Kohezioni social i sozisë së Isa Mustafës!

Opinione

Kohezioni social i sozisë së Isa Mustafës!

Nga: D.Dushi Më: 8 qershor 2020 Në ora: 14:58
Dren Dushi

Me 61 vota të deputetëve shumë prej të cilëve nuk do të bëheshin të tillë po të mos i printe listës së LDK-së Vjosa Osmani, bashkë me qesharakët “100% shtet”, u votua Qeveria e sozisë së Isa Mustafës, ish Ministër i Rahmon Morinës, një komplot që u ndihmua  edhe nga qarqe jashtë Kosovës, që historinë e kombeve dhe politikën e shohin thjeshtë si “doing business”, pikëpamje kjo që është e rrezikshme për Ballkanin që ende i ndjen dhimbjet e fëmijëve të vrarë e grave të dhunuara.

Ky qe një komplot i atyre që komplotuan edhe kundër Presidentit Historik Rugova, një komplot i organizuar nga ata që karierën politike e nisën me para të fondeve 3% dhe “Vendlindja thërret”. Një komplot që cytjet i ka te frika nga Gjykata Speciale dhe EULEX-i si dy mjete shantazhi diplomatik kundër Kosovës. Një komplot që prishi edhe disa balanca ndërkombëtare, por që është edhe qesharak me rastin e Haxhi Shalës.

Para se të votohej, ndër të tjerash, sozia i Isaut përmendi një koncept politik si formë mashtrimi,  i cili duhet sqaruar për publikun që nuk ka kohën të merret me politikë; “kohezioni social”. Ç’farë është kohezioni social si koncept dhe si e sheh këtë kohezion sozia i Isaut?

Në shkencën politike, ky koncept përdoret për të paqësuar interesat e ndryshme të strukturave të shoqërisë. Këtu kyjnë të gjitha shtresat, nga punëtorët e thjeshtë deri te milionerët, nga të majtët deri te të djathtët, nga zonat ruarale deri te ato urbane. Si i tillë, ky koncept përdoret për të mirë, si një marrëveshtje sociale mes shtresave, në mënyrë që të mos shkelen shumë interesat e asnjërës palë.

Në mendësinë dhe kuptimin e politikës nga brezi i politikanëve siç është sozia i Isaut, ky koncept përdoret vetëm si mashtrim, teksa në realitet ka kuptim tjetër. “Kohezioni social” i vendosur për të cilin foli sozia, është kohezion korruptiv politik. Një marrëveshtje mes neo-feudeve që sundojnë Kosovën tash e dy dekada. Këto neo-feude janë gjithësej tri; neofeudi më i madh është grupi i PDK-së (Thaçi, Haliti, Veseli, Syla) , neo-feudi i dytë është grupi i LDK-së (Mustafa, Haki Rugova, Veliu) dhe neo-feudi i tretë është grupi i AAK-së apo familjes Haradinaj (100% mashtrim). “Kohezioni” për të cilin foli sozia është marrëveshtja mes këtyre tre neo-feudeve. Njëri neo-feud do kontrolloj zonën e Dukagjinit si burim votash e dominimi ekonomik, njëri të Llapit e Gollakut dhe më i madhi do kontrolloj zonën e Drenicës, këto zona do garantojnë votat përmes një kontrate klienteliste për të sunduar me pjesë tjera të Kosovës. Të gjitha këto neo-feude, kanë marrëveshtjen e tyre për “kohezionin social” të sozisë edhe për të kontrolluar komuna të caktuara, për të ndarë dikasteret qeveritare dhe mbrojtur interesat e njëra-tjetrës. Në borde, neo-feudet ndajnë njerëzit e tyre dhe çojnë listat e militantëve që duhen punësuar në varësi të përkatësisë politike, hera-herës prejardhjes neo-feude dhe në kohët e fundit më theksueshëm; prejardhjes familjare.

“Kohezioni social” për të cilin foli sozia i Isaut në Kuvend, para se të bëhej Kryeministër, përfshinë edhe marrëveshtjen me Serbët. Si shembull, kemi ca oligarkë të neo-feudeve të cilët në marrëveshtje me serbët e Shtërpcës kthejnë tokat publike në zonën turistike të Brezovicës në toka private të cilat pastaj u shiten biznismenëve dhe elitës së tranzicionit me çmime marramendëse. Ky “kohezion” është shumë më i thellë se kaq, meqë përfshinë edhe shitblerjen e tokave tjera nëpër Kosovë (siç është rasti me një nga të përmendurit në këtë shkrim nga grupi i PDK-së) , privatizimet, kapjen e strukturave vitale të shtetit dhe ndarjen e tyre, përdorimin e tyre për shantazh politik dhe për kërcënim kur shantazhi nuk kryen punë (ç’farë mund të jetë rasti me deputetin e Haxhi Shala). Ky “kohezion” për të cilin foli sozia i Isaut, është “kohezioni” që Kryeqytetin dhe të gjitha qytetet tjera në Kosovë u shkatërruan nga ndërtimet pa asnjë parametër urbanistik ku përfituan kryesisht ndërtuesit e neo-feudeve. Për më tepër, ky “kohezion” është edhe një mos-sulm dhe mos-prishje e raporteve sekrete dhe biznesore mes tri neo-feudeve. Kushdo që do të krijoj në Kosovë një prokurori serioze, një gjyqësi serioze, një Gjykatë Kushtetuese serioze, sipas logjikës së neo-feudeve prish “kohezionin social”, dhe si i tillë ose përfundon si Elez Blakaj, ose si Dino Hasanaj e Astrit Dehari. Për më tepër, “kohezioni” ka edhe propagandën mediatike, propagandë kjo e cila mbron fuqishëm interesat e neo-feudeve përmes “analistëve” (që bëhet të tillë kur të kenë dështuar në listat zgjedhore).

Ky “kohezion” është i mbështetur/toleruar nga një pjesë e faktorit ndërkombëtar, meqë një “elitë” si kjo është lehtë e shantazhuar kur vjen puna për çështje gjeopolitike të pajtimit të Serbisë/Rusisë. Aq e madhe është toleranca për këtë “kohezion” saqë edhe po u vra një i ri në burg si Astrit Dehari, sistemi jonë i drejtësisë e shpallë vetëvrasje dhe askush nuk çan kokën për këtë çështje. Një sistem gjyqsor që shpallë vetëvrasje vrasjet, si mund të pritet prej tij të interpretoj Kushtetutë? Një sistem politik ku rrihet një i ri vetëm pse mendon se Presidenti është hajn, dhe pastaj rrezikon të “vetvritet” në burg, si mund të quhet demokratik? Presidenti mbase nuk është hajn i shpallur nga ndonjë gjykatë, por është shumë i pasur ama, vëllau i tij nuk përton të shpërndajë dajak* siç e dijmë, të mos flasim për mbrojtjen e tij të afërt.

“Kohezioni social” për të cilin foli sozia i Isaut (që mbijeton në politikë që nga koha e R.Morinës), është disfatë e idealeve të Presidentit Rugova, është disfatë e shoqërisë së Kosovës që t’i kundrështoj plaçkitësit me kalashnikovë dhe frikacakët hajdutë. Është frikë kolektive e instaluar pas 99-tës në Kosovë, meqë kalashnikovët vazhduan të përdoren edhe pas këtij viti duke bërë që të vriten shumë njerëz civilë, biznesmenë e intelektualë, e tërë kjo, qe e amnistuar nga organet e drejtësisë ndërkombëtare, e cila në vend se të reagoj, mblodhi dëshmi për të krijuar më vonë EULEX-in, dhe diç më vonë Gjykatën Speciale përmes të cilës sot shantazhojnë këtë “kohezion social”. Është frikë kolektive për të shprehur mendimin e lirë, për të shprehur vullnetin politik në formë publike pa u linçuar, pa mbetur i pa punë, pa u kërcënuar apo “vetvrarë” në një qeli të kontrolluar nga neo-feudët. Këtë frikë kolektive, Kosova duhet ta kaloj, meqë kjo është e vetmja mënyrë që dinjiteti dhe liria e demokracia të jenë funksionale dhe ekzistente. Populli është më i madh dhe fuqishëm, se tri neo-feudet tona, ato duhet t’i zhbëjmë, ose e pakëta, t’i reformojmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat