Nga Serbia duhet të ruhemi - Bota Sot
Nga Serbia duhet të ruhemi

Opinione

Nga Serbia duhet të ruhemi

Nga: Gjokë Dabaj Më: 30 prill 2020 Në ora: 19:16
Gjokë Dabaj

Në të vërtetë, duhet thënë “nga pjesa e keqe e Sërbisë”, për të mos i futur të gjithë në një thes. Por, përderisa te vetë ata, te vetë sërbët, nuk ka ende një diferencim të dukshëm në qëndrimin ndaj nesh, ne s’na mbetet tjetër, veçse të pëdorim shprehjen gjithpërfshirëse “nga Sërbia”.

Shqiptarë, ruhuni nga Sërbia! Sërbia nuk është fqinja jonë e mirë! Sërbia nuk është as për Evropën një shtet i mirë! Sërbia nuk është as për vete një shtet i mirë! Prandaj është e domosdoshme, është jetike, që popujt të ruhen ndaj një krijese të atillë.

Se si është krijuar ajo krijesë, nuk po ndalem tani për ta shpjeguar. Punë që mund ta bëjmë herë të tjera. Këtë herë po sjell këtu vetëm disa të vërteta, më tepër se të rënda, që sapo i nxora nga një libër i Robert Elsiesë, titulluar “Fiset shqiptarë”. Botime Artini, Prishtinë, 2017.

* * *

Qershor 1913. Vetëm në Bytyç u vranë 51 burra nga forcat sërbe. (f. 258)

Më 1915 Bytyçi u sulmua sërish nga forcat sërbe dhe fshati Qerret u shfaros pothuajse tërësisht. Vetëm një anëtar i një familjeje kishte shpëtuar, se s’kish qenë aty. (f. 258)

Në nëntorin dhe dhjetorin e vitit 1912 Malziu i Pukës u pushtua nga forcat sërbe, me ç’rast, në luftime u vranë disa qindra luftëtarë. (f. 290)

Në pranverë 1913 sërish mbetën të vrarë 20 malësorë të fisit Malzi të Pukës. (f. 290)

1912-1913. Shënime nga Edith Durham. “Një oficer sërb, në praninë time, përshkruante se si ai dhe bataloni i tij i kishin therur me bajoneta të gjitha gratë dhe fëmijët e fisit të Lumës, sepse “gratë lindin fëmijë” (më tha duke qeshur dhe pothuajse duke u ngulfatur nga birra që pinte). “Sërbët, -tha oficeri sërb, -po çlirojnë tokën nga sundimi turk…” Pasi u interesova më tej, mora vesh se në Lumë ishin masakruar afro 1400 banorë. (f. 417)

1913. Edith Durham vazhdon: “Disa sërbë erdhën këtu (në Podgoricë, Gj. D.) dhe gjatë darkës ra fjala për Lumën. Unë u thashë se, kur isha atje, ata më kishin pritur me përzemërsi. Në atë çast shpërtheu gazi: “Shkoni tash atje dhe kërkojini miqtë tuaj; s’do të gjeni asnjeri të gjallë.” (f. 417)

E tash disa të dhëna statistikore, lyer fund e krye me gjak shqiptarësh, nxjerrë nga një “Raport Zyrtar dërguar Fuqivet të Mëdha”, botuar në dhjetor 1913, që gjithashtu i gjejmë në librin e Robert Elsiesë.

“Në qarkun e Lumës, veçanërisht në Shullan, tërë popullatës iu pre fyti, me përjashtim të 3 personave, të cilët ikën në pyll.” (f. 418)

“Në Dodaj dhe Kjushtan pati 13 viktima”. (f. 418)

“Në Topojan 50 banorë u asgjësuan”. (f. 418)

“Në Çerem pati 23 viktima.” (f. 418)

“Në Krushevë 8 anëtarë të një familjeje, mes të cilëvet 3 gra, 1 foshnjë njëvjeçare, 2 fëmijë katërvjeçarë dhe 1 vogëlushe gjashtëvjeçare, u vranë me gjakftohtësi nga soldateska sërbe”. (f. 418)

“Në Bushtricë dhe Billushë, popullata, pa marrë parasysh gjininë e moshën, ose u ther me shpata, ose u dogj e gjallë. Kafshët i rrëmbyen, kurse barinjtë i vranë”. (f. 418)

“Në Gjinaj, në Lusnë, në Kolis dhe në Villë, u vranë 123 burra, gra e fëmijë”. (f.418)

“Në Ujmishtë pati 15 viktima, në mesin e të cilavet ishin: 1 grua, 1 foshnjë tremuajshe, 1 fëmijë katërvjeçar, 1 fëmijë tetëvjeçar”. (f. 418-419)

“Në Xhaferaj, në Breki, në Nimç, në Lojmë dhe në Përbreg, popullata u rrethua nga sërbët, u masakrua pa pikë mëshirë. Disa prej tyre i varën nëpër degët e lisavet, ndërsa shumicës ua prenë fytin. Disa të tjerë i hodhën në zjarr. Vetëm në Breki (ndoshta Breg, Gj. D.) pati 1300 viktima, burra, gra dhe fëmijë. Në Përbreg numri i viktimavet ka të ngjarë të jetë mbi 400. Vetëm dy banorë të Nimcës ia dolën të shpëtojnë nga shfarosja”. (f. 419)

“Në Surroi u vranë 55 burra e 2 gra”. (f. 419)

“Në Bardhoc e Novosejë 1 grua e 4 fëmijë u dogjën të gjallë”. (f. 419)

“Në Fushë-Sulë e në Arrëz pati 11 viktima”. (f. 419)

...“Më 7 shtator 1913 masakrat vazhduan dhe shumica e fisevet të Dibrës u shfarosën”. (f. 446)

Në dhjetor të vitit 1913, në “Raportin Zyrtar të Fuqivet të Mëdha” gjejmë këta fakte: “Në Homesh sërbët vranë 3 njerëz, në Shupenzë sërbët vranë 4 njerëz, në Oksharinë (ndoshta Okshtun, Gj. D.) sërbët vranë 2 njerëz, në Topojan sërbët vranë 1 njeri, në Çerencë sërbët vranë 4 njerëz”. (f. 446-447)

* * *

Këto të dhëna i mora te libri “Fiset shqiptarë” të autorit Robert Elsie. Kur i lexon, njeriu, ose duhet ta ketë shpirtin prej llamarine, ose s’është e mundur pa i lagur copat e letravet me lot. Jo se je dhe janë shqiptarë. Mund të jenë e të jesh i çfarëdo kombi. Njeriu që është njeri, nuk mund të rrijë gjakftohtë para një të këtillë informimi.

Sidomos sot, kur në të gjitha anët po dëgjojmë: Dialog me sërbët, dialog me sërbët! Për çfarë të dialogojmë?! Lexo edhe njëherë pak më lart!

Mirëpo, unë, në këta çaste, nuk po e shoh fajin as tek ata që po na nxisin të “dialogojmë”, dmth, të harrojmë, as tek ata që nuk po duan as ta njohin Republikën e Kosovës, siç janë Rusia dhe Kina. Unë fajin po e shoh te vetë ne shqiptarët.

Nuk po them të marrim topa e raketa (se s’kemi, edhe me dashtë), por po them: Pse ambasadat tona nuk po ua paraqesin, në formë promemorieje apo në formë note, të gjithë shtetevet të botës këto të vërteta?! Pse nuk po dimë ne shqiptarët të flasim atje ku duhet dhe ashtu si duhet të flasim?! Të caktohen ekipe studiuesish vetëm për këtë punë! Të nxjerrin në dritë, ata ekipe, krimet që kanë bërë sërbët mbi popullin tonë dhe t’ua paraqesin qeverivet të të gjithë shtetevet të botës, zyrtarisht.

Të shkruajnë promemorje, t’ua dorëzojnë qeverivet, t’i botojnë nëpër gazeta dhe kurrë të mos pushojnë, deri sa bota ta marrë vesh mirë kush ka qenë e kush është Sërbia. Le t’ia fillojnë që nga shekulli XII e XIII, kur Stefan Nemanja e rrënoi Tivarin gjer në themele, dhe le të mos heshtin as për Prekazin, as për Reçakun e as për Kumanovën e shekujvet XX e XXI!

Ndërkaq, kombi ynë, nëse gjaku s’i është bërë hirrë, duhet të mësojë të ruhet nga Sërbia. Të ruhet, sepse pjesa e saj e keqe nuk pushon së thururi plane ditë e natë: Si t’ia bëjmë me shqiptarët?! Si t’ia bëjmë, që të mos ketë më shqiptarë në këto hapësira?! Ata nuk lënë metodë pa përdorur: që nga ajo që e lexuam me lot ndër sy e deri tek ilaçet apo mielli, që na i shesin me aq “korrektësi”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat