Antishpifja, Hijenat e së kaluarës nuk e ndalin dot trendin e rrjeteve sociale - Bota Sot
Antishpifja, Hijenat e së kaluarës nuk e ndalin dot trendin e rrjeteve sociale

Opinione

Antishpifja, Hijenat e së kaluarës nuk e ndalin dot trendin e rrjeteve sociale

Nga: Lisen Bashkurti Më: 24 janar 2020 Në ora: 15:45
Lisen Bashkurti

E dhimshme. Dramatike dhe komike. Të kërkosh të ndalosh informacionin, shprehjen dhe median në kohën e revolucionit te rrjeteve sociale është t'i heqesh njerëzve ushqimin e kohës. Është dramatike, sepse njerëzimi ka pritur mijra vjet që të arrijë këtë moment. Është komike sepse censura është hijenë e së kaluarës që shuhet përballë rrezatimit diellor të kohës sonë.

Rrjetet sociale po ndryshojnë idetë, dëshirat dhe nevojat e njerëzve. Ato kanë sjelle gjithë njerëzimin në duart tona. Ato e kanë bërë botën sa një portokall. Ato po shndërrojnë doktrinën e globalizmit në një realitet të pakthyeshëm. Sasia e informacionit është e pakrasueshme me pak vite me parë. Larmia e informacionit është e pafund. Dinamika e informacionit është marramendëse.

Jemi përballë një revolucioni të vërtetë. Por përballë një revolucioni asimetrik. Asimetrine e revolucionit të rrjeteve sociale, tëndencën e tij, kahjet e lëvizjes dhe të zhvillimit, impaktet kontradiktore nuk diktohen gjitha nga informacioni që vjen nga këto rrjete, por më së shumti nga niveli obserbues, analitik, seleksionues dhe interpretues i individit, grupeve sociale dhe mbarë shoqërisë.

Shoqëria shqiptare vjen mbas një periudhë të gjatë indoktrinimi të centralizuar nga lart-poshtë, nga një kulturë relativisht e ulët dhe nga një vetëizolim i plotë. Përballja e shoqërisë shqiptare me revolucionin informativ të rrjeteve sociale po sjellë një tronditje të thellë ideologjike, politike, ekonomike, sociale, kulturore, morale e shpirtërore. Të tëra së bashku kanë prodhuar një furtunë të vërtetë, fundin dhe pasojat e së cilës askush nuk i parashikon.

Rrjetet sociale janë kanale më shumë burime dhe rrugë me shumë kalime. Janë dominuese dhe të pa censurueshme. E vërteta dhe gënjeshtra, autentikja dhe plazhiatura, inspiruesja dhe provokativja, e arsyeshmja dhe lajthitja, e dobishmja dhe rrënuesja, e drejta dhe e padrejta, njerëzorja dhe kriminalja, bamirësia dhe abuzimi, mirënjohja dhe mosmirënjohja-kryqëzohen pambarimisht, duke krijuar piramida informacioni kaotik në mendjet e individit dhe të mbarë shoqërisë. Ka më shumë dilema së kurrë. Ka më shumë kaos së asnjëherë.

Duket sikur rrjetet sociale po prodhojne djallin. Në të vërtetë ato vetëm e kanë nxjerre djallin nga shishja. Pasi edhe engjulli edhe djalli flejnë bashkë tek i gjalli. Duket sikur rrjetet sociale po krijojnë anarki. Në fakt ato po zbulojnë anarkinë në kokat dhe dëshirat e njeriut dhe njerëzimit. Duket sikur rrjetet sociake po krijojnë shthurrje morale. Në fakt vetëm po e cveshin lakuriq moralin e shtirur. Duket sikur po rrënojnë të vërtetën. Në fakt e vërteta që kur ka lindur është sfiduar nga gënjeshtra. Duket sikur të gjithë po na shtyjnë drejt "pranverave arabe". Në fakt ne po ecim vete drejt "stuhive të një rendi të ri botëror".

Në shoqërinë shqiptare po ndodh revolucion. Por jo revolucion klasik. Është revolucion mental e kulturor. Të pasuri e të varfërit, të diturit dhe injorantët, shumicat dhe pakicat, të rinjtë dhe të moshuarit, meshkujt dhe femrat, të pushtetshmit dhe të dobëtit, entuziastët dhe depresivet-të gjithë të barabartë përballë rrjeteve sociale, të gjithë ndjehen të çmuar dhe të diskriminuar njëkohësisht. Njerëzit në shoqërinë shqiptare po marrin informacion më shumë sesa kanë formim. Po u rritet oreksi më shumë sesa kanë dhëmbe. Pra shkalla e rrezikut është rritur. Parandalimi është i dobët. Reagimi kontradiktor.

A mund të mënjanohet ky revolucion informativ. Asesi jo, ai vetëm mund të sfidohet. Dhe sfida nuk përballët nga jashtë brenda, por nga brenda jashtë. Globalizmi nuk është rendje mbas gjithësisë, por ardhja e gjithësisë brenda nesh.

Duket sikur e keqja ka kapluar njerëzimin, por në fakt njerëzimi vetëm po e zbulon atë.
Duket sikur gënjeshtra po varros të vërtetat, por në fakt të vërtetat po mësohen me shumë së kurrë. Duket sikur të fuqishmit po shtypin të dobëtit, por në të vërtetë të dobetit janë në të fuqishëm sr asnjëherë dhe të fuqishmit janë më të dobët se kurrë. Fuqia dhe dobësia tanime varen nga fjala e shprehja e saj.

Rrjetet sociale po lënë pas mjetet e tjera të komunikimit. Legjitimiteti i çdo gjejë është në provë të përhershme. Transparenca po tejkalon çdo cak limitues. Përgjegjshmëria po shndërrohet në tipar individual. Participimi i çdo njerit në punët e gjithkujt po ndodh më shumë se kurrë.

Në fund të fundit revolucioni informativ i rrjeteve sociale po dëshmon se njerëzimi në tëreëi dhe shoqëria shqiptare në vecanti paskan vuajtur më shumë për informacion se sa për bukë dhe liri. Prandaj të gjithë ndjehen mirë dhe keq. Ndjehen të vlerësuar dhe të fyer. Të mbrojtur dhe të kërcënuar. Por të gjithë ndjehen më të gjallë se kurrë. Të gjithë ndjehen se janë pjesë e kësaj bote. Njerëzit shndërrohet në foto me selfie. Selfiet bëhen njerëz me fjalë. Ëndrrat bëhen realitete dhe realitetet ëndrra. Virtualiteti bëhet mënyrë jetëse. Jetesa përjetohet përmes virtualitetit. Të gjithë jetojmë në dy gjendje: në realitetin vulgar dhe në atë virtual. Atë që nuk e realizojmë në realitet e realizojmë në virtualitet. Realja dhe virtualja ndërveprojnë brenda nesh deri në pa kufij midis tyre.

Ky është revolucioni asimetrik i informacionit të rrjeteve sociale. Njerëzimi ka gjetur atë që ka kërkuar. Njerëzimi ka kërkuar atë që ka gjetur. Pra, njerëzimi është kthyer tek vetevetja. Asimetria e revolucionit të informacionit të rrjeteve sociale ka rrëzuar muret brenda njeriut dhe njerëzimit.

Sot njerëzit flasin më pak, por komunikojnë më shumë. Njerëzit janë të heshtur, por më shumë aktiv. Njerëzit janë të mbyllur në vetvete, por më të hapur para botës. Fatin e këtij revolucioni do ta përcaktojë beteja midis të vërtetës dhe të pavërtetës. Në thelb është revolucioni më i madh kulturor në historinë e njerëzimit. E ardhmja i përket shoqërive të kulturuara. Prandaj shoqëria shqiptare më shumë së për çdo gjë tjetër ka nevojë për kulturë. Përndryshe na pret kaos i paparashikueshëm dhe tjetërsim i pashmangshëm.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat