Sjellja e BE-së me Italinë, rënie e sistemit të vlerave të BE-së

Opinione

Sjellja e BE-së me Italinë, rënie e sistemit të vlerave të BE-së

Nga: Shaban Murati Më: 18 mars 2020 Në ora: 08:12
Shaban Murati

Pandemia e coronavirusit është një tronditje tektonike për shtetet, për aleancat dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare. Është një provë e vështirë politike, diplomatike dhe gjeopolitike, e cila do të kërkojë rivlerësimin e shumë parametrave në formulimet e politikave të jashtme në shkallë ndërkombëtare.

Një provë, ku po dështojnë shtete dhe aleanca, të cilat janë krijuar pikërisht për të përballuar sëbashku krizat e mëdha ekzistenciale. Nuk mund t’i vesh emër tjetër veçse dështim i funksionimit të BE si aleancë shtetesh europiane braktisjes që BE i bëri Italisë si shteti europian me krizën më të rëndë të coronavirusit. Ambasadori i Italisë në BE, Maurizio Massara, në një artikull të botuar në portalin “politico.eu” në 10 mars bën të ditur se Italia ka kërkuar që të aktivizohet mekanizmi i BE për Mbrojtjen Civile për furnizimin me pajisje mjekësore për mbrojtjen individuale.

Por “fatkeqësisht asnjë shtet i vetëm i BE nuk iu përgjigj thirrjes së Komisionit. Sigurisht kjo nuk është shenjë e mirë e solidaritetit europian”,- shkruan ambasadori. Përtej gjuhës së zgjedhur diplomatike të ambasadorit italian, e vërteta është se BE e la vetëm Italinë në luftën e madhe dhe të pandodhur më parë të një epidemie vrastare, që uli në gjunjë gjithë botën. Përveç indiferencës dhe neglizhencës së BE, disa shtete anëtare si Franca dhe Gjermania shkuan edhe më tej duke ndaluar eksportin për në Itali të maskave dhe të disa pajisjeve mjekësore, për të cilat Italia kishte nevoja urgjente.

Asistuam në paradoksin e bllokimit të solidaritetit dhe bashkëpunimit në kohë krize brenda BE, gjë që e detyroi presidentin italian Sergio Mattarella në 11 mars të deklaronte se “Italia po kalon një periudhë të vështirë dhe përvoja e saj në përballimin e përhapjes së coronavirusit mund të jetë nesër e dobishme për BE. Prandaj me të drejtë priten nisma solidariteti dhe jo hapa, që mund të pengojnë veprimin”.

Sjellja e BE kundrejt Italisë në krizën e coronavirusit ishte një tronditje e vërtetë publike, politike, diplomatike, etike, etj. Është hera e parë që BE ndodhet përpara një pandemie kontinentale dhe botërore, dhe ajo dështon të ndihmojë shtetin aleat me krizën më të madhe virologjike. Është vërtet enigmë kjo sjellje e BE ndaj një shteti themelues të BE, ku edhe Traktati Themelues quhet Traktati i Romës, sepse është nënshkruar në kryeqytetin italian. Nuk gjen shpjegim kjo sjellje ndaj një shteti të madh të BE, me një ekonomi nga më të mëdhatë e BE, një shtet i cili që nga themelimi i BE e deri në ditët e sotme ka profilin më të lartë europian dhe më integrues brenda bllokut, shumë më të avancuar se shtete të tjera të mëdha si p.sh Franca.

Ka pasur përpjekje politikanësh e diplomatësh për t’i gjetur një domethënie kësaj sjelle të papranueshme të BE ndaj një shteti aleat të rëndësishëm si Italia. Mund të konsiderohet një dështim i funksionimit të BE si aleancë. Por mund të konsiderohet edhe si dështim i sistemit të vlerave, mbi të cilin bazohet krijimi dhe vazhdimi i ekzistencës së BE. Sepse me krizën e epidemisë së coronavirusit duket se ka dështuar edhe Europa e shteteve, edhe Europa e popujve. Ambasadori italian në BE e quan coronavirusin një provë për kohezionin dhe për kredibilitetin e BE dhe paralajmëron BE-në se në qoftë se jemi egoistë dhe të përçarë, ne do të humbim.

Pas kësaj sjellje të braktisjes së aleatit në krizën e madhe panbotërore të coronavirusit besimi tek BE dhe tek sistemi i saj i vlerave nuk mund të jetë më ai i pari. Ka humbur besimi brenda familjes europiane. Gazeta “Il tempo” shkruante në 13 mars: “Europa i fut thikën Italisë”. “Nonelaradio.it” pyeste në 10 mars:”Jemi në emergjencë kombëtare dhe ku është BE?”. Prestigjiozja “La Republica” shkruante në 6 mars se Italia ka kërkuar ndihmë që në 27 shkurt, por në takimin e ministrave të shëndetësisë të BE asnjë shtet nuk iu përgjegj. “Il giornale” në 6 mars: “BE na merr me shkelma. Na le pa maska”.

Nëse BE si aleancë nuk funksion përballë një krize ekzistenciale si coronavirusi, me të drejtë duhet pyetur se si do ta justifikojë formatin dhe institucionet e mekanizmat e saj më tutje. Përfshirja e shteteve në një aleancë politiko-ekonomike presupozon në radhë të parë jo vetëm solidaritetin e detyrueshëm të statutit, por edhe mbrojtjen reciproke të detyrueshme në rast luftërash, krizash masive dhe fatkeqësish me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare.

Është lehtë të imagjinohet se çfarë efekti ka kjo sjellje e BE tek shtetet dhe popujt, që aspirojnë të hyjnë në BE, që janë shtete kandidate apo që kanë paraqitur kërkesa për anëtarësim. Nuk mund të mos e rrisë euroskepticizmin kjo sjellje e BE ndaj Italisë, sepse logjika më e thjeshtë shtyn të mendosh se kur BE braktis në fatin e vet një shtet të tillë të rëndësishëm si Italia dhe themelues i BE, çfarë mund të ndodhë me shtetet e reja europianolindore, që kanë hyrë, apo me shtetet e reja, që do të hyjnë. Kjo do të thotë që shtetet kandidate duhet ta ndjejnë qysh tani braktisjen. Në datën 16 mars Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë, shtet kandidat i BE që ka hapur bisedimet e pranimit, foli për mungesën e solidaritetit europian për shkak të ndalimin e eksportit të ilaçeve dhe të pajisjeve mjekësore dhe deklaroi se solidariteti europian apo ndërkombëtar është përrallë në letër. Klima të tilla e bëjnë të çvleftësohen retorikat integruese në deklaratat e rezolutat e BE për 10 apo 15 kushtet, që duhet të plotësojë ky apo ai shtet ballkaniko-perëndimor që të hapë bisedimet e pranimit me BE.

Dështimi i funksionimit të parimit të solidaritetit dhe të mbrojtjes reciproke të BE ndaj Italisë hap diskutimin e madh për ndryshimet apo lëvizjet e reja gjeopoltike, që pritet të ndodhin në arenën ndërkombëtare pas mbarimit të pandemisë botërore të coronavirusit. Shteti i vetëm, që iu përgjigj menjëherë kërkesës së Italisë për nevojat e kapërcimit të krizës ishte një shtet jashtë BE dhe jashtë Europës, Kina. Ministri i jashtëm italian Luigi Di Maio njoftoi në një intervistë me “BBC” në 12 mars se qeveria kineze po dërgon në Itali ekipe të mjekëve specialistë dhe pajisje mjekësore. Kina, shteti më i goditur në botë nga epidemia e coronavirusit, u tregua e gatshme me ndihmën e nevojshme ndaj Italisë, në një kohë kur shtetet e tjera të mëdha europiane, ku të infektuarit numërohen me gishtat e dorës, ngurruan dhe refuzuan të ndihmojnë aleatin e tyre të BE dhe të NATO-s. “Limesonline.com” shkruante në 11 mars se “Pekini i vjen në ndihmë Italisë në një moment kur Roma ndjehet e lënë vetëm nga partnerët europianë”.

Qëndrimet e shteteve dhe të aleancave në kohën e pandemisë së coronavirusit meritojnë vëmendje, dhe mund të ndikojnë në piketa, në veprime dhe në formatime të reja gjeopolitike në arenën ndërkombëtare. Profesori rus Andrej Bystritskiy, kryetar i Bordit të Fondacionit për Zhvillim dhe Mbështetje në think-tankun e mirënjohur rus “Valdai Club” shkruante në 16 mars se “Unë kam dy dyshime: E para, që coronavirusi luajti rolin e një këmbëze, një rasti, për të shpërndarë tension global. E dyta gjë është që coronavirusi do të jetë mjeti më i rëndësishëm i de- ose riglobalizimit”.

Aleancat nuk mbahen në këmbë nga programet e bukura apo retorikat e samiteve. Aleancat e vërteta vihen në provë me përballimin sëbashku dhe me kapërcimin sëbashku të krizave ekzistenciale, siç është kjo e coronavirusit, që nuk njef as kufij shtetesh dhe as kufij racash e fesh. Nuk dua të besoj  se është arritur deri në atë shkallë sa që epidemia e coronavirusit të shfrytëzohet për qëllime individuale gjeopolitike të shteteve, jo vetëm ndaj kundërshtarit, por edhe ndaj aleatit.

Nuk dua të besoj fjalët e politikanit italian Matteo Salvini në 14 mars se dikush po përdor virusin për të bërë një luftë tregtare në Itali. Nuk dua të besoj teorinë konspirative sipas së cilës një shtet i madh i BE kërkon të dobësojë dhe të mënjanojë Italinë nga klubi i vendimmarrësve në BE dhe nga rivaliteti në zonat naftëmbajtëse të Afrikës së Veriut.

Pandemia e coronavirusit hedh në tavolinat e drejtuesve të qeverive dhe të diplomacive nevojën e një këndvështrimi tërësisht të deideologjizuar të marrëdhënieve ndërkombëtare. Deideologjizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare është një proces, që duhej të vazhdonte edhe pas mbarimit të luftës së ftohtë. Tani nevoja merr përmasa planetare. Shtetet, aleancat dhe marrëdhëniet ndërkombëtare kanë përballë provat e tyre konkrete për të konfirmuar veten. Një provë e tillë është pandemia botërore e coronavirusit, e cila po sugjeron rivlerësime, kërkime dhe forma të reja të ndërtimit të marrëdhënieve me shtetet e tjera./Dita

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat