Grenell, Thaçi dhe Vuçiq nga njëra anë dhe Lajçak nga ana tjetër! - Bota Sot
Grenell, Thaçi dhe Vuçiq nga njëra anë dhe Lajçak nga ana tjetër!

Opinione

Grenell, Thaçi dhe Vuçiq nga njëra anë dhe Lajçak nga ana tjetër!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 5 qershor 2020 Në ora: 07:59
Foto ilustruese

I ngarkuari i BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Laçak, ka lëshuar një deklaratë, me të cilën bën me dije se Hashim Thaçi dhe Grenell nuk ia hapin telefonin. Nuk përmend emrin e Aleksandër Vuçiq, sepse mesa duket presidenti i Serbisë është më luajal ndaj politikave evropiane, sesa kreu i shtetit të Kosovës.

Nga ana tjetër mediet kanë lansuar një hartë si pjesë të marrëveshjes së nënshkruar ose hartuar në korrikun e vitit 2019 në Uashington nga dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiq. Ajo marrëveshje përmban 22 nene kryesore me të cilat parashikohet jo vetëm ndarja e Kosovës, duke i dhënë Serbisë më shumë se dy komuna të veriut të saj. Marrëveshja e korrikut 2019 e zotit Thaçi dhe zotit Vuçiq parashikon dhe gjithashtu vazhdimësinë e zonave nën ndikimin e Serbisë, si Mitrovicën dhe Bujanovcin si qytete, së bashku me rrethinat, nuk lejon krijimin e një zone të tillë për Medvegjën. Ndërkohë që parashikon disa pjesë të Preshevës dhe dy- tre fshatra të Bujanovcit, të cilat mund t’i bashkohen Kosovës.

Përveç kësaj ajo marrëveshje krijon asosacionin e komunave serbe që mbeten në Kosovë, i cili do të ketë kompetenca ekzekutive. Përveç Trepçës, edhe Brezovica vihet nën kontrollin serb, për shkak se aty jetojnë disa qindra serbë. Ndërsa Manastiri Deçanit dhe pasuritë e tij shënohen si një territor ekstra, që nuk kontrollohet prej shtetit të Kosovës, por prej Kishës Serbe, d.m.th prej qeverisë së Beogradit.  Të dhënat e kësaj marrëveshjeje parashikojnë  procese unikale sa i përket përgjegjësive dhe krimeve të luftës në Kosovë si dhe ushtrimit të kompetencave të Gjykatës Speciale të Hagës. (Bashkëngjitur harta dhe marrëveshja e projektuar ose e miratuar)

Image

I përmenda jo në detaje këtë marrëveshje, për të shkuar te arsyetimi pse Thaçi dhe Grenell nuk ia hapin telefonin zotit Lajçak! Ka shumë gjasa se të ngarkuarit të Brukselit për ndërmjetësimin e dialogut nuk i ka mbet asgjë për të realizuar në praktikë. D.m.th atij ose i duhet hapur telefoni dhe i duhet thënë se tashmë gjithçka është gati dhe s’ka më nevojë për bisedime, ose nuk i duhet hapur telefoni pikërisht për të njëjtën arsye.

Se marrëveshja është gati ose është firmosur, këtë lajm e bënë të ditur edhe dy burime të tjera: Së pari, qeveria serbe njoftoi se ajo ka ndërprerë aksionin politik për ç’njohjet e Kosovës. Kjo do të thotë se ky akt i Beogradit lidhet me garancinë e marrëveshjes në fjalë. Dhe së dyti, sonte në TV Syri të Tiranës befasoi Baton Haxhiu ne deklaratën e tij se tashmë Kosova do të ndahet, pasi, sipas tij “ajo ka dështuar të ndërtojë një shtet funksional”, duke dashur që përgjegjësinë për këtë ta transferojnë jashtë aktorëve politikë përgjegjës, si Thaçi.  Madje ai me hipokrizi nuk pranoi se në dy-tri vitet e shkuara ka lobuar fuqishëm për ndarjen e vendit, duke thënë se “Kurrë nuk e ka bërë një gjë këtillë”! Eshtë interesant si fshihen autorët e krimit të ndarjes së Kosovës përmes mohimit të vetvetes!

Image

Dhe e gjitha kjo lidhet edhe me një aspekt tjetër: Kurrë faktori ndërkombëtar perëndimor nuk ka qenë kaq i përçarë në opsionin e saj për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa Grenell dhe një pjesë e administratës së presidentit Trump përpiqen prej kohësh të imponojnë një zgjidhje çfarëdo, mjafton ta pranojë Beogradi e pavarësisht se preket territori i Kosovës, aktorët evropianë, sidomos Berlini dhe Londra janë kategorikisht kundër këtij opsioni. Kundër ndarjes janë gjithashtu vendet fqinjë të Kosovës, përveç Beogradit dhe Tiranës së kryeministrit Rama. Janë kundër këtij opsioni edhe qytetarët e Kosovës, si dhe shumica e politikanëve. Megjithatë marrëveshja e hartuar apo e firmosur e Uashingtonit e korrikut 2019 në nenin e fundit të saj detyron parlamentet e të dy vendeve që ta ratifikonin atë nëntorin e vitit të kaluar.

Të gjitha këto kanë dalë në sipërfaqe këto dy ditë, menjëherë pas formimit të qeverisë Hoti, si për të provuar parashikimet tona se kjo qeveri erdhi në jetë pikërisht për të realizuar një projekt serb të ndarjes së Kosovës, për të cilën nuk qenka angazhuar vetëm presidenti Thaçi, por edhe kryeministri Haradinaj, duke i shkuar në shtëpi pa njoftuar një deputeti të Nismas, me lutjen, joshjen ose presionin që ta votojë qeverinë e zotit Hoti, i cili nuk plotësonte numrin e nevojshëm, edhe pse mori të gjitha votat e deputetëve serbë.

Si përfundim: Gjithçka që po ndodh vjen si cunam për fatin e Kosovës dhe të shqiptarëve në Ballkan, shkaktarë të të cilit jemi vetë ne shqiptarët, posaçërisht drejtuesit kryesorë të shtetit në Kosovë dhe disa prej tyre në Shqipëri.  A do të mundet Lajçak ta ndryshojë këtë rrjedhë?! Vështirë, por duhet të presim se çfarë do të ndodhë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat