Çfarë po ndodh me detin? Greqia dhe disa pikëpyetje të reja detare për qeverinë shqiptare

Opinione

Çfarë po ndodh me detin? Greqia dhe disa pikëpyetje të reja detare për qeverinë shqiptare

Shaban Murati Nga Shaban Murati Më 18 qershor 2020 Në ora: 14:18
Edi Rama

Pas nëshkrimit në 9 qershor në Athinë të marrëveshjes me Italinë për zonat ekonomike ekskluzive në detin Jon, Greqia nisi menjëherë dermashet pranë qeverisë së Shqipërisë për të rihapur bisedimet për marrëveshjen e detit midis dy vendeve. Nuk dihet se për çfarë arsye ministri i jashtëm grek, N.Dendias, deklaroi në ceremoninë e nëshkrimit se kjo marrëveshje i hap rrugën marrëveshjes së detit me Shqipërinë, por fakti është se menjëherë ka nisur presioni diplomatik grek mbi qeverinë shqiptare. Në një intervistë në 10 qershor me televizionin grek “SKAI TV” Dendias njoftoi se për këtë qëllim Shqipërisë i janë bërë përçapje në nivele të ndryshme. Ky presion i freskët grek duket e detyroi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, që gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik të Delfit në 12 qershor të pohonte se “nuk kemi arritur akoma në një marrëveshje”, duke hedhur poshtë indirekt marrëveshjen e dytë detare të arritur në vitin 2018. Ndërkaq lobi grek në diplomacinë, në politikën dhe në forcat e armatosura shqiptare, u ngrit si me sustë që të aplifikonte klimën e presionit grek mbi qeverinë shqiptare, duke i kërkuar që “në emër të fqinjësisë së mirë” të riniste menjëherë bisedimet për marrëveshjen e detit midis dy vendeve.

Marrëveshja e re midis Italisë dhe Greqisë për zonat ekonomike ekskluzive në detin Jon mund të konsiderohet pozitive nga pikëpamja e marrëdhënieve midis Italisë dhe Greqisë. Por ajo nuk mund të shërbejë as si bazë dhe as si nxitje që Shqipëria të vrapojë tani drejt një marrëveshje detare me Greqinë. Madje sipas admiralit turk Xhihat Jajxhë, një ekspert i njohur i të drejtës detare, në një analizë për marrëveshjen e re greko-italiane në gazetën “Haber Turk” në 10 qershor, “ po të bënin Shqipëria dhe Libia marrëveshje me Italinë, disa hapësira që i merr tani Greqia do të ishin të tyre”. Rrethanat, faktorët, gjeneza historike dhe gjeografike, efektet dhe implikimet për Shqipërinë, historia e marrëdhënieve problematike midis dy shteteve tona dhe rivendikimet territoriale greke ndaj Shqipërisë që nga themelimi i shtetit të pavarur deri në ditët tona, janë krejt të ndryshme dhe imponojnë një strategji, një diplomaci dhe një platformë bisedimesh dypalëshe, të cilat përputhen me interesat jetike shtetërore e kombëtare, gjeopolitike, ekonomike, energjitike, ushtarake, etj. të Shqipërisë. Madje dinamika e re e diplomacisë detare dhe më konkretisht marrëveshja midis dy shteteve, Italisë dhe Greqisë, aktualizon disa pikëpyetje të rëndësishme, të cilat duhet t’i konsiderojë me seriozitet dhe t’i ketë parasysh qeveria e Shqipërisë, përpara se të nisë si vrap mëngjesi ndonjë tur të ri bisedimesh diplomatike me Greqinë për marrëveshjen detare.

Pikëpyetja e parë është rreth nxitimit, që Greqia po i kërkon Shqipërisë rihapjen një orë e më parë të bisedimeve për detin. Athina ka përvojën e saj fitimprurëse të kurthit të nxitimit, ku ra diplomacia e Shqipërisë edhe në vitin 2008, kur e mbylli marrëveshjen e parë detare me Greqinë për 9 muaj, edhe në vitin 2018, kur e mbylli marrëveshjen e dytë detare me Greqinë në 6 muaj dhe shpalli edhe datën e nënshkrimit. Bisedimet e Italisë me Greqinë vetëm për zonat detare ekskluzive në detin Jon zgjatën 43 vjet. A e kuptoni që nuk kemi ndërtuar akoma as diplomaci dhe as shtet të vërtetë? Marrëveshja midis Greqisë dhe Italisë për zonat ekonomike ekskluzive në detin Jon është marrëveshja e parë e këtij lloji që Greqia nënshkruan që nga viti 1982 i miratimit të Ligjit ndërkombëtar të Detit nga të gjitha shtetet me të cilat takojnë hapësirat e saj detare. Po të kishte qenë e lehtë të nënshkruheshin marrëveshjet dypalëshe për hapësirat detare nuk do të ndodhte që Greqia nuk ka arritur deri tani të nënshkruajë asnjë marrëveshje për zonat ekonomike ekskluzive me asnjë shtet tjetër, përveç Italisë. Me Italinë Greqisë iu deshën 43 vjet që të kalonte nga marrëveshja dypalëshe për shelfin kontinental e nënshkruar në vitin 1977, për të arritur tek marrëveshja e zonave ekonomike ekskluzive në 9 qershor 2020. Krahasojeni këtë me diplomacinë infantile shqiptare, që përfundon marrëveshjet detare me Greqinë sa hap e mbyll sytë dhe me drafte greke. Ndaj veprimi urgjent, që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare, është që të hartojë një platformë të re të bisedimeve me Greqinë për detin. Së dyti, qeveria shqiptare duhet të ndërrojë komplet ekipin diplomatik bisedues, duke përjashtuar anëtarët e dy ekipeve të dështuara diplomatike të marrëveshjes së vitit 2008 dhe të vitit 2018. Tani në Greqi është një qeveri e re. Ministritë e jashtme të të dy vendeve kanë drejtues të rij dhe është plotësisht e logjikëshme të impostohen bisedimet në një format të ri programatik dhe organizativ.

Pikëpyetja e dytë, që del ka të bëjë me tematikën dhe objektin e bisedimeve dypalëshe. Italia vuri qartas një kufi dhe i ndau bisedimet me Greqinë për shelfin kontinental nga bisedimet me Greqinë për zonat ekonomike ekskluzive, dhe distanca midis dy marrëveshjeve është 43 vjet. Shqipëria ka bërë të pabërën dhe në dy etapat e bisedimeve dhe të marrëveshjeve të saj fatkeqe detare me Greqinë në vitin 2008 dhe në vitin 2018 mori dhe i futi në një thes të gjitha gjitha çeshtjet: edhe kufirin detar shtetëror, edhe shelfin kontinental, edhe zonat ekonomike ekskluzive. Diplomacisë infantile shqiptare diplomacia greke i imponoi në tavolinë thesin e përbashkët të të gjitha çeshtjeve detare. Thesi diplomatik favorizonte Greqinë, e cila befas gjente një partner aq antishtetëror dhe antidiplomatik, që bënte çfarë kërkonte Athina. Është urgjente që qeveria aktuale e Shqipërisë përpara çdo rifillimi bisedimesh me Greqinë për zonat detare duhet të heqë dorë menjëherë nga formula greke e thesit idiot të të gjitha çeshtjeve dhe të ndajë një nga një çeshtjet për bisedime.

Greqia, kur ka kërkuar zyrtarisht për herë të parë bisedime për hapësirat detare me Shqipërinë në vitin 2007 ka kërkuar bisedime teknike vetëm për shelfin kontinental. Edhe Shqipëria në vitin 1992 i kërkoi kryeministrit grek hapjen e bisedimeve dypalëshe për shelfin kontinental, por Athina as nuk denjoi të përgjigjej, derisa u zgjua pas 15 vitesh, kur u zbuluan pellgjet e mëdha të naftës dhe të gazit në zonat shqiptare të detit Jon. Elementi më poshtërues dhe antikombëtar i bisedimeve diplomatike të Shqipërisë me Greqinë edhe në vitin 2008, edhe në vitin 2018, ka qenë që diplomacia shqiptare me dorën e vet futi në diskutim kufijtë detarë shtetërorë. Një objekt bisedimesh, të cilin e ka dënuar dhe e ka ndaluar Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me vendimin e saj historik të 15 prillit 2010, që rrëzoi marrëveshjen e vdekur të detit të 27 prillit 2009. Një objekt bisedimesh ky, të cilin për paradoks diplomatik dhe kombëtar e fut në thesin grek të bisedimeve diplomacia socialiste në vitin 2018, duke thyer vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese për kufijtë detarë të Shqipërisë. Në padinë zyrtare të Partisë Socialiste, me kryetar Edi Ramën, drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në datën 6.12.2009, për marrëveshjen detare me Greqinë, deklarohet: “Kufiri ka ekzistuar. Pra kufiri detar shqiptaro-grek ishte i njohur, i përcaktuar edhe me koordinata, dhe i respektuar nga të dyja palët. Asnjëherë Greqia nuk e ka kundërshtuar këtë vijë të kufirit detar, përkundrazi e ka respektuar”. 

Në 30 korrik 1926 në Paris me “Aktin përfundimtar të delimitimit të kufijve të Shqipërisë” fuqitë e mëdha mbyllën përfundimisht çeshtjen e kufijve tokësorë dhe detarë të Shqipërisë me Greqinë dhe me Jugosllavinë, dhe këtë akt juridik ndërkombëtar e kanë pranuar dhe e kanë nënshkruar edhe qeveritë e Greqisë, Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Ministri i jashtëm grek Nikos Kocias u detyrua ta rikujtojë vlefshmërinë e këtij akti kur deklaroi në 3 korrik 2018:” A e njohim ne Aktin Final të Parisit të vitit 1926?”.

Pikëpyetja e tretë ka të bëjë me objektivin grek për të zgjeruar kufirin e detit territorial nga 6 në 12 mijë në detin Jon. Për herë të parë atë e shpalli ministri i jashtëm grek Kocias në vitin 2018, i inkurajuar nga lëshimet e diplomacisë shqiptare në marrëveshjen e dytë detare me Greqinë. Reagimi i ashpër i aleatëve të NATO-s e detyroi qeverinë greke të tërhiqej në atë kohë. Problemi doli përsëri në skenë me marrëveshjen e 9 qershorit. Italisë nuk i prish ndonjë punë nëse Greqia zgjeron detin territorial në detin Jon, sepse janë 300 kilometra që ndajnë dy brigjet. Por megjithatë Italia si shtet, që din të luftojë për të drejtat e veta, i imponoi Greqisë në këtë marrëveshje nenin që edhe nëse Athina zgjeron ujrat territoriale në 12 milje flotilja e peshkarexhave italiane do të ketë të drejtën të peshkojë dhe të shfrytëzojë lirisht hapësirën e re të ujrave territoriale greke. Italia gjithashti i imponoi Greqisë në këtë marrëveshje status të kufizuar për ishujt grekë. Ish-ministri i jashtëm grek Nikos Kocias, duke analizuar marrëveshjen detare me Italinë, shprehu pakënaqësi në 9 qershor se “marreveshja i ka lënë ishujt grekë me ndikim të kufizuar, me konsekuencën e së cilës do të përballemi në të ardhmen, dhe ka njohur të drejtat e palëve të treta në ujrat territoriale greke”. Këtë tërheqje të Greqisë për statusin e ishujve grekë, ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavushoglu, e vlerësoi në 11 qershor se “Marrëveshja e tyre provon validitetin e argumentit të Turqisë në çeshtje të tilla detare. Greqia ka pas kërkuar që gjithë ishujt, ishujzit dhe shkëmbijtë të trajtohen si kontinenti, por me marrëveshjen e tyre me Italinë pranuan argumentin e Turqisë për detin Egje dhe Mesdheun”. Gazeta greke “Protothema” në 12 qershor shkruan se Greqia në marrëveshjen me Italinë nuk i jep të drejta të plota tre ishujve Qefaloni, Strofades dhe Othonos. Portali “en.C4defence.com” shkruante në 11 qershor se në marrëveshjen e nënshkruar me Italinë zonat rreth ishujve nuk janë përfshirë në kalkulimet. Është pra rast i ri për qeverinë e Shqipërisë të hapë sytë dhe të mësojë nga kjo përvojë italiane bisedimesh dhe të mos përsërisë gabimet tragjike kur në marrëveshjen e parë detare pranonte diktatin e Greqisë që shkëmbijtë grekë të merrnin të drejtat e kontinentit në llogaritjet e hapësirës detare mes dy vendeve.

Pikëpyetja e katërt dhe tepër shqetësuese është se përse në qarqet diplomatike dhe mediatike greke po përmendet për ndarjen e zonave ekonomike ekskluzive edhe deti Adriatik. Në kohën kur Shqipëria po zhvillonte bisedime të fshehta me Greqinë për marrëveshjen e parë detare, unë isha drejtor i Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Jashtme, ku jo vetëm nuk ishim thirrur asnjëherë për konsultim, por as nuk na jepej asnjë lloj informimi. Një nga ambasadorët më të mirë të MPJ dhe nga diplomatët më të vjetër, gjatë bisedave tona për shqetësimet që vinin nga bisedimet për detin me Greqinë, më drejtohet dhe më thotë: “Thuaj shyqyr që grekët nuk po kërkojnë detin deri në gjirin e Durrësit tënd!”. M’u kujtua kjo ironi e hollë e ambasadorit kur lexova në gazetën greke “The National Herald” në 11 qershor: ”Greqia dhe Italia nënshkruan një marrëveshje, duke shënuar kufijtë detarë në detin Jon dhe në ujrat e Adriatikut”. Portali italian “ship2shore.it” shkruante në 11 qershor: “Marrëveshja lejon dy vendet të kërkojnë dhe të eksplorojnë për burime në rajonet detare të detit Jon dhe të Adriatikut Jugor, ndërsa shtron rrugën për një marrëveshje të ngjashme me Shqipërinë”.

 

Nuk mund të mos bësh menjëherë pyetjen se ç’punë ka Greqia me detin Adriatik. Greqia as laget ndonjë centimetër dhe as i takon ndonjë milimetër e drejtë në hapësirat detare të Adriatikut. Nuk ka mendje diplomatike, gjeografike dhe historike të shpjegojë këtë oreks të pretendimit grek për Adriatikun. Ai quhet absurditet në logjikë, por quhet rivendikim protektorial në diplomaci.

Shqipëria në bisedimet me Greqinë duhet të ndjekë modelin italian dhe të zhvillojnë bisedime të veçuara: një palë për shelfin kontinental dhe një palë për zonat ekonomike ekskluzive. Ato duhet të jenë bisedime, që llogarisin interesat e integritetit territorial, të ekonomisë, të energjitikës dhe të gjeopolitikës shqiptare. Shqipëria duhet të sillet si shtet serioz dhe dinjitoz dhe jo si tribu afrikane, të cilën e huton diplomacia greke me gërnetat e ahengjeve të rrugës, dhe po të parafrazojmë një thënie të famshme të presidentit të Kenias, Xhomo Keniata, për misionarët perëndimorë, që iu dhanë afrikanëve Biblën dhe u morën tokën, nuk duhet të ndodhë që ndërsa diplomacia shqiptare kërcen vallet greke symbyllur, kur të hapë sytë grekët do të kenë marrë edhe detin, edhe tokën. Në studimin tim diplomatik “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatik greke apo shqiptare?”, (Tiranë, 2018, fq.230), kam tërhequr vëmendjen: ” Duke parë nivelin e mjerë profesional, komplekset e inferioritetit dhe formimin e gjymtë kulturor, arsimor, historik dhe diplomatik të niveleve të ndryshme të sistemit të diplomacisë shqiptare, diplomacia greke duket se ka përgatitur në sirtaret e saj fazat e parashtrimit të rivendikimeve të reja për vënien në dyshim të kufijve tokësorë, ujorë dhe detarë të Shqipërisë me Greqinë”./Dita/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat