Sa deputetë do t’i fitojë BDI në njësinë zgjedhore 2 me 2 km autostradë në Bllacë? - Bota Sot
Sa deputetë do t’i fitojë BDI në njësinë zgjedhore 2 me 2 km autostradë në Bllacë?

Opinione

Sa deputetë do t’i fitojë BDI në njësinë zgjedhore 2 me 2 km autostradë në Bllacë?

Nga: Hamdi Nuhiju Më: 25 janar 2020 Në ora: 19:55
Hamdi Nuhiju

Para disa ditësh u promovua publikisht faza e parë e ndërtimit të autostradës të shumëfolur në Bllacë që lidh Republikën e Maqedonisë Veriore me Republikën e Kosovës. Kjo autostradë dhe autostrada Kërcovë-Ohër tregon fytyrën e vërtet të qeverive në Maqedoninë e Veriut në raport me shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Në mënyrë të shpejtë është ndërtuar autostrada që lidh Maqedoninë e Veriut me Serbinë, si dhe janë ndërtuar dhe modernizuar edhe rrugët që këtë shtet e lidhin me Bullgarinë dhe Greqinë fqinje. Por, kur jemi te Kosova dhe Shqipëria, qeveria e Maqedonisë gjithnjë ka qenë shurdhmemece dhe ka ditur që të punoj me ritmin e breshkës.

Në medie u raportua për zgjedhjen e firmës e cila do të merret me ndërtimin e autostradës në Bllacë si dhe për procedurat tjera, por asnjëri prej medieve nuk raportoi saktë datën se kur nis dhe kur përfundon kjo autostradë.

“Faza e parë do të fillojë nga kufiri Bllacë – Hani i Elezit dhe do të jetë e gjatë 2 kilometra. Punimet në terren për këtë fazë do të zgjatin 18 muaj. Faza e dytë – do të fillojë nga Bllaca deri në Shkup, do të jetë e gjatë 10.5 kilometra. Kjo autostradë do t`i ketë 4 tunele në gjatësi prej 4 kilometra, 8 ura dhe objekte të tjera. Do të jetë në dy drejtime, me nga dy korsi me gjatësi prej 3 metra, dhe një korsi për ndalesë me gjerësi prej 2.5 metra. Punimet për këtë fazë do të zgjatin 36 muaj.

Gjatësia e tërë autostradës do të jetë 12.5 kilometra, do të kushtojë 110 milionë euro, do të ketë 4 tunele, 8 ura, ndërkaq pritet të përfundojë për 54 muaj – 4.5 vjet. U paralajmërua edhe vendosja pikëpagesave rrugore.”, u raportua në Gazetën Koha.

Për nisjen dhe përfundimin e dy kilometrave rrugë në këtë autostradë, sipas paralajmërimeve të qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut do të nevojiten tre vite, ndërsa paralajmërimin për këto dy kilometra tash para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare e bëri Bujar Osmani, njëri prej eksponentëve kryesor në BDI. Në medie disa herë u spekulua edhe për hapjen e kufirit Bellanoc-Stancic, por fatkeqësisht edhe pse u paralajmërua që kjo gjë të ndodh me 28 nëntor të vitit të kaluar, kufiri nuk u hap. Fajin për mos hapjen e kufirit, Bujar Osmani ia la mungesës së internetit në palën kosovare. Kaluan dy muaj nga ajo datë, “interneti” ende nuk është zgjidhur, kufiri ka ngel i mbyllur.

Para disa ditësh në medie u spekulua me informacionin se në fund të muajit janar të këtij viti do të bëhet hapja solemne e këtij kufiri. Nëse ky informacion del i saktë, atëherë BDI-ja në krye me Bujar Osmanin qëllimisht atë kufi e ka lënë të mbyllur që shqiptarët të mos lëvizin që këtë gjë ta shes si të arritur në një kampanjë të ashpër zgjedhore. D.m.th. sakrifikohet lëvizja e lirë e qytetarëve të Komunës së Likovës, Gjilanit dhe Kumanovës me të vetmin qëllim që BDI-ja përmes kësaj hapje solemne të mashtroj përsëri një grup votuesish dhe të nxjerr deputet në zgjedhjet e 12 prillit.

Në anën tjetër dukuritë e habitshme që po ndodhin në Maqedoni aspak nuk janë duke i shqetësuar subjektet politike shqiptare.

Edhe pse me ligj është paraparë që programi shtetëror MTV 2 dhe Radio Maqedonia 3, programe në gjuhën shqipe, të transmetohen në 24 orë, këtë gjë qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është duke e penguar.

Në planin financiar të MRT për vitin 2020, shkruan se buxheti i ndarë për Radiodifuzionin e Maqedonisë është 0.9 % që i bie diku 700.000 euro më pak nga se e kanë parashikuar. Këto mjete prej 700.000 euro, do të ishin të mjaftueshme për të mundësuar transmetimin 24 orësh të programeve në gjuhën shqipe si dhe krijimin e vendeve të reja të punës ku parashikohej që do të punësoheshin diku 95 gazetar shqiptar.

“Në vend që ta kufizojë numrin e bastoreve dhe kazinove, shteti me para të popullit do të blejë 1500 aparate të reja për bixhoz”.

Kështu thonë nga Lëvizja Anti-bixhoz, pas votimit të djeshëm në Kuvend ku u ndanë 6.5 milionë euro për mjete dhe objekte ku organizohen lojëra të fatit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Për shtetin e Maqedonisë dhe për BDI-në më të rëndësishëm janë 1500 aparate bixhozi që do të kushtojnë 6.5 milion euro, sesa të jepet program 24 orësh në gjuhën shqipe, të punësohen 95 shqiptar që sadopak do të pengonte shpërnguljen e shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut.

Por, BDI-ja në vend të fokusimit të saj në krijimin e mirëqenies ekonomike të shqiptarëve, i interesojnë 2 km autostradë që do të ndërtohen për 3 vite si dhe zhvillimi i lojërave të fatit.

Me 2 km autostradë në Bllacë nuk e di se sa deputet BDI-ja do t`i fitoje në njësinë zgjedhore numër dy, vetëm e di një gjë sigurt se në këtë mënyrë as BDI-ja as subjektet politike tjera shqiptare nuk do të munden ta ndalin shpërnguljen masive të shqiptarëve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat