Nga karantina në selamet - Bota Sot
Nga karantina në selamet

Opinione

Nga karantina në selamet

Nga: Kimete Berisha Më: 27 maj 2020 Në ora: 22:43
Kimete Berisha

1. Më vjen mirë që bash më 30 maj dalim nga karantina në selamet, sepse ky transferim
përkon me ditëlindjen time.

Por, unë s'jam më ajo që kam qenë.
Jam në rrugë të mirë, por ende nuk jam bërë si vargu i Medës: 'N'shpi s'po m'shkohet, n'rrugë s'po m'rrihet'.

Mua më rrihet. Sepse për mua shtëpia është atdhe personal.

Ka fillu' me'm pëlqy shumë kjo 'frika' e stisur nga liria. Është kjo një 'frikë' e dobishme që të mbron nga dashuritë e rreme.

Se kur e ke të ndaluar me dal nga shtëpia, mërzitesh, sepse Ti kujton që sikur të ishe i lirë, ke ku shkon;
e kur ta 'japin' Lirinë, e kupton se s'ke ku shkon, dhe këtu merr fund 'ëndrra e lirisë'.

Mua sidomos maska po më flen, po më shkon me karakter.

Maska më ka 'njoftuar' me një dimension të panjohur të Lirisë.
Goja (shkaku i gjuhës) është thelbi i lirisë dhe i robërisë, ndaj jo rastësisht gjuha është muskuli më i fortë.

Me maskë, u knaqa, Flas shlirë, qesh shlirë, me dasht ia qes gjuhën dikujt që e urrej, pa e pasur dronë se dukem e çaraveshur dhe duke e ditur se mbulesa ta mundëson të sillesh keq e të mos shihesh, fantazi.

Prandaj, më pëlqen kjo Liri, Liria e mbulimit të gojës. Dhe ndoshta nuk e shploj kurrë më 😂.

Maska të krijon distancë me njerëz.
Distanca është elegancë dhe zotnillëk.

Maska ka edhe të tjera beneficione: nuk të dëgjon kush kur flet; han hudhër, qepë, nuk
ke frikë se ikin njerëzit prej teje, sepse pikë së pari s'të afrohen, me dasht ti del edhe pa e pastru gojën, goja jote është, sepse njeriu më shumë e pastron gojën për hirë të tjerëve, se sa për vete.

Po ndjehem si te 'Veronika vendos të vdes', ku personazhet e Coelhos përtojnë të dalin nga ngujimi.

Sot kam kënduar me maskë në një dugajë ku e kishin lshu Xenin me zë të naltë, bezeritke.

Derisa lodroja nëpër hapësirën e madhe të dyqanit, mu duk vetja si në sallë të dasmave, u përhapa, këndoja shlirë, u knaqa sepse askush nuk më hetonte që po knaqem.

Xeni këndonte 'Elbasan i bukur' e unë aq fort u dalldisa sidomos me vargun 'Kendon kumrija, zien metalurgjia', sa që dikur rrezikova dhe si n't'kinë (pra, si n't'dredhun) i bëra disa lëvizje t'Elvisit me krahun e djathtë, ta marrke mendja unë le e rritë n'Elbasan.

Bile as që më pëlqen Elbasani. Një herë kam bujtë në Elbasan (ka qenë Festivalini i Teatrit), dhoma e hotelit si memoriali i Elvis Presleyt, edhe tavanin ngjyrë dukati.

Ndërkohë, si duket 'hupa' krejt, luva, se kur u afrova te mielli (thashë ti qes do petlla qysh e kam unë zanat, minimumi 500 copa për kokë banori), si duket u zbulova që po këndoja nën maskë se një burrë i 'zhdërvjellët' i tha djalit të tij të vogël 'Djali jem, Elbasani është i bukur' 😂.

2. Pastaj shkova të blej një palë sandale. Kur ma pa
maskën, ai djali më tha 'lirisht hiqe', se kur të vjen dakiku, paç e ke.
Po, i thashë, jam plotësisht e sigurt, pa exhel nuk vdiset.

S'munda t'i them, po m'pëlqen m'u 'tutë' sepse frika po i mban njerëzit larg meje, dhe se gjithmonë i kam pas mërzi ato dashnitë 'e rreme' me përqafime e me puthje në faqe 'shkllap shkllap'. Kishe shumë po duhemi.

3. Pasi dola nga dyqani me sandale n'dorë, i thashë motrës, më duket i bleva të njejtat sandale që i kam ble vjet.
Një shok më tregonte se si i gjuante teshat e vjetra, dhe ditëve të tregut habitej dhe shkonte i blente 'teshat e veta' se nuk i njihte në shikim
të parë.

4. Dhe u nisa te parku i teknikut për të bërë 10 mijë hapat e përditshëm.
Kur e parkova veturën, desha ta kaloj rrugën në një vend që s'lejohet dhe në atë moment kaluan policia.
Kur i pashë policinë, ashiqare u pa që mashtrova, se u ktheva pas tre hapa, kishe s'deshta me kalu rrugën përnime, dhe atyre policëve u pëlqeu shumë që 'u tuta' prej tyre, prandaj ma lëshuan një zë borie si shenjë se 'të pamë', e unë ua bëra me dorë, si e penduar.

5. Kur mbërriva te parku, kish pas shumë shetitës. Një ditë më parë, e shfrytëzova shiun, për ta ruajtur distancën.
Me çadër nëpër shi, dëgjoja zogjtë dhe zhurmën e shiut, që mëbtingëllokte si orkestër këngës së tyre.

Bile në një moment më mori malli për 'njanin' edhe qava bashkë me shiun dhe as motra që e kisha pranë nuk më hetoi. Kjo është ajo Liria të këndowh e të qash shlirë, pa publik.

Sot në park kish pasur pak ecës e shumë ulës. Dashnorët ishin ulur në barë.
Vajzat që e kishin mbështet kokën në prehërit e të dashurve, tamam si te filmi 'Shkëlqimi në bar', me dallim se këto vajzat pasi t'ua thithë jakna lagështinë e tokës, shkojnë drejt në shpi, kurse Natalie Wood nga pikniku me Warren Beatty ka shkuar drejt në çmendi.
Se dikend dashuria e çmend, por kjo s'vlen për shqiptarët, të cilët dashuria i kthjell, i vetëdijëson.

A ju lakmova?
Jo. Këto shfaqjet e dashurisë mbi barë nuk më pëlqejnë, se t'shkon koha tuj i tremb bubat që t'ngjiten e nuk t'lënë rehat derisa të çohesh.
Ku ka buba, nuk ka romantikë.

M'i pas pa dashnorët të hipur në ndonjë degë, ndryshe, ashtu më kish pëlqy, ju kisha pakmu, se bash aty, as në tokë, as në qiell, në degë jeton dashuria.

6. Pastaj dola në çarshi, disa vajza e djem të rinj përgatiteshin për protestë në shesh.
Secili vend i protestuesve ishte shënjuar me nga një pikë të kuqe.

Pika duhet të jetë e kuqe dhe rrumbullake, nuk bën të jetë e kaltër dhe katrore.
Pika e kuqe më dukeshin si 'syri i tretë' midis vetullave të grave hinduse.

Pika e kuqe simbolizon pikën ku fillon protesta, e cila nëse nuk i bashkom të gjitha pikat në një pikë, nuk arrin gjë.

Askush nuk i merr seriozisht protesuesit e kujdesshëm që nuk guxojnë të kalojnë pikën e kuqe që e kanë vendosur vet.

Protestuesi (për m'u marrë seriozisht) duhet me qenë aq nervoz sa krejt kuq me ju duk.

7. E mua, nga karantina me më çu direkt n'deti s'di a isha shku.
Unë kurrë nuk besoj se Kosova do të mund të bëhet shtet ligjor ndonjëherë.
Lum ata që ende besojnë. Dhe protestojnë.

P.S. Unë për vete
'do të ik në Paris.
Më duhen njerëz pa gjuhë;
Më duhet një kohë pa mua'.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat