Tani kërkojmë mëshirë nga ju – nëse keni

Opinione

Tani kërkojmë mëshirë nga ju – nëse keni

Nga: Jashar Etemaj Më: 30 janar 2020 Në ora: 08:12
Jashar Etemaj

Na keni rrëzuar për toke, na keni vrarë ëndrrat e shpresën, me koalicionin e “shpresës” Ju shkelet në ëndrrat e shpresat tona, për të parën herë, për të dytën herë, madje edhe për të tretën herë për shkak të egove tuaja. Ju jeni tërbuar aq shumë sa që nuk ju behët problem as ta ç’rrënjosni këtë situatë të papërballueshme! Me fushatat e linçimet e juaja ndërpartiake nuk i keni lënë vend as bashkëpunimit politik, jeni bërë armiq! Kjo situatë e lehtësisë së papërballueshme po i thyen ëndrrat, shpresat e një perspektive për të jetuar në mëmëdhe. Edhe pse ikin qytetarët nga Kosova, kjo nuk u bahet problem. Edhe ikjet e qytetarëve i përdorni si mjete për të ardhur në pushtet, qoftë gjatë fushatave, qoftë si opozitë politike!

Të gjithë e dimë atë fjalën që politika është art i së mundshmes. Na keni lodhur më këtë përkufizim duke e përdorur vend e pa vend. Mirëpo, politika përveç artit të së mundshmes duhet të shërbej me metoda humane ndaj qytetarëve të vetë, së paku.

Ne mund ti gëlltitim gënjeshtrat, shantazhet dhe super rrenat e juaja deri diku, gjatë  fushatave zgjedhore se Kosovën do e bëni Zvicër! Mirëpo, pas fushatave në çdo shtet me demokraci të konsoliduara të gjitha partit politike këndellen nga propagandat e premtuara dhe ia japin dorën fituesit.

Te ne ndodhë e kundërta! Kemi ndjenjën që ende jemi në fushatën e 6 tetorit. Jemi lodhur me ju, nga ju, nga sharjet, nga akuzat, nga shantazhet, nga premtimet, hajnit e kurvëritë. E keni humbë edhe ndjenjën e turpit. Për ata gënjeni, shantazhoni e vjedhni pa u skuqur. Sikur të mos jetonim në Evropë dhe në epokën e demokracisë evropiane, edhe do vriteshit njëri më tjetrin, si në mesjetë. Me fjalë e akuza, hyzmetin ia keni bëre kësaj pune.

E keni degraduar jo vetëm heroin e patriotin, po edhe tradhtarin. Nuk e dimë se kush është patriot e kush tradhtarë! Na keni nda e përça si askush më parë. Nëse unë mendoj që një politikan është patriot dhe punon për të mirën e vendit, bashkëbiseduesi im të njëjtin e konsideron si tradhtarë. Na keni bë pikë e pesë, na keni shpërnda dhe bërë të pa fuqishëm.

Debate e sidomos dialogje politike nuk ka as mes qytetarëve! Qytetarët janë bë si ju! Bisedat politike me njëri tjetrin fillojnë me temperaturë dhe përfundojnë me sharje e urrejtjeje! Dëshirojmë që kur mos ta shohim bashkëbiseduesin – Bravos bre! Për pasqyrimin e juaj!

Në kohën e Millosheviqit atdheu çmohej e mbrohej. Regjimi i Millosheviqit, vriste, torturonte, dhunonte të nxirrte nga puna. Edhe pse ekonomia e shqiptarit në atë regjim ishte më e dobët se tani, qytetarët nuk syrgjynoseshin! Jo në këtë masë si tani.

Në regjimin e Millosheviqit, shqiptari punonte e gjallëronte dhe çka është kryesorja e kundërshtonte dhe e luftonte okupimin. Gjithnjë me një optimizëm që do fitoj demokracia si sistem më i përsosur shoqërorë drejtë një ardhmërie të lumtur.

Fatkeqësia është se politikbërja e juaj e mbrapsht na ka thyer ëndrrat aq shumë sa që ne nuk po ndiejmë dashni e as perspektiv në atdheun tonë! Në këtë gjendje, e as afër saj nuk na katandisi as regjimi i Millosheviqit.

Lëreni apetitet e juaja pushtetare me çdo kusht, tregoni mëshirë ndaj qytetarëve të vuajtur! Lëreni diplomacitë (që ju mendoni se po bëni diplomaci) shantazhet, gënjeshtrat e pazaret. Lëreni krenarinë, le të ju udhëheq ndërgjegjja, pasiqë arsyeja u mungon, për gjendjen tonë të thyer të përditshme.

Se s`kemi për çka krenohemi! Poeti dhe shkrimtari Kadrush Radogoshi e portretizon historinë tonë, faktikisht të tashmen shumë realisht në poezinë e fundit:

Sheshet e vendlindjes u ngjasuakan galerive.

Ku ekspozohen veprat artistike

Të vogëlsisë sonë historike

Të madhështisë sonë legjendare.

Pika kthesë e çlirimit të Kosovës nuk ishte as lufta e UÇK-së (nuk dua ta mohoj kontributin e sakrificën e asnjë ushtari të UÇK-së, as rezistencën pacifiste) e as rezistenca pacifiste, po maskara e Reçakut.

Si popull, mos i organizuar historikisht, çdo pesëdhjetë vjet patëm nga një masakër. Sa jetonim në Jugosllavi masakrën e Tivarit as që guxuam të iu përmendim “vëllezërve”  partizan serb. Përkundrazi, bashkëjetuam me ta nën trusnin e një masakre të ardhshme!

Aty ku nuk bënë punë diplomacia, kryen punë mëshira. Si rezultat i mëshirës që treguan ndaj neve shtetet perëndimore evropiane në krye me SHBA-në e parandaluan kasaphanën në Kosovë. Normal, kur Serbia nuk i la vend diplomacisë e ndërmjetësimit, shtetet mike perëndimore intervenuan të shtyrë nga ndjenja humane - mëshira.

Edhe ne, qytetarët, kërkojmë nga ju zgjimin e ndjenjës se mëshirës, dhembshurisë ndaj këtij populli të përvuajtur.

Se  me mjete diplomatike e keni pshurr bashkëpunimin për një koalicion të mundshëm.

Qytetarët ndoshta nuk mund të dinë se se çka është diplomacia!? Po, qytetarët e dinë se çka është e drejta , e vërteta e pa korruptueshmja. Ata më 6 tetor besimin më anë të votës për ta udhëhequr shtetin ia besuan Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Èshtë e tmerrshme qe ky vullnet i sovranit të pengohet me linçime e dredhime, të ndrydhët duke paguar e premtuar kamrier politikanëve lakmitarë.

Kosova si shtet i brishtë për momentin gjendet në një sferë destabiliteti. Mu nga ky shkak mund të kërkohen zgjedhje të shpejta të problemit më Serbin, qe neve do na kushtojnë shtrenjtë siç na kushtuan historikisht. Të ndrydhët vullneti i popullit për shkak të nje trysnie kalimtare është ligësi. S`kemi çka frikohemi! Albert Einstein patë theksuar : Ka një forcë me të madhe se avulli, se elektriciteti se energjia bërthamore , është vullneti: Mos e pengoni vullnetin e qytetarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat