Urime dita e bekuar e çlirimit - Bota Sot
Urime dita e bekuar e çlirimit

Opinione

Urime dita e bekuar e çlirimit

Nga: Florim Zeqa Më: 12 qershor 2020 Në ora: 07:00
Florim Zeqa

Për secilin popull që ka përjetuar një pushtim të gjatë, dita e çlirimit është dita më e dashur, kremtja më e madhe dhe data më e paharruar në kujtesën popullore.

Shënimi i ditës së çlirimit në mënyrë institucionale dhe shtetërore e madhështon luftën dhe sakrificat e popullit për çlirim, lirisë së vendit i jepë kuptimin e plotë, ndërsa popullit i shtonë dashurinë ndaj atdheut.

Për shqiptarët e Kosovës, 12 qershori  i vitit 1999 është dita më e madhe, më e lumtur dhe e paharruar. Marshimi i ushtrisë se NATO-s dhe ushtarëve të UÇK-së rrugëve të Prishtinës dhe mbarë Kosovës shënoi gëzimin më të papërshkruar me fjalë të qytetarëve,...të cilin, në mënyrën më besnike e përshkruan blici i aparatit dhe syri i kamerave televizive.

Mohimi i luftës çlirimtare, çmim i pavarësisë apo dështim i politikës

Tradita e mirë e festimit të ditës së çlirimit të vendit tonë u ndal pas 17 shkurtit 2008-të!

Pas pavarësimit në Kosovë po festohet 15 prilli si "Dita e Kushtetutës" cila ditën e çlirimit e zavëndësoj më "ditë të paqës", ndërsa popullin shumicë shtetformues (shqiptarët) i barazoj më pakicat minoritare në vend.

Pranimi i termit "Ditë e Paqes" në vend të ditës së çlirimit paraqet gabimin më fatal të politikës kosovare. Sipas kësaj logjike i bie se në Kosovë nuk ka pasur luftë çlirimtare, por vetëm një konflikt të vogël ndëretnik...

Më mohimin e ditës së çlirimit, po tentohet të mohohet lufta çlirimtare dhe sakrificat e shumë brezave,...ku si pasojë e këtij mohimi kemi Gjykatën Speciale (për hatër të Serbisë e Rusisë), e themeluar me bekimin e deputetëve shqiptar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e cila për qëllim ka ndjekjen dhe burgosjen e  çlirimtarëve  në ëmër të "drejtësisë" ndërkombëtare, për dënimin e krimeve (të njëanshme) të luftës.

Po ndodhë pikërisht kështu, sepse mungon mbrojtja institucionale e vlerave të luftës çlirimtare! Këtë vakum institucional është duke e shfrytëzuar siq është më së keqi kundër nesh Serbia me një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Sa ishte gjallë presidenti historik Ibrahim Rugova vlerat e luftës çlirimtare u mbrojtën më dinjitet të lartë shtetëror. Presidenti pa hezitim u thoshte gjithmonë ndërkombëtarëve: " Ne kemi mbrojtur pragun e shtëpisë".

Madje në Tribunalin e Hagës, në cilësinë e dëshmitarit kundër satrapit të Ballkanit, Rugova si burrështetas i vërtetë kishte dalë në mbrojtje të UÇK-së duke pohuar, po citoj; "UÇK-ja nuk është terroriste,...ajo është formuar nga njerëzit e thjeshtë, nga patriotët që luftuan  për lirinë e vendit të tyre", për të vazhduar akuzat ndaj Millosheviqit;..."ky është personi që ka kryer krime e gjenocid ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare në Kosovë".

Mirëpo tani, kur ai na mungon nuk ka kush të del në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare, për arsye që mungon autoriteti i një lidershipi të përgjegjëshëm siq ishte ai rugovian.

"Dita e Paqes", më tepër se tjetërsim i luftës çlirimtare

Pranimi i termit "Ditë e Paqes" në vend të Ditës së Çlirimit paraqet rrëshqitjen drastike dhe gabimin më fatal të politikës kosovare.

Sot me 12 qershor u bënë 21 vjet nga hyrja e forcave paqëruajtëse në Kosovë. Në rrethana normale,  21 vjet liri dhe mbi 12 vjet pavarësi për shqiptarët e Kosovës do të ishin tepër shumë, madje do të mjaftonin shumë më pak se kaq vite për ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të shtetit!

Megjithatë është kjo liri na solli edhe shtetin, edhe pse ndryshe nga ai që projektuan atdhetarët dhe atë që ëndërruan martirët dhe dëshmorët e kombit. Megjithatë, ne kemi shtet me flamur pa ndjenja kombëtare dhe himn pa tekst... “mrekulli” që askush nuk e kishte pritur!

Njerëzit kanë deshirë ta kujtojnë të kaluarën e tyre. Mirëpo me kalimin e viteve, kjo e kaluar po e ndryshon trajtën, ku shumë gjëra po zmadhohen, apo u përshtaten rrethanave kohore. Njerëzit e gjallë të kohës së kaluar duhet ta thonë të vërtetën pa kamuflime dhe pa shtrëmbërime për t'ua lehtësuar rrugëtimin gjeneratave të reja.

Në çdo përvjetor të çlirimit të shtetit të Kosovës, qytetarët duhet ta kthejnë kujtesën e tyre në vitet e krenarisë kombëtare, të rezistencës së gjatë paqësore të viteve të '90-ta, përkatësisht 2 Korrikun dhe 7 Shtatorin e vitit 1990 dhe Referendumin Popullor për Kosovën shtete sovran dhe të pavarur  (26-30 Shtator 1991) që vunë themelet e shtetit të Kosovës si dhe ta kujtojmë me pietet të lartë periudhën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Mars 1998-Qershor 1999), për të kujtuar dhe nderuar përgjithmonë gjakun e dëshmorëve të lirisë.

Paradoksalisht, 12 qershori nuk është ditë feste në Kosovën e lirë, ndërsa 9 maji po! Përderisa asnjë nga shtetet anëtare të BE-së nuk e festojnë ditën e Evropës,  ne kosovarëve të getoizuar, ditë feste (ditë pushimi) na është bërë 9 maji dita e Evropës (BE), e kësaj evrope që na mbajti të izoluar dhe getoizuar për 21 vjet rresht!

NATO, forca mbrojtëse dhe garantuese e lirisë sonë

Përderisa 21 vjet më parë, intervenimi i NATO-s, për më tepër se intervenim ushtarak, ishte kuptuar si mision humanitar për shpëtimin e një popullate krejtësisht të pambrojtur, që i kanosej shfarosja dhe deportimi kolektiv nga trojet e veta,...21 vjet më pas, prezenca e NATO-s në Kosovë dhe baza ushtarake BONDSTEEL konsiderohen forca mbrojtëse dhe garantuese të lirisë sonë.

Gara e pashëmbullt e disa "çlirimtarëve" për të marrë primatin e çlirimtarëve të vendit, ka bërë që t'i harrojnë çlirimtarët faktikë të vendit tonë, NATO-n dhe SHBA-të.

Madje disa subjekte dhe liderë partiakë kanë filluar të harrojnë luftën, bashkë me këtë edhe  ndihmën e madhe, të pa parë ndonjëherë gjatë historisë sonë shekullore, që na erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bota e civilizuar e demokratike në përgjithësi.

Pavarësisht sjelljeve të liderëve partiakë, populli shqiptar i Kosovës përgjithmonë do t'u jetë mirënjohës dhe falenderues SHBA-ve dhe shteteve më të fuqishme të Bashkimit Evropian për ndihmën e pakursyer në çlirimin e vendit tonë, rindërtimin dhe konsolidimin e shtetit, ndihmë e cila po vazhdon edhe në ditët e sotme.

Ditën e çlirimit e ka bekuar edhe Zoti, prandaj kemi arsye të festojmë.

Kosovë urime 12 qershori, dita e bekuar e çlirimit!

Zoti e bekoftë gjakun e gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat