Jo Zotëri President, nuk ka shkelje të Kushtetutës në këto rrethana! - Bota Sot
Jo Zotëri President, nuk ka shkelje të Kushtetutës në këto rrethana!

Opinione

Jo Zotëri President, nuk ka shkelje të Kushtetutës në këto rrethana!

Nga: Lirim Begzati Më: 24 mars 2020 Në ora: 22:41
Lirim Begzati

Nëse nuk gabojmë, gjendemi përballë shembullit të parë (ndoshta edhe në botë!) që një kryetar shteti kërkon nga Gjykata kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e një vendimi të marrë nga Qeveria e vendit dhe që ka të bëjë me masat aktuale të luftimit të pandemisë.  Pa mëdyshje, nuk besohet aspak se, ky shembull, do ti shërbejë dikujt tjetër si një burim frymëzimi.

Përcjellja me kujdes e gjendjes së krijuar, hapë një hapësirë të mjaftueshme për me e cilësuar si të kuptueshme, të përshtatshme dhe të domosdoshme masën e Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve. Vendimi i marrë nuk është kurrgjë tjetër përveçse një masë konform rrethanave të krijuara dhe kërkesave që dalin nga nevoja e veprimit vigjilent në këto momente të vështira.

Nuk besohet se ekziston sot në botë ndonjë Kushtetutë - mjaftueshëm e “armatosur” - për të ofruar zgjidhje optimale përballë gjendjes së krijuar.

Një vështrim krahasues tregon qartë se të shumta janë ato Qeveri apo shtete që kanë marrë masa të ngjashme, ashtu si ato të marra nga Qeveria jonë e Kosovës. Edhe shumë të tjerë, nuk kanë pritur pra shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për me marrë vendime të tilla.   

Shteti zviceran nuk ka pasur, për shembull, aspak nevojë të shpallë gjendje të jashtëzakonshme për aplikimin e kufizimeve të shumta. Aksioni politik është i fokusuar në aplikimin e masave të gjykuara si të përshtatshme dhe në pajtim me nevojat e parandalimit të përhapjes së mëtutjeshme të pandemisë.   

Marrë parasysh përshkallëzimin e gjendjes dhe pasojat dramatike, as që duket sot e arsyeshme që t’i përqendrojmë energjitë tona në çështjet e respektimit të lirive dhe të drejtave që kanë bëjnë me qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe disa të drejtave të tjera individuale.

Përkushtimi kryesore duhet përqendruar në prioritetin e mbrojtjes së interesave të gjithmbarshme të qytetarëve, pa pasur nevojë me i shprehur përparësitë terminologjike apo me u futur në lojërat e panevojshme juridike. Sidomos jo në këto kohëra. E kuptueshme kjo për gjithsecilin nga ne, e pse mos me e rikujtuar këtë!

Jo, vendimi i Qeverisë me siguri se nuk shkel aspak të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Republikës së Kosovës të garantuara me Kushtetutë dhe me konventat ndërkombëtare. Bile janë këto të fundit ata të cilat kërkojnë marrjen e vendimeve të tilla.

Është e vërtet se një dispozitë e Kushtetutës së Kosovës e thekson atë se “ Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë, mund të bëhet vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme...”.

Kjo nuk do të duhej të shërbej assesi si një pretekst apo bazament juridik për pengimin e masave të propozuara nga Qeveria. Fundja, masat e propozuara, si të tilla, janë të jashtëzakonshme, pa pasur nevojë me humbur kohë me çështjen se a duhet apo jo të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Ndoshta edhe kjo do të bëhet e paevitueshme me kalimin e kohës, por në moment kërkohen veprime, e këto të Qeverisë mundet lirshëm të integrohen në regjistrin e nevojave të qytetarëve, të domosdoshmërisë së momentit.

Në letrën e Presidentit ceket edhe pesha e konventave ndërkombëtare. Lidhur me këtë, një interpretim i kujdesshëm i konventave në fjalë të ratifikuara nga Kosova nuk i’a imponojnë Qeverisë që, masat e kufizimit të disa të drejtave themelore të imponuara nga një gjendje, t’i ndërmarrë vetëm pas shpalljes së një gjendje të ashtuquajtur të jashtëzakonshme.

Paradoksi vërehet edhe në faktin se përmes “ankesave” shprehet njëfarë indinjate për shkak të kufizimit të një të drejte të lirisë së qarkullimit të qytetarëve, e ndërkohë thuhet se duhet paraprakisht të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme, para se të aplikohen masat e tilla! Kurse dihet se masat e gjendjes së  jashtëzakonshme shkojnë me siguroi shumë larg, pasi që ato nuk do të kufizoheshin vetëm në çështjen e qarkullimit të lirë të qytetarëve! 

Shqyrtimi i kërkesës së Presidentit do të paraqesë me siguri një kokëçarje për Gjykatën kushtetuese. Por, kjo e fundit nuk do t’i shmanget nevojës së tregimit të vigjilencës dhe të reflektimit objektiv për vënien në baraspeshë, nga një anë, të një dispozite kushtetuese, dhe nga ana tjetër, të kompetencave kushtetuese dhe legjitime të Qeverisë, por edhe të nevojave të veprimit të saj urgjent, në përputhje me gjendjen e krijuar.

E përfundojmë me një shembull tjetër krahasues;  një dispozitë e Kushtetutës zvicerane thotë, në mes tjerash, vetëm arsyet e mbështetura në mbrojtjen e interesit të gjithmbarshëm apo mbrojtjen e një të drejte themelore të dikujt tjetër, mund t’ia kufizojë dikujt të drejtën e lëvizjes së lirë. Kjo duhet të jetë në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe me qëllimin e synuar. Askund nuk thuhet se duhet paraprakisht të shpallet një gjendje e jashtëzakonshme, para se të kufizohet një liri e qarkullimit!

U kuptuam pra se dispozitën e tillë nuk mund ta aplikojmë në territorin e Kosovës. Askush nuk e kërkon një gjë të tillë. Megjithatë, baza e saj tregon elemente të vyeshme frymëzimi, sidomos dimensioni i saj juridik dhe human, i cili një theks të veçantë i kushton interesit të gjithmbarshëm. Një nevojë pra e diktuar nga pragmatizmi, e jo nga nevoja e një “juridizmi të tepruar”, aty ku nuk duhet!     

Në ditën e sotme, edhe disa vendime të kantoneve zvicerane dëshmojnë se ato janë gati se të detyruara t’i shkelin rëndë disa rregulla të federalizmit, por pushteti qendror duhet të tregojë një qasje të kujdesshme ndaj kësaj situate. Nuk dëgjuam deri sot të iniciohen procedura për analizën e pajtueshmërisë së vendimeve të tilla me dispozitat e Kushtetutës federale. Një burim i shumëfishtë frymëzimi.  

Neuchâtel (Zvicër), më 24 mars 2020

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat