkencës, qytetar, nxënës, madje banorë nga secili fshat në mënyrë të organizuar.

Ademi më pak rrinte në odë, por më shumë i priste e përcillte jashtë në oborr. Ai i porosiste njerëzit që të mos rrinin duarkryq, t’i bashkoheshin luftës së armatosur, sepse ka filluar t’i vijë erë barotit, dhe një ditë mund edhe të ndezet e të përhapet. Sot i kishte ndodhur këtij, e nesër mund t’iu ndodhte të tjerëve, si dhe porosi të tjera.

Njerëzit që vinin në odë, personalitete politike dhe të tjerë, i priste babë Shabani, e në kohën më të madhe aty qëndronte edhe Hamza. Ata flisnin në mënyra të ndryshme dhe e akuzonin njëri-tjetrin për shumëçka, por asnjëri sish dhe asnjë subjekt politik nuk ishte në gjendje të mendonte e të dilte me ndonjë koncept apo opsion të qartë se si duhet vepruar. Këto gjëra sikur e bënin ca nervoz babë Shabainin e Hamzën. Kur një ditë njëri nga vizitorët e pyeti babë Shabanin se a po mërzitej, ai u përgjigj: Jo ebu, nuk po mërzitem nga kjo që po ma ban hasmi, se ai armik është, por më rëndë po ma bëjnë përçarjet e krerëve politikë që po e përçajnë vetveten dhe popullin, se sa pushka e hasmit, të cilën e kam pritur dhe e pres prapë.

Kjo tregonte se sa mëri i kishte babë Shabani dhe familja e tij përçarjet. Kur një tjetër i tha se ka qenë mirë që ta largosh familjen nga shtëpia, ai u përgjigj: Jo, nuk dua të ma shohë askush sherrin. Jemi të vendosur të qëndrojmë në shtëpinë tonë edhe në qoftë se do të na mbysin të gjithëve, por një është e sigurt, se të gjallë nuk do të kapemi... Dhe vërtet ashtu edhe ndodhi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat